11.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa Françesku: Liria përmbushet në dashuri
HomeKryesorPapa Françesku: Liria përmbushet në dashuri

Papa Françesku: Liria përmbushet në dashuri

Audienca e Përgjithshme e kësaj paraditeje u zhvillua në Sallën Pali VI ku Papa Françesku takoi grupe shtegtarësh dhe besimtarë të ardhur nga Italia dhe nga çdo anë e botës.

Në fjalimin e tij në italisht, Papa, duke vazhduar ciklin e katekezës mbi Letrën drejtuar Galatasve të Palit Apostull, e përqendroi meditimin e tij mbi temën: “Liria përmbushet në dashuri” (krh. Leximi: Gal 5,13-14)

Pasi e përmblodhi katekezën e Tij në gjuhë të ndryshme, Ati Shenjt u drejtoi përshëndetje të veçanta grupeve të besimtarëve që ishin të pranishëm.

Audienca e Përgjithshme përfundoi me këndimin e Pater Noster dhe Bekimin Apostolik.

AUDIENCA E PËRGJITHSHME:

Vëllezër e motra, mirëdita!

Në këto ditë jemi duke folur për lirinë e fesë, duke dëgjuar Letrën drejtuar Galatasve. Por më erdhi ndër mend ajo që Jezusi thoshte për spontanitetin dhe lirinë e fëmijëve, kur ky fëmijë kishte lirinë të afrohej dhe të lëvizte sikur të ishte në shtëpinë e vet … E Jezusi na thotë: “Edhe ju, nëse nuk bëheni si fëmijët nuk do të hyni në Mbretërinë e Qiellit”. Guximi për t’iu afruar Zotit, për t’u hapur para Zotit, për të mos pasur frikë nga Zoti: e falënderoj këtë fëmijë për mësimin që na ka dhënë të gjithëve ne. Zoti e ndihmoftë në kufizimin e tij, në rritjen e tij sepse ai e dha këtë dëshmi që i doli nga zemra. Fëmijët nuk kanë një përkthyes automatik nga zemra në jetë: zemra vazhdon përpara.

Pali Apostull, me Letrën drejtuar Galatasve, na përudh pak nga pak në risinë e madhe të fesë, dalëngadalë. Është vërtet një risi e madhe, sepse nuk përtërin vetëm disa aspekte të jetës, por na shpie brenda asaj “jetë të re” që e morëm me Pagëzim. Aty u zbraz mbi ne dhurata më e madhe, ajo e të qenurit bij të Hyjit. Të rilindur në Krishtin, ne kaluam nga një fetari e përbërë nga rregullore në fenë e gjallë, e cila ka qendrën e saj në bashkimin me Hyjin dhe me vëllezërit tanë, domethënë në dashuri. Kemi kaluar nga skllavëria e frikës dhe e mëkatit në lirinë e bijve të Hyjit. Ja, edhe një herë tjetër fjala liri.

Le të përpiqemi sot që të kuptojmë më mirë se cila është zemra e kësaj lirie për Apostullin. Pali pohon se është krejt e ndryshme nga «një pretekst për të jetuar si do mishi” (Gal 5,13): liria, pra, nuk është një jetë e shthurur, sipas mishit ose sipas instinktit, me mirakandet individuale dhe shtysat vetjake egoiste; përkundrazi, liria e Jezusit na bën të jemi – shkruan Apostulli – “në shërbim të njëri-tjetrit” (po aty). Po, a është kjo një skllavëri? Po, liria në Krishtin ka njëfarë “skllavërie”, ndonjë dimension që na çon në shërbim, për të jetuar për të tjerët. Me fjalë të tjera, liria e vërtetë shprehet plotësisht në dashuri. Edhe një herë gjendemi përballë paradoksit të Ungjillit: ne jemi të lirë ndërsa shërbejmë, jo kur bëjmë si të duam. Ne jemi të lirë ndërsa shërbejmë dhe aty vjen liria; jemi plotësisht [të lirë] në masën në të cilën dhurohemi. E gjejmë veten plotësisht në masën në të cilën dhurohemi, kemi guximin të dhurohemi; e zotërojmë jetën nëse e humbim atë (krh. Mk 8,35). Ky është Ungjill i pastër.

Por si mund të shpjegohet ky paradoks? Përgjigjja e Apostullit është po aq e thjeshtë sa edhe kërkuese: “përmes dashurisë” (Gal 5,13). Nuk ka liri pa dashuri. Liria egoiste për të bërë si të dua nuk është liri, sepse ajo kthehet mbi vetveten, nuk është frytdhënëse. Është dashuria e Krishtit ajo që na ka liruar dhe është akoma dashuria ajo që na çliron nga skllavëria më e keqe, ajo e egos sonë; prandaj liria rritet me dashurinë. Por kini kujdes: jo me dashurinë ndjesore, me dashurinë prej telenovelash, jo me atë pasion që kërkon thjesht atë që na e ka ënda dhe atë që na pëlqen, por me dashamirësinë që shohim në Krishtin, dashuria: kjo është dashuria përnjëmend e lirë dhe liruese. Është dashuria që shkëlqen në shërbimin falas, i modeluar sipas atij të Jezusit, i cili u lan këmbët dishepujve të tij dhe thotë: “Ju dhashë shembull që, sikurse ju bëra unë juve, të bëni edhe ju” (Gjn 13,15). T’i shërbejmë njëri-tjetrit.

Për Palin, pra, liria nuk është “të bësh si ta do qejfi”. Kjo lloj lirie, pa një qëllim dhe pa referime, do të ishte një liri boshe, një liri cirku: nuk shkon. Dhe njëmend ajo lë boshllëkun brenda: sa herë, pasi kemi ndjekur vetëm instinktin, e kuptojmë se na ka mbetur një boshllëk i madh brenda dhe se kemi keqpërdorur visarin e lirisë sonë, bukurinë e mundësisë për të zgjedhur të mirën e vërtetë, për ne dhe për të tjerët. Vetëm kjo liri është e plotë, konkrete dhe na fut në jetën reale të çdo dite. Liria e vërtetë na çliron gjithmonë, por kur ne kërkojmë lirinë e “asaj që më pëlqen dhe nuk më pëlqen”, në fund mbetemi bosh.

Në një letër tjetër, e para drejtuar Korintianëve, Apostulli u përgjigjet atyre që mbështesin një ide të gabuar të lirisë. “Gjithçka është e lejueshme!”, thonë ata. “Por gjithçka nuk ka hije”, përgjigjet Pali. “Gjithçka është e lejueshme, por gjithçka nuk ndërton”, përgjigjet Apostulli; i cili më pas shton: “Askush të mos e kërkojë interesin e vet, por interesin e tjetrit” (1 Kor 10,23-24). Ky është rregulli për demaskimin e çdo lirie egoiste. Edhe atyre që janë të tunduar ta zvogëlojnë lirinë vetëm në shijet e tyre, Pali u vë përpara nevojën e dashurisë. Liria e udhëhequr nga dashuria është e vetmja që i bën të tjerët dhe veten të lirë, që di të dëgjojë pa u imponuar, që di ta dojë të mirën pa detyruar, që ndërton dhe nuk shkatërron, që nuk i shfrytëzon të tjerët për rehatinë e vet dhe u bën atyre mirë pa kërkuar përfitimin e vet. Me pak fjalë, nëse liria nuk është në shërbim – ky është testi – nëse liria nuk është në shërbim të së mirës, ​​rrezikon të jetë shterpë dhe të mos japë fryte. Ndërsa, liria e gjallëruar nga dashuria të çon te të varfrit, duke njohur në fytyrat e tyre atë të Krishtit. Prandaj, shërbimi ndaj njëri-tjetrit i lejon Palit, duke u shkruar Galatasve, të bëjë një nënvizim që nuk është aspak dytësor: kështu, duke folur për lirinë që Apostujt e tjerë i dhanë për të ungjillëzuar, ai thekson se ata i rekomanduan vetëm një gjë: të kujtohet për të varfrit (krh. Gal 2,10). Kjo është interesante. Kur pas asaj lufte ideologjike midis Palit dhe Apostujve ata u morën vesh, çfarë i thanë Apostujt atij?: “Vazhdo, vazhdo dhe mos i harro të varfrit”, domethënë, liria jote si predikues të jetë një liri në shërbim të të tjerëve, jo për veten tënde, për të bërë atë që të pëlqen.

Ne e dimë, në fakt, se një nga konceptet moderne më të përhapura mbi lirinë është ky: “liria ime përfundon aty ku fillon e jotja”. Por këtu mungon marrëdhënia, raporti! Është një pikëpamje individualiste. Ndërsa, kush e ka marrë dhuratën e lirimit të kryer nga Jezusi nuk mund të mendojë se liria ka të bëjë me qëndrimin larg të tjerëve, duke i ndjerë ata si bezdisës, nuk mund ta shohë qenien njerëzore të rrethuar në vetvete me mure, por gjithmonë të futur në një bashkësi. Dimensioni shoqëror është themelor për të krishterët dhe i lejon ata të shikojnë drejt së mirës së përbashkët dhe jo kah interesi privat.

Sidomos në këtë moment historik, ne kemi nevojë të rizbulojmë dimensionin bashkësior, jo individualist, të lirisë: pandemia na ka mësuar se kemi nevojë për njëri-tjetrin, por nuk mjafton ta dimë këtë, ne duhet ta zgjedhim atë çdo ditë konkretisht, të vendosim asaj rruge. Ta themi dhe ta besojmë se të tjerët nuk janë pengesë për lirinë time, por janë mundësia për ta realizuar atë plotësisht. Sepse liria jonë lind nga dashuria e Hyjit dhe rritet në dashuri.

Përkthyer nga Vatican Press

Mond MARKU

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme