15.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa Françesku: Lëvizjet kishtare, pasuri në shërbim të Kishës dhe nevojave të...
HomeKryesorPapa Françesku: Lëvizjet kishtare, pasuri në shërbim të Kishës dhe nevojave të...

Papa Françesku: Lëvizjet kishtare, pasuri në shërbim të Kishës dhe nevojave të botës

Realitetet dhe grupet kishtare janë një dhuratë dhe një pasuri e Kishës. Françesku u kushton atyre nijetin e lutjes për muajin maj dhe u kërkon atyre që t’u përgjigjen sfidave dhe ndryshimeve të botës së sotme, duke shmangur çdo tundim për t’u përkulur mbi vetveten.

“Qëndroni në lëvizje”, “qëndroni në harmoninë e Kishës”, “përgjigjuni sfidave, ndryshimeve të botës së sotme”, gjithmonë “në shërbim”. Papa Françesku ua beson këtë mandat lëvizjeve kishtare. Ai e bëri këtë me anë të videos së publikuar nga Rrjeti Botëror i Lutjes, për muajin maj, në të cilën ai i fton lëvizjet dhe grupet kishtare që të rizbulojnë misionin e tyre ungjillëzues.

Tregoni hijeshinë dhe risinë e Ungjillit

“Lëvizjet kishtare – thotë Ipeshkvi i Romës – janë dhuratë, janë pasuria e Kishës! Kjo gjë jeni ju!”.

Ata e ripërtërijnë Kishën me zotësinë e tyre për dialog në shërbim të misionit ungjillëzues. Ata rizbulojnë çdo ditë, në karizmën e tyre, mënyra të reja për të treguar sharmin dhe risinë e Ungjillit

Kreativiteti, dallimet dhe harmonia

Lëvizjet kishtare, shton Françesku, flasin gjuhë të ndryshme dhe duken të ndryshme, “por është krijimtaria që i krijon këto dallime”, “duke kuptuar gjithnjë veten dhe duke bërë që të kuptohen”. Papa paralajmëron mbi rrezikun e tundimit të përkuljes mbi vetveten dhe kërkon që të punohet gjithmonë “në shërbim të Ipeshkvijve dhe famullive”, “duke qëndruar në harmoninë e Kishës, sepse harmonia është dhuratë e Shpirtit të Shenjtë” dhe “në lëvizje, duke iu përgjigjur impulsit të Shpirtit Shenjt”, sfidave të botës bashkëkohore.

Në shërbim

Lutja e Papës është që lëvizjet dhe grupet kishtare të rizbulojnë misionin e tyre ungjillëzues ditë pas dite “duke i vënë karizmat e tyre në shërbim të nevojave të botës”.

Shumëllojshmëria e karizmave

Videoja është realizuar në bashkëpunim me Dikasterin për Laikët, Familjen dhe Jetën dhe tregon pjesë të jetës së shoqatave të besimtarëve dhe lëvizjeve kishtare: shumë karizma të ndryshme, një mision i vetëm: shpallja e Ungjillit. Nga skautët portugez në shtegtim me kryqin e Ditës Botërore të Rinisë, te Neokatekumenalët e angazhuar në ungjillëzimin në rrugët e qyteteve amerikane; nga misionarët e Shalomit në Madagaskar, tek ata të Bashkim dhe Lirim [Comunione e Liberazione] në Filipine; nga aktiviteti i Horizonteve të Reja [Nuovi Orizzonti] përkrah familjeve të favelave [lagje të varfra] braziliane e deri te komuniteti Papa Gjoni XXIII në Kenia, deri te angazhimi i Shën Egjidios në pritjen e refugjatëve nga Libia të ardhur nëpërmjet korridoreve humanitare. Dhe më tej, përkushtimi i Fokolarëve në pastrimin e plazheve të ndotura në Azinë Juglindore apo lutjet e të rinjve të Lëvizjes Rinore Eukaristike.

Një dhuratë e madhe

“Lëvizjet kishtare – komenton Linda Ghisoni, nënsekretare e Dikasterit të Laikëve, Familjes dhe Jetës – përbëjnë një dhuratë të madhe për Kishën në shoqëritë e sotme dhe janë të thirrura që të mos mbyllen kurrë në vetvete, por ta jetojnë thirrjen dhe misionin e tyre autentik kishtar”.

Në lëvizje

Nga ana e tij, At’ Frédéric Fornos S.J., drejtor ndërkombëtar i Rrjetit Botëror të Lutjeve të Papës, thekson se si Françesku ndalet mbi nevojën për të qëndruar “në lëvizje” duke zgjuar sipas karizmës së çdo realiteti, “misionin ungjillëzues të Kishës të shumë laikëve të angazhuar për të jetuar dhe dëshmuar për Ungjillin në realitetet e zakonshme të jetës, në punë, në fushën edukative, sociale dhe kulturore”. “Le ta shoqërojmë Papa Françeskun në këtë nijet të rëndësishëm të lutjes dhe të lutemi si Gjon Pali II – përfundon At’ Fornos – në pritje të festës së Rrëshajëve: Eja Shpirt i jetës, Shpirt i së vërtetës, Shpirt bashkimi dhe dashurie! Kisha dhe bota kanë nevojë për Ty. Eja Shpirt i Shenjtë dhe bëji gjithnjë e më të frytshme karizmat që ke dhuruar me bollëk”.

Videoja e Papës është një nismë zyrtare globale për të shpërndarë nijetet mujore të Atit të Shenjtë për lutjen. Që nga viti 2016, videoja e Papës është parë më shumë se 196 milionë herë në të gjitha rrjetet sociale të Vatikanit. Është përkthyer në 23 gjuhë dhe ka mbulim shtypi në 114 vende.

Video e Papa Françeskut

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme