26.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa Françesku: Barazia në Krisht i mposht dallimet tona
HomeKryesorPapa Françesku: Barazia në Krisht i mposht dallimet tona

Papa Françesku: Barazia në Krisht i mposht dallimet tona

Në Audiencën e Përgjithshme të së Mërkurës, Papa Françesku thekson barazinë e të gjithë të krishterëve në Krishtin, duke vënë në dukje se kushdo që e pranon Krishtin në besim, e ka “veshur” Krishtin dhe dinjitetin e Tij birësor nëpërmjet pagëzimit.

Duke vazhduar katekezën e tij mbi Letrën e Shën Palit drejtuar Galatasve gjatë Audiencës, Papa Françesku vuri në dukje këmbënguljen e apostullit ndaj të krishterëve për të mos harruar risinë e zbulesës së Zotit që u ishte shpallur atyre.

AUDIENCA E PËRGJITHSHME: Katekeza mbi Letrën drejtuar Galatasve – 8. Jemi bijtë e Hyjit

Vëllezër e motra, mirëdita!

Ne vazhdojmë itinerarin tonë për thellimin e besimit – të fesë sonë – nën dritën e Letrës së shën Palit drejtuar Galatasve. Apostulli këmbëngul me ata të krishterë që të mos e harrojnë risinë e zbulesës së Hyjit që u është kumtuar atyre. Në përkim të plotë me Gjonin ungjilltar (krh. 1 Gjn 3,1-2), Pali thekson se feja në Jezu Krishtin na ka lejuar të bëhemi përnjëmend fëmijë të Hyjit dhe gjithashtu trashëgimtarët e tij. Ne të krishterët shpesh e marrim për të mirëqenë këtë realitet të të qenurit bij të Hyjit. Është më mirë të kujtojmë gjithmonë me falënderje momentin në të cilin u bëmë të atillë, atë të pagëzimit tonë, në mënyrë që ta jetojmë me më shumë vetëdije dhuratën e madhe që kemi marrë.

Nëse sot do të pyesja: cili prej jush e di datën e pagëzimit të vet, besoj se duart e ngritura nuk do të ishin të shumta. Mirëpo, është data në të cilën u shpëtuam, është data në të cilën ne u bëmë bijtë e Hyjit. Tani, ata që nuk e dinë atë duhet të pyesin nunin, nuneshën, babain, nënën, xhaxhain, tezen: “Kur jam pagëzuar?”; dhe ta kujtoni çdo vit atë datë: është data në të cilën ne u bëmë fëmijë të Hyjit. Jemi dakord? Do ta bëni këtë? [ata përgjigjen: po!] Është një “po” ashtu-ashtu, eh? [qeshin] Le të vazhdojmë …

Njëmend, si «të ketë mbërritur feja» në Jezu Krishtin (rr. 25), krijohet ajo gjendje rrënjësisht e re e cila të vendos në bijësinë hyjnore. Bijësia për të cilën flet Pali nuk është më ajo e përgjithshme që përfshin të gjithë burrat dhe gratë si bij dhe bija të një Krijuesi të vetëm. Në pjesën që kemi dëgjuar ai pohon se feja na lejon të jemi bij të Hyjit «në Krishtin» (rr. 26): kjo është risia. Është kjo “në Krishtin” që bën ndryshimin. Jo vetëm bijtë e Hyjit, si të gjithë: të gjithë burrat dhe gratë janë fëmijë të Hyjit, të gjithë, pavarësisht fesë që kanë. Jo. Porse “në Krishtin” është ajo që bën ndryshimin te të krishterët, dhe kjo ndodh vetëm në pjesëmarrjen në shëlbimin e Krishtit dhe, në ne, në sakramentin e Pagëzimit, kështu fillon. Jezusi është bërë vëllai ynë, e me vdekjen dhe ringjalljen e tij ai na ka pajtuar me Atin. Kush e pranon Krishtin në fe, për hir të Pagëzimit, “vishet” me Të dhe me dinjitetin birnor (krh. rr. 27).

Shën Pali në Letrat e tij i referohet disa herë Pagëzimit. Për të, të qenurit i pagëzuar është i barasvlershëm me pjesëmarrjen në një mënyrë efektive dhe të njëmendtë në misterin e Jezusit. Për shembull, në Letrën drejtuar Romakëve ai madje do të arrijë deri aty sa të thotë që, në Pagëzim, ne vdiqëm me Krishtin dhe u varrosëm bashkë me të për të jetuar me të (krh. 6,3-14). Të vdekur me Krishtin, të varrosur me të për të jetuar me të. Ky është hiri i Pagëzimit: të marrësh pjesë në vdekjen dhe ngjalljen e Jezusit. Prandaj, Pagëzimi nuk është thjesht një rit i jashtëm. Ata që e marrin atë shndërrohen në thellësi, në palcën e qenies dhe kanë një jetë të re, pikërisht atë që ua lejon atyre t’i drejtohen Hyjit dhe ta thërrasin me emrin “Abbà”, domethënë “babi”. “Atë”? Jo, por “babi” (krh. Gal 4,6).

Apostulli pohon me guxim të madh se identiteti që është marrë me Pagëzim është krejtësisht i ri, i tillë sa që të mbizotërojë mbi dallimet që ekzistojnë në planin etniko-fetar. Domethënë, ai e shpjegon kështu: «Nuk ka hebre apo grek»; dhe gjithashtu në atë shoqëror: «Nuk ka më: skllav – i lirë!; nuk ka më: mashkull – femër!»(Gal 3,28). Këto shprehje shpesh lexohen me të shpejtë, pa e kuptuar vlerën revolucionare që zotërojnë. Për Palin, t’u shkruante galatasve se në Krishtin “nuk ka as hebre as grek” ishte e barasvlershme me një përmbysje të mirëfilltë në sferën etnike-fetare. Judeu, për faktin se i përkiste popullit të zgjedhur, ishte i privilegjuar para paganit (krh. Rom 2,17-20), dhe vetë Pali e pohon këtë (krh. Rom 9,4-5). Prandaj, nuk është për t’u habitur që ky mësim i ri i Apostullit të mund të tingëllonte si heretik. “Po, si janë të gjithë njësoj? Ne jemi të ndryshëm!”. Tingëllon pak heretike, apo jo? Edhe barazia e dytë, midis “të lirëve” dhe “skllevërve”, hap perspektiva vramendëse. Për shoqërinë e lashtë, dallimi midis skllevërve dhe qytetarëve të lirë ishte jetik. Këta të fundit gëzonin të gjitha të drejtat me ligj, ndërsa skllevërve nuk u njihej as dinjiteti njerëzor. Kjo ndodh edhe sot: ka shumë njerëz në botë, shumë, miliona, të cilët nuk kanë të drejtë të hanë, nuk kanë të drejtë për arsimim, nuk kanë të drejtë të punojnë: janë skllevërit e rinj, janë ata që gjenden në periferi, të cilët shfrytëzohen nga të gjithë. Edhe sot ka skllavëri. Le të mendojmë për këtë. Ne u mohojmë këtyre njerëzve dinjitetin njerëzor, janë skllevër. Kështu, në fund, barazia në Krishtin kapërcen edhe dallimin shoqëror midis dy gjinive, duke vendosur një barazi midis burrave dhe grave, që asokohe ishte revolucionare, dhe që duhet të ripohohet edhe sot. Sa herë dëgjojmë shprehje që përçmojnë gratë! Sa herë kemi dëgjuar: “Jo, mos bëj atë gjë, [ato janë] punë grash”. Por shikoni se burri dhe gruaja kanë të njëjtin dinjitet, dhe, në histori, edhe sot, ekziston një skllavëri e grave: gratë nuk kanë të njëjtat mundësi si burrat. Ne duhet të lexojmë atë që thotë Pali: jemi të barabartë në Krishtin Jezus.

Siç mund të shihet, Pali pohon unitetin e thellë që ekziston midis të gjithë të pagëzuarve, në çfarëdo gjendje përkatësie, qofshin burra apo gra, janë të barabartë, sepse secili prej tyre, në Krishtin, është një krijesë e re. Çdo dallim bëhet dytësor në krahasim me dinjitetin e të qenurit bij të Hyjit, i cili me dashurinë e tij realizon një barazi të vërtetë dhe thelbësore. Të gjithë, nëpërmjet shëlbimit të Krishtit dhe Pagëzimit që kemi marrë, jemi të barabartë: bij dhe bija të Hyjit. Njëlloj.

Vëllezër dhe motra, ne jemi të thirrur në një mënyrë më pozitive për të jetuar një jetë të re e cila gjen shprehjen e saj themelore në bijësinë e Hyjit. Të barabartë sepse jemi bijtë e Hyjit dhe jemi bij të Hyjit sepse na ka shëlbuar Jezu Krishti dhe ne jemi përfshirë në këtë dinjitet përmes Pagëzimit. Është gjithashtu vendimtare për të gjithë ne, sot, që të rizbulojmë bukurinë e të qenurit bij të Hyjit, e të qenurit vëllezër e motra mes nesh sepse kemi hyrë Krishtin që na ka shëlbuar. Dallimet dhe kontrastet që krijojnë përçarje nuk duhet të zënë vend te besimtarët në Krishtin. Njëri nga Apostujt, në Letrën e Jakobit, thotë kështu: “Bëni kujdes me dallimet, sepse nuk jeni të drejtë kur dikush që mban një unazë ari dhe është i veshur mirë hyn në asamble (domethënë në Meshë), e ju thoni: ‘Ah, hajde, hajde!’, dhe e bëni të ulet në kryet e vendit. Pastaj, kur hyn dikush tjetër i cili, i gjori, mezi mbulohet dhe shihet se është i varfër deri ku s’shkon më, thoni: ‘po, po, uluni atje, në fund’”. Ne i bëjmë këto dallime, shumë herë, në një mënyrë të pavetëdijshme. Jo, jemi njësoj. Thirrja jonë është që ta bëjmë konkrete dhe të dukshme thirrjen për unitet të mbarë gjinisë njerëzore (krh. Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. Lumen Gentium, 1). Çdo gjë që i përkeqëson dallimet midis njerëzve, duke shkaktuar shpesh diskriminime, e gjithë kjo, para Hyjit, nuk qëndron, falë shpëtimit të realizuar në Krishtin. Ajo që vlen është feja që vepron duke ndjekur rrugën e unitetit të treguar nga Shpirti Shenjt. Përgjegjësia jonë është të ecim me vendosmëri në këtë rrugë barazie, por ajo barazi e cila mbështetet, e cila erdhi nga shëlbimi i Jezusit.

Faleminderit! Mos harroni, kur të ktheheni në shtëpi, pyesni: “Kur jam pagëzuar?”. Pyesni, që ta mbani mend gjithmonë atë datë; dhe gjithashtu festoni kur të vijë data. Faleminderit!

Marrë nga Vatican News

Mond MARKU

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme