8.5 C
Tirana
HomeKISH“Pajtohuni me Hyjin!”
HomeKISH“Pajtohuni me Hyjin!”

“Pajtohuni me Hyjin!”

Dom Mark Pashkja
Zëdhënës i KISH

Me këtë shprehje të Palit, të apostullit të popujve, do të niste misionin e tij Imzot Angelo Massafra, në tokën e cila Zotin e kishte shpallur armik dhe të ndaluar. Me dëshirën për të jetuar dhe për të punuar në shërbim të pajtimit, ai mori anijen drejt Lindjes dhe mbërriti në tokën ku kishte rrënjët e tij arbëreshe. Ai la provincën e tij françeskane për t’u vendosur si misionar në Lezhë dhe më pas për t’u zgjedhur edhe ipeshkëv në Kishën tonë martire.

Gjatë viteve të tij të para në Provincën Françeskane pati mundësinë të njihej pothuajse me të gjithë françeskanët e mbijetuar prej torturave të sistemit komunist. Kjo i shtoi atij jo vetëm dashurinë për Kishën tonë, por edhe zellin për të zbardhur dhe për të nderuar jetën dhe veprën e martirëve të Shqipërisë. I shuguruar meshtar më 21 shtator 1974, pjesën më të madhe të meshtarisë së tij e kaloi në shërbim të Kishës në vendin tonë.

I emëruar ipeshkëv i Rrëshenit dhe më pas Arqipeshkëv i Shkodrës, iu desh që gjatë këtyre kohërave të vendosej përpara shumë sfidave, me të cilat u përball Kisha dhe kombi ynë. Ai e udhëhoqi Kishën dioqezane të Shkodër-Pultit në situata shumë komplekse të shoqërisë shqiptare në kohën e tranzicionit. Kriza e vitit 1997, lufta e Kosovës, ndërtimi i strukturave kishtare dioqezane dhe kombëtare, luftimi i fenomeneve të ndryshme, si: gjakmarrja, trafikimi i qenieve njerëzore dhe kultivimi i lëndëve narkotike ishin disa prej nismave që karakterizuan episkopatin e imzot Massafrës në Shqipëri.

Gjatë gjithë kësaj kohe, në cilësinë edhe të kreut të Konferencës Ipeshkvnore, ai u kujdes që të ruante dhe të promovonte klimën ekumenike dhe dialogun ndërfetar, në mënyrë që të ruhej me fanatizëm “vllazëria fetare”, karakteristikë tradicionale e vendit tonë. Në këtë kontekst, ai personalisht ruajti marrëdhënie mjaft korrekte me të gjithë udhëheqësit e besimeve të tjera, si dhe me përfaqësitë e institucioneve të shtetit shqiptar.

Mes shumë çasteve që karakterizojnë mandatin ipeshkvor të imzot Angelos, pa diskutim, lumturimi i martirëve është një çast i ndritur dhe i paharrueshëm. Ngjarje madhështore, qoftë në aspektin personal, qoftë edhe në atë kishtar. Sigurisht që pas kësaj ngjarjeje unike në Kishën tonë të vogël në numër, qëndron puna e tij e përkushtuar, e palodhur, shumëvjeçare dhe e zhvilluar me një dashuri të madhe.

Në këtë kontekst, me rastin e 50-vjetorit të meshtarisë së tij, në mënyrë të veçantë Kisha lokale në Shkodër-Pult dhe mbarë Kisha në vendin tonë falënderon Zotin për jetën dhe meshtarinë e imzot Angelo Massafrës dhe i shpreh atij urimet më të përzemërta.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme