Nga Dom Gjergj META
Shën Gjon Maria Vianney, që festohet sot, është një shenjt i kohëve të tjera. Me kategoritë e sotshme mund ta quajmë neurotik e ndoshta dhe një model i tejkaluar meshtari. Me siguri shumë gjëra kanë ndryshuar nga ajo kohë, por në jetën e tij kemi se ç’ka mësojmë ne meshtarë e sotshëm.
Së pari LUTJA. Frenetizmi i kohës dhe ngarkesat e shumta baritore apo ekzistenciale duken “shkaqe” të forta për ta lënë lutjen për një kohë tjetër. Por një meshtar që nuk lutet është një meshtar i vdekur. Të gjesh kohë për heshtjen, meditimin, vetminë e takimit me Hyjit, është për një meshtar po aq e rëndësishme sa oksigjeni që thithim për të jetuar.
Së dyti VARFËRIA. Të varfërit nuk janë një kategori sociale. Jemi të gjithë ne, të vetëdijshëm për kalueshmërinë e jetës tonë. Po ashtu janë ata që në mesin tonë janë më nevojtarë. Të jetosh i varfër sipas ungjillit e të jesh pranë të varfërve socialë është themelore në jetën e një meshtari, pasi ka të bëjë me esencën e të përngjamit të Krishtit i cili u bë i varfër që të na bënte ne të pasur.
Së treti GATISHMËRIA. Ndaj kishës dhe ndaj “shpirtrave” dmth ndaj atyre që i janë besuar përkujdesjes së një meshtari. Gatishmëri do të thotë afërsi, empati, krijim hapësirash përkujdesjeje ndaj atyre që na janë besuar në shërbimin tonë.
Të gjithë meshtarëve iu uroj festën e shën Gjon Maria Vianney-it, Pajtor i famullitarëve! Zoti na dhashtë meshtarë të zellshëm për Mbretërinë e Hyjit dhe shëlbimin e shpirtrave!