Sot ishte një ditë e veçantë për Dioqezën tonë, një takim drite dhe shprese, një hap i rëndësishëm në rrugëtimin e besimit të shumë katekumenëve që po përgatiten të marrin Pagëzimin të cilët janë 23. Ata vijnë nga Elbasani, Berati, Korça dhe zona e Devollit.
Në praninë e Ipeshkëvit tonë të dashur, përjetuam një moment bashkimi të thellë, dëgjimi dhe lutjeje, duke u ndjerë pjesë e një familjeje të madhe në Krishtin.


Mesha e Shenjtë ishte një shenjë e prekshme e pranisë së Zotit, i cili thërret dhe mirëpret secilin prej nesh me dashuri të pafund. Të shohësh këta vëllezër e motra që i afrohen gjithnjë e më shumë dritës së Krishtit është një dhuratë e pamasë, një dëshmi e gjallë që Ungjilli vazhdon të transformojë zemrat dhe jetët mbi të gjitha atë të Katekumenti.
Katekumeni është ai që, duke iu përgjigjur thirrjes së Zotit, ndërmerr një udhëtim besimi për t’u bërë pjesë e gjallë e Kishës nëpërmjet Pagëzimit. Ai është një pelegrin i Shpirtit, një kërkues i së vërtetës, një zemër e etur për dritën e Krishtit. Rruga e tij nuk është thjesht një mësim i doktrinave, por një përvojë e thellë e takimit me Zotin, që e transformon jetën nga brenda.
Të jesh katekumen do të thotë të lini veten të formoheni nga Fjala e Zotit, të mirëpritni Ungjillin me zemër të hapur dhe të përgatiteni për të marrë sakramentet e nisjes së Krishterë. Është një udhëtim kthimi, dëgjimi dhe rritjeje në bashkësinë kishtare, ku çdo hap shoqërohet me hirin dhe lutjen e Kishës.
Katekumeni na kujton se besimi është një dhuratë, por edhe një përgjigje e lirë dhe e vetëdijshme ndaj dashurisë së Zotit, Ai na fton të rizbulojmë çdo ditë bukurinë e thirrjes sonë të krishterë dhe të ripërtërijmë po-në tonë ndaj Krishtit, i cili është Rruga, e Vërteta dhe Jeta.
Ne lutemi që rruga e tyre të ndriçohet nga Shpirti i Shenjtë dhe të shoqërohet nga komunitet tona me dashuri dhe mbështetje. Le ta jetojnë me gëzim këtë kohë përgatitjeje, të sigurt se dita e Pagëzimit do të shënojë fillimin e një jete të re në Krishtin, plot hir dhe dashuri.
Zoti e bekoftë secilin prej tyre dhe na dhëntë gjithmonë forcën për të qenë dëshmitarë autentikë të dritës së Tij në botë.