8.5 C
Tirana
HomeKISHNjë meshtar si Ai…
HomeKISHNjë meshtar si Ai…

Një meshtar si Ai…

Dom Mark Pashkja
Zëdhënës i KISH

Don Gianfrancon nuk e njoh personalisht, përveç ndonjë përshëndetjeje formale në takime të ndryshme, situatat baritore kanë ndikuar që rrugëtimet tona të mos kryqëzoheshin asnjëherë. I ardhur në Shqipëri para rrethe 25 viteve, ai zgjodhi që të ishte misionar në një prej zonave më sfiduese në të gjitha aspektet sikurse ishte ajo e Matit. Besoj se përveç strukurave kishtare, atij ju desh që të ndërtonte dhe transmetonte edhe figurën e meshtarit në një terren ku meshtarët kishin munguar me dekada. Edhe pse vinte nga një kishë e mirëorganizuar në detaje, siç ishte ajo e Brescias, zgjodhi të niste dhe vazhdonte misionin e tij në periferinë e periferive, larg shumë privilegjeve që automatikisht të ofrojnë zonat tradicionale me një mazhorancë katolike.

Në heshtje, larg vëmendjes së opinionit publik, ai për vite me radhë shërbeu në mënyrë herioke për edukimin dhe ndihmën e njerëzve pa dallim besimi apo statusi shoqëror. Nuk ishte e vështirë të dalloje në të qetësinë shpirtërore, mprehtësinë mendore dhe aftësinë këshilluese që karakterizonte personin e tij. Për këtë dhe jo vetëm, para disa viteve u emërua nga ipeshkvinjt e Shqipërisë që të ishte atë shpirtëror në Seminar, aty ku formohen dhe përgatiten meshtarët e ardhshëm. Ndërkohë që vazhdonte në heshtje dhe përkushtim punën e tij, në një prej takimeve të tija këshilluese, shëndeti i tij u ligshtua për të zbuluar se vuante nga një sëmundje jo e lehte. Sigurisht një vend si i yni nuk mund të ofronte mbeshetjen e duhur klinike për ndjekjen e tij.

Ai u drejtua drejt vendlindjes së tij për t’ju nënshtruar kurimit. Kurim i cili përveç pasojave të rënda fizike, përmban në vetvete edhe një kalvar shpirtëror, psikologjik por edhe moral. Në mendjen e secilit që u vu në dijeni për këtë lajm, përfshirë edhe mua personalisht, ishte siguria se misioni i tij në vendin tonë përfundoi. Por nuk mendonte kështu Don Gianfranco. I ulur në një karrige me rrota, me stolën meshtarake hedhur supeve, me trupin e tij dukshem nën efektin e terapive të cilat nuk i kanë marrë buzëqeshjen, bashkëkremton meshën në Kishën e Suçit, në atë kishë të cilën e ka ndertuar vetë… Padyshim fjalët janë shumë të varfra për të përshkruar këtë skenë në dukje normale në anormalitetin e saj.

Ai u rikthye përsëri, po aty, në misionin e tij, tek njerëzit e vet, pa marrë parasysh asgjë, përtej vetes, përtej logjikës njerëzore. Nëse për shumë njerëz figura dhe jeta e meshtarit është e pakuptueshme, Don Gianfranco është dy herë i pakuptueshëm. Mbase është defekti i njeriut të sotëm që me racionalitet kërkon të shpjegojë dhe të përligji gjithçka. “Zemra ka arsyet e veta që mendja nuk i kupton”,- thoshte Paskal disa shekuj më parë, si për të treguar se dashuria nuk mund të shjegohet e as nuk mund të kuptohet, ashtu si figura e meshtarit, ashtu si Don Gianfranco. Në atë karrige me rrota, në altarin e Suçit, nuk është thjesht don Gianfranco Cadinelli, por mbi gjithçka është mishërimi i dashurisë pa kushte, përtej limiteve, deri në fund, si Ai…

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme