Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka një Barit të ri, dhe bashkë me të, vendi ynë ka fituar një bashkëudhëtar tjetër në rrugën e dialogut ekumenik dhe ndërfetar. Me këtë frymë vëllazërore, Presidenti i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Hirësia e Tij Imzot Gjergj Meta, i ka drejtuar një mesazh urimi Fortlumturisë së Tij, Kryepiskop Joan Pelushit, duke e përgëzuar për këtë shërbesë të re dhe duke i shprehur mbështetjen e Kishës Katolike në Shqipëri.
Në vijim, letra e plotë e Presidentit të Konferencës Ipeshkvore për Kryepiskopin e ri të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë.

Fortlumturia Juaj,
I dashur vëlla Joan,
Me gëzim të madh mora lajmin e zgjedhjes Tuaj nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë si Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë. Gëzohem bashkë me Ju Fortlumturi e me të gjithë besimtarët orthodhoksë të Shqipërisë e Ju bëj urimet më të sinqerta e vëllazërore, në emër të të gjithë ipeshkvinjve katolikë të Shqipërisë dhe të besimtarëve katolikë. I denjë!
Fortlumturi e nderuar, janë ende të freskëta në secilin prej nesh ditët që shoqëruam me lutje, në sëmundje dhe në momentin e fjetjes me Zotin, Fortlumturinë e Tij, Anastasi. Figura e tij është dhe mbetet një gurthemeli, jo vetëm për Kishën Orthodhokse, por për të gjithë kombin tonë e për bashkësitë fetare në vend.
Tani Kisha Orthodhokse ka një Barit të ri e ne të gjithë kemi fituar një bashkëudhëtar tjetër në rrugën e dialogut ekumenik e të atij ndërfetar në vendin tonë. E lusim Shpirtin e Hyjit që të qëndrojë gjithmonë mbi Ju e të jeni një Bari i mirë dhe i shenjtë për besimtarët orthodhoksë e një zë i fuqishëm e bashkëpunues me të gjithë faktorët fetarë e civilë të shoqërisë tonë.
Ne ju shoqërojmë e ofrojmë bashkëpunimin dhe afërsinë tonë si Kishë Katolike për Ju dhe për të gjithë komunitetin tuaj. Po ashtu presim me padurim që të vazhdojmë së bashku punën në rrugën e dialogut dhe të harmonisë midis besimeve fetare në Shqipëri.
Zoti ju bekoftë dhe Hyjlindësja ju mbrojttë!
Vëllazërisht në Krishtin
+ Gjergj Meta
Ipeshkëv i Rrëshenit
President i Konferencës Ipeshkvore