Publikohet Dekreti i Dikasterit vatikanas për Kultin Hyjnor, me të cilin Papa, duke pranuar kërkesat dhe dëshirat e meshtarëve, rregulltarëve dhe besimtarëve, shënon në kalendarin liturgjik shenjten shqiptare, kanonizuar në vitin 2016. Kremtimi i përkujtimit liturgjik fakultativ mbetet 5 shtatori, që duhet përfshirë në të gjithë kalendarët dhe librat liturgjikë për kremtimin e meshës dhe të liturgjisë së orëve
Është shenjte që prej nëntë vitesh, e Lume prej njëzet e dy, por të gjithë e quajnë ende “Nënë Tereza”, sepse – siç pati thënë Papa Françesku në meshën e kanonizimit të saj, më 4 shtator 2016 – “shenjtëria e saj është kaq e afërt me ne, kaq e dhembshur dhe e frytshme, sa që do të vazhdojmë spontanisht ta quajmë “Nënë””. Pikërisht për ndikimin e fuqishëm, që ka mbi miliona besimtarë në gjithë botën, përshpirtëria e asaj, e cila e quante veten “laps i vogël në duart e Zotit”, Papa Françesku e shkruan emrin e Shën Terezës së Kalkutës, murgeshës shqiptare të bamirësisë, në Kalendarin e Përgjithshëm Romak, i cili rregullon përkujtimet dhe kremtimet e vitit liturgjik. Ati i Shenjtë mori parasysh kërkesat e dëshirat e shumë ipeshkvijve, meshtarëve, rregulltarëve dhe besimtarëve, që e kremtojnë shenjten më 5 shtator, ditën e vdekjes së saj më 1997. Kjo mbetet edhe dita e përkujtimit liturgjik fakultativ, vendosur nga Papa.
Dekreti
Ky përkujtim, thuhet në Dokumentin vatikanas, “duhet të hyjë në të gjithë kalendarët dhe librat liturgjikë për kremtimin e Meshës dhe të Liturgjisë së Orëve, duke përdorur tekstet liturgjike të bashkangjitura me këtë dekret, të cilat duhet të përkthehen, të miratohen” dhe, pas konfirmimit nga Dikasteri, “të botohen nga Konferencat Ipeshkvnore”. Në tekst, përvijohet edhe një profil i veprimtares së palodhur të bamirësisë, Ganxhe Bojaxhiut, e cila ia kushtoi gjithë jetën e saj punës për t’u kthyer dinjitetin atyre, që nuk e kishin.
Burim shprese
Shpallur shenjte më 2016, emri i Nënë Terezës “nuk pushon kurrë së shndrituri si burim shprese për kaq shumë njerëz, që kërkojnë ngushëllim për mundimet e trupit dhe të shpirtit”, nënvizohet në Dekret, ku përmendet një fragment nga Ungjilli sipas Markut (Mk 10,43) e, pikërisht, fjalët e Jezusit kur thotë: “Kushdo prej jush që do të jetë më i madh, le të bëhet shërbëtori juaj”, si parim udhërrëfyes i veprës së Nënë Terezës. “Duke e jetuar rrënjësisht dhe duke e shpallur me guxim Ungjillin, Shën Tereza e Kalkutës është dëshmitare e dinjitetit dhe e privilegjit të shërbimit të përvuajtur. Duke zgjedhur të mos jetë thjesht më e vogla, por shërbëtore e më të vegjëlve, ajo u bë model i mëshirës dhe ikonë e vërtetë e Samaritanit të Mirë”, shkruhet më tej në dokumentin vatikanas. “Vërtet, mëshira ishte për të “kripa”, që u jepte shije të gjitha veprave të saj dhe “drita”, që ndriçonte errësirën e atyre, të cilët s’kishin më as lot për të derdhur për varfërinë dhe vuajtjen e tyre”. “Thirrja e Jezusit në kryq, ‘Kam etje’ (Gjn 19,28), depërtoi në pjesën më të thellë të shpirtit të Terezës. Prandaj, gjatë gjithë jetës së saj, ajo iu përkushtua plotësisht shuarjes së etjes së Jezu Krishtit për dashuri dhe për shpirtra, duke i shërbyer atij ndër më të varfërit e të varfërve. Plot me dashurinë e Hyjit, ajo e rrezatonte, me po atë masë, dashurinë e Zotit për të tjerët”, nënvizon Dekreti i Dikasterit për Kultin Hyjnor.
Shpallja shenjte më 2016
E lindur më 26 gusht 1910, në Shkup, Nënë Tereza filloi misionin e saj në Kalkutë në vitin 1929. Pasi u largua nga Motrat e Loretos, në vitin 1950, themeloi Kongregatën e Misionareve të Dashurisë, e cila sot ka mbi gjashtë mijë murgesha në botë, aktive në 130 vende, duke filluar nga më të varfrit dhe më të pazhvilluarit. Në vitin 1979, murgeshës shqiptare iu dha Çmimi Nobel për Paqen dhe ajo kërkoi që shuma t’u dhurohej të varfërve. Ndërroi jetë në vitin 1997 në Kalkutë, pasi vizitoi edhe Shqipërinë e saj, pas rënies së komunizmit, duke hapur shtëpitë e motrave të Nënë Terezës, që i shërbejnë edhe sot popullit, por sidomos i mësojnë, me shembullin e tyre, dhembshurinë e mëshirën me të cilën duhet të kujdeset për nevojtarët.
Shën Gjon Pali II – me të cilin Nënë Tereza krijoi miqësi vëllazërore, duke e shoqëruar edhe në udhëtimin e tij në Shqipëri, në vitin 1993 – e vendosi në radhët e të Lumëve më 19 tetor 2003. Një tjetër Papë, Françesku, i cili nuk e ka fshehur kurrë admirimin e tij për shenjtoren, e kanonizoi në sheshin e Shën Pjetrit mbushur me njerëz nga pesë kontinentet, më 4 shtator 2016. Nuk ishte një vit i rastësishëm, ishte Jubileu i Mëshirës, të cilën, siç tha Papa në homeli, Nënë Tereza e shpërndau me bujari gjatë gjithë jetës, përmes “mirëpritjes dhe mbrojtjes së jetës njerëzore, asaj së palindurës dhe asaj, që braktiset e hidhet”, duke u përkulur “mbi të rraskapiturit, që lihen të vdesin në anë të rrugës, duke ua njohur dinjitetin dhënë prej Zotit”, duke bërë t’i dëgjohej “zëri nga të pushtetshmit e kësaj bote, që t’i kuptonin fajet e tyre para krimeve të varfërisë, krijuar nga ata vetë”.