5.5 C
Tirana
HomeKisha UniversaleNënë Tereza dhe Kisha. Çfarë raporti?
HomeKisha UniversaleNënë Tereza dhe Kisha. Çfarë raporti?

Nënë Tereza dhe Kisha. Çfarë raporti?

Në një kohë kur skena publike mbizotërohej nga ndasi të thella ideologjike, kur perdja e hekurt ishte në qendër të horizontit botëror, në një kontekst të pushtuar nga frika e përballjes titanike ndërmjet Bllokut Lindor dhe atij Perëndimor, në mënyrë progresive, pa zhurmë, shfaqet silueta e një gruaje të vogël.

E vendosur në Lindjen e Largët, solli shumë afër një realitet që dihej por që jo fort dëgjohej, nga zhurma e diskutimeve politike dhe ushtarake. Ndërkohë që Kisha mes entuziazmit dhe pasigurisë përpiqej të vendoste në jetë ndryshimet epokale të Koncilit të Dytë të Vatikanit, ajo u fut në zemër të saj nëpërmjet veprës praktike, e cila, edhe pse në heshtje, ushtoi fuqishëm, edhe atje ku as vetë Kisha strukturalisht nuk mund të arrinte. Nëse në Evropën e viteve ’60-’70 Kisha gjendej përballë një beteje konceptuale të ashpër në rrafshin etiko-moral, ajo tashmë ishte në fushëbetejen ku vendoseshin në pikëpyetje jo konceptet, por elementet ekzistenciale njerëzore.

Kur fama e saj pushtoi globin e çdo shtet rrekej ta bënte të vetën, vendi të cilit i përkiste, e refuzonte me urrejtje patologjike praninë e saj. Rënia e murit të Berlinit dhe liria që ai solli, bëri të mundur që fizikisht dhe jo vetëm, Nënë Tereza të kalonte çdo kufi. Bashkë me kufijtë gjeografikë, ajo kaloi edhe kufijtë kishtarë e kulturorë. Universaliteti i figurës së saj çoi drejt ndërtimit të një kulti ndaj personit të saj, shpeshherë duke harruar edhe burimin që shërbeu si motor për veprën e saj.

Në këtë mënyrë, duke iu veshur petku i humanistes, i çmimit Nobel, apo edhe i modelit të gruas së shek. XIX, rrezikon të lihet paksa në hije lidhja me Kishën si realitet themelor dhe i pazëvendësueshëm i misionit të saj. Jeta, misioni dhe krejt veprimtaria e Nënë Terezës mund të kuptohet plotësisht vetëm e lidhur me Kishën. Në të mund të gjendet burimi dhe motori i veprimtarisë së saj. Në fakt, gjithçka që i atribuohet personit të saj është ajo çka karakterizon Kishën në misionin e përditshëm: dashuria, bamirësia, paqja, falja, pajtimi. Gjithçka që Nënë Tereza transmetoi në mënyrë unike në personin e saj, janë fryt i një përvoje kishtare të jetuar nga vetë ajo. Jo më kot historia nis brenda një meshe në kishën e Letnicës. Thirrja e saj lind brenda Kishës, zhvillohet në të dhe bëhet mishërimi i saj. Universaliteti i misionit të saj është shprehje e universalitetit thirror e veprues të vetë Kishës. Ashtu si përvoja kishtare formësoi plotësisht Nënë Terezën, pa Kishën do të kishim një botëkuptim shumë të pjesshëm të saj. Jo rastësisht vendi ku vazhdon në mënyrën më besnike e autentike të mundshme misioni i saj është po Kisha me anë të motrave të Nënë Terezës: Misionareve të Bamirësisë.

Është Kisha që i dhuron botës Nënë Terezën dhe ajo me veprën e vet tregon madhështinë e Kishës. Vetëm në këtë optikë mund të shpjegohet raporti i ngushtë mes saj dhe Papëve të kohës. Në të pajtohet në përsosmëri përmasa personale dhe përbashkuese e të jetuarit në Kishë. Krenaria për Gonxhe Bojaxhiun nuk duhet të qëndrojë vetëm në prejardhjen kombëtare të një individi që u bë i madh, por të njërës prej nesh, e cila përfitoi lartësimin e nderimin  më të madh të mundshëm nga Kisha.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme