8.5 C
Tirana
HomeKryesorNagorno Karabakh, apel i CCEE-së për tejkalimin e emergjencës humanitare
HomeKryesorNagorno Karabakh, apel i CCEE-së për tejkalimin e emergjencës humanitare

Nagorno Karabakh, apel i CCEE-së për tejkalimin e emergjencës humanitare

Duke parë me shqetësim urgjencën humanitare që po ndodh në Nagorno Karabakh, Presidenca e Këshillit të Konferencave Ipeshkvore të Evropës (CCEE) bashkohet me thirrjet e përsëritura të Papës për një zgjidhje të negociuar në rajonin i cili ka qenë në qendër të konfliktit për një kohë shumë të gjatë tashmë dhe i kërkon Bashkësisë Ndërkombëtare të lehtësojë urgjencën humanitare të qindra mijëra njerëzve të larguar.

Sipas të dhënave të fundit, janë rreth 100 mijë njerëz të etnisë armene që janë larguar nga Nagorno Karabakh. Rajoni, i kontrolluar nga Azerbajxhani, por me një komponent të lartë armen, ka qenë objekt i një mosmarrëveshjeje ndërkombëtare për rreth 30 vjet, duke vënë në rrezik edhe trashëgiminë e krishterë në rajon. Pas konfliktit të vitit 2020, i cili çoi në një paqe të dhimbshme për Armeninë me humbjen e kontrollit të territoreve të disa manastireve historike, për muaj të tërë korridori i Laçinit, e vetmja rrugë hyrëse mes kryeqytetit të Nagorno Karabakut, Stepanakert, dhe kryeqytetit armen Yrevan, mbeti i bllokuar nga aktivistët, duke krijuar një krizë të parë humanitare. Javët e fundit, Azerbajxhani ndërmori një “operacion anti-terrorizëm” në rajon, i cili shkaktoi eksodin e të gjithë njerëzve me etni armene. Mbi 100 mijë kanë braktisur tokën e lashtë të Artsakh-ut.

Ipeshkvijtë e Këshillit të Konferencave Ipeshkvore të Evropës e shohin me shqetësim këtë tragjedi humanitare. Së bashku me Papa Françeskun, ata apelojnë “për dialog midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, duke uruar që bisedimet midis palëve, me mbështetjen e Bashkësisë Ndërkombëtare, të përkrahin një marrëveshje të qëndrueshme, e cila do t’i japë fund çështjes humanitare”.

Në të njëjtën kohë, CCEE-ja bën thirrje për monitorimin e trashëgimisë së krishterë që gjendet në Nagorno Karabakh. Sipas një rezolute të Parlamentit Evropian të datës 10 mars 2022, janë 1456 monumente armene, të cilat pas armëpushimit të vitit 2020 kanë kaluar nën kontrollin e Azerbajxhanit dhe të cilat janë dëmtuar që gjatë luftës. Ajo uron gjithashtu që aktorët ndërkombëtarë të gjejnë një zgjidhje të negociuar që garanton sigurinë e njerëzve të larguar dhe të drejtën e tyre për t’u kthyer në tokat ku ata janë rritur me traditat e tyre; që të respektohen rezolutat ndërkombëtare që kanë kërkuar hyrje të lirë në korridorin e Laçinit; që urgjenca humanitare të zgjidhet me zgjidhje të cilat vendosin në qendër të vendimeve personin njerëzor dhe jo interesin politik.

San Gallo, 5 tetor 2023

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme