18.5 C
Tirana
HomeKryesorMesazhi Krishtlindjes, Papa: Zoti ka lindur mes krizave të botës, por shpresa...
HomeKryesorMesazhi Krishtlindjes, Papa: Zoti ka lindur mes krizave të botës, por shpresa...

Mesazhi Krishtlindjes, Papa: Zoti ka lindur mes krizave të botës, por shpresa është më e fortë

Në mesazhin e Krishtlindjes, përpara se të jepte bekimin “Urbi et Orbi”, dhënë nga lozha qendrore e Bazilikës sё Vatikanit, Papa Françesku kujtoi tokat dhe popujt e tronditur nga luftërat e dhuna, duke përfshirë fëmijët e dhunuar, të moshuarit len vetëm, migrantët, refugjatët dhe ata që vuajnë nga pandemia. Nё pёrfundim tё mesazhit tё Krishtlindjes Urbi et Obri Papa u dha të pranishmëve dhe besimtarёve të lidhur përmes mediave bekimin apostolik dhe ndjesёn e plotё. Po tё ndjekim porosinё e Krishtlindjes sё kёtij viti nga Papa Françesku:

Të dashur vëllezër dhe motra, Gëzuar Krishtlindjen!

Fjala e Hyjit, e cila krijoi botën dhe i jep kuptim historisë dhe rrugëtimit të njeriut, u bë mish dhe erdhi të banojë mes nesh. U shfaq si një pëshpëritje, si fëshfëritja e një flladi të lehtë, për të mbushur me mahnitje zemrën e çdo burri dhe gruaje që i hapet misterit.

Fjala u bë mish për të dialoguar me ne. Hyji nuk dëshiron të bëjë monolog, por dialog. Sepse vetë Hyji, Atë e Bir dhe Shpirt Shenjt, është dialog, bashkim i pafund dhe i amshueshëm dashurie dhe jete.

Duke ardhur në botë, në Personin e Fjalës së mishëruar, Hyji na ka treguar rrugën e takimit dhe të dialogut; madje, ai vetë e ka mishëruar në vetvete këtë Rrugë, që ne ta njohim dhe ta ndjekim me besim dhe shpresë.

Motra, vëllezër, «çfarë do të ishte bota pa dialogun e durueshëm të kaq shumë njerëzve bujarë që kanë mbajtur të bashkuara familjet dhe komunitetet?» (Enc. Fratelli tutti, 198). Në këtë kohë pandemie ne e kuptojmë edhe më shumë. Kapaciteti ynë për marrëdhënie shoqërore është sprovuar rëndë; forcohet tendenca për t’u tërhequr, për t’ia dalë vetë, për të hequr dorë nga daljet, për t’u takuar, për t’i bërë gjërat së bashku. Edhe në nivel ndërkombëtar ekziston gjithashtu rreziku i mosdëshirës për të dialoguar, rreziku që kriza komplekse të çojë në zgjedhjen e rrugëve të shkurtra dhe jo në udhët më të gjata të dialogut; porse, në të vërtetë, vetëm këto çojnë në zgjidhjen e konflikteve dhe në përfitime të përbashkëta dhe të qëndrueshme.

Njëmend, ndërsa shpallja e lindjes së Shpëtimtarit, burimi i paqes së vërtetë, kumbon rreth nesh dhe në mbarë botën, ne shohim ende shumë konflikte, kriza dhe kontradikta. Duket se nuk reshtin kurrë dhe vështirë se e vëmë re më. Jemi mësuar aq shumë saqë kalohen në heshtje edhe tragjedi të  mëdha; rrezikojmë të mos dëgjojmë britmën e dhimbjes dhe të dëshpërimit të kaq shumë vëllezërve dhe motrave tona.

Le të mendojmë për popullin sirian, i cili jeton në luftë për më shumë se një dekadë e që ka shkaktuar shumë viktima dhe një numër të pallogaritshëm refugjatësh. Le të shohim Irakun, i cili ende është në përpjekje për t’u rimëkëmbur pas një konflikti të gjatë. Le të dëgjojmë klithmën e fëmijëve që ngrihet nga Jemeni, ku një tragjedi e madhe, e harruar nga të gjithë, po ndodh në heshtje prej vitesh, duke shkaktuar vdekje çdo ditë.

Le të kujtojmë tensionet e vazhdueshme midis izraelitëve dhe palestinezëve, të cilat zvarriten pa zgjidhje, me pasoja gjithnjë e më të mëdha sociale dhe politike. Të mos harrojmë Betlehemin, vendin në të cilin Jezusi pa dritën dhe që jeton kohë të vështira edhe për shkak të vështirësive ekonomike të shkaktuara nga pandemia, e cila i pengon shtegtarët të mbërrijnë në Tokën e Shenjtë, me efekte negative në jetën e popullatës. Le të mendojmë për Libanin, i cili po vuan nga një krizë e paprecedentë me kushte ekonomike dhe sociale shumë shqetësuese.

Porse ja, në mes të natës, shenja e shpresës! Sot «dashuria që lëviz diellin dhe yjet» (Par., XXXIII, 145), siç thotë Dante, u bë mish. Ai erdhi në formë njerëzore, bashkëndau dramat tona dhe theu murin e indiferencës sonë. Në të ftohtin e natës ai shtrin krahët e tij të vegjël drejt nesh: ka nevojë për gjithçka, por vjen të na dhurojë gjithçka. Atij i kërkojmë forcë për t’u hapur ndaj dialogut. Në këtë ditë feste, i përgjërohemi atij që të ngjallë në zemrat e të gjithëve dëshirën për pajtim dhe vëllazëri. Atij ia drejtojmë lutjen tonë.

Jezus Fëmijë, dhuro paqe dhe harmoni në Lindjen e Mesme dhe në mbarë botën. Mbështeti ata që janë të përkushtuar për të ofruar ndihmë humanitare për popullatat që janë të detyruara të ikin nga atdheu i tyre; ngushëlloje popullin afgan, i cili për më shumë se dyzet vjet është sprovuar rëndë nga konfliktet që kanë shtyrë shumëkënd të largohet nga vendi.

Mbret i popujve, ndihmoji autoritetet politike që të qetësojnë shoqëritë e trazuara nga tensionet dhe konfliktet. Mbështete popullin e Mianmarit, ku intoleranca dhe dhuna prekin shpeshherë edhe bashkësinë e krishterë dhe vendet e kultit dhe errësojnë fytyrën paqësore të popullsisë.

Ji dritë dhe mbështetje për ata që besojnë dhe veprojnë, madje duke shkuar kundër rrymës, në përkrahje të takimit dhe dialogut, dhe mos lejo që të përhapen nëpër mbarë Ukrainën metastazat e një konflikti gangrenoz.

Princ i Paqes, ndihmoje Etiopinë në rigjetjen e rrugës së pajtimit dhe paqes përmes një përballjeje të sinqertë që vë në vendin e parë nevojat e popullsisë. Dëgjoje britmën e popullatave të rajonit të Sahelit, të cilat përjetojnë dhunën e terrorizmit ndërkombëtar. Ktheje fytyrën tënde kah popujt e vendeve të Afrikës së Veriut që janë të rraskapitur nga ndarjet, papunësia dhe pabarazia ekonomike; dhe lehtëso vuajtjet e shumë vëllezërve dhe motrave që vuajnë nga konfliktet e brendshme në Sudan dhe Sudanin e Jugut.

Bëj që të mbizotërojë vlera e solidaritetit, pajtimit dhe bashkëjetesës paqësore në zemrat e popujve të kontinentit amerikan, nëpërmjet dialogut, respektit reciprok dhe njohjes së të drejtave dhe vlerave kulturore të të gjitha qenieve njerëzore.

Bir i Zotit, ngushëlloji viktimat e dhunës ndaj grave që po merr dhenë në këtë kohë pandemie. Dhuro shpresë për fëmijët dhe adoleshentët të cilët janë bërë objekt bullizmi dhe abuzimesh. Jepu ngushëllim dhe ngrohtësi të moshuarve, veçanërisht atyre që janë më të vetmuar. Dhuroju qetësi dhe unitet familjeve, vend parësor i edukimit dhe bazë e strukturës shoqërore.

Hyji-me-ne, jepu shëndet të sëmurëve dhe frymëzoji të gjithë njerëzit vullnetmirë që të gjejnë zgjidhjet më të përshtatshme për të kapërcyer krizën shëndetësore dhe pasojat e saj. Bëji zemrat bujare, për të mundësuar kujdeset e nevojshme, veçanërisht vaksinat, për popullatat më në nevojë. Shpërbleji të gjithë ata që tregojnë vëmendje dhe përkushtim në kujdesin ndaj familjarëve, të sëmurëve dhe më të dobëtëve.

Fëmijë i Betlehemit, bëj që të burgosurit e shumtë të luftës civile dhe ushtarake, të konflikteve të fundit dhe të burgosurit për arsye politike, të kthehen së shpejti në shtëpi. Mos lejo që të jemi indiferentë përballë tragjedisë së emigrantëve, të shpërngulurve dhe refugjatëve. Sytë e tyre na kërkojnë që të mos ua kthejmë shpinën, të mos e mohojmë njerëzishmërinë që na bashkon, t’i bëjmë tonat historitë e tyre dhe të mos harrojmë dramat e tyre.

Fjalë e amshuar që u mishërove, na bëj të kujdesshëm ndaj shtëpisë sonë të përbashkët, e cila vuan nga neglizhenca me të cilën e trajtojmë shpeshherë, dhe nxiti autoritetet politike të gjejnë marrëveshje të efektshme në mënyrë që brezat e ardhshëm të jetojnë në një mjedis të denjë për jetën.

Të dashur vëllezër dhe motra,

vështirësitë e kohës sonë janë të shumta, por shpresa është më e fortë, sepse «një fëmijë lindi për ne» (Is 9,5). Ai është Fjala e Hyjit dhe u bë një foshnjë, e aftë vetëm për të qarë dhe që ka nevojë për gjithçka. Ai deshi që të mësonte të fliste, si çdo fëmijë, që ne të mësojmë për të dëgjuar Hyjin, Atin tonë, për të dëgjuar njëri-tjetrin dhe për të dialoguar si vëllezër e motra. O Krisht, i lindur për ne, na mëso të ecim me Ty në shtigjet e paqes.

Gëzuar Krishtlindjen për të gjithë!

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme