10.5 C
Tirana
HomeKisha UniversaleMesazhi i Shenjtërisë së Tij Papa Françeskut me rastin e kalimit nga...
HomeKisha UniversaleMesazhi i Shenjtërisë së Tij Papa Françeskut me rastin e kalimit nga...

Mesazhi i Shenjtërisë së Tij Papa Françeskut me rastin e kalimit nga kjo Jetë të Fortlumturisë së Tij Anastas, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë

Hirësisë së Tij Joan
Metropolit i Korçës
Mbikqyrësi i Kishës Orthodhokse të Shqipërisë

Pas lajmit për ndarjen nga jeta të Fortlumturisë së Tij Anastas, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia më të ndiera për Ju, për Anëtarët e Sinodit të Shenjtë dhe për të gjithë priftërinjtë, murgjërit, murgeshat dhe besimtarët laikë të Kishës së dashur Orthodhokse të Shqipërisë, së bashku me lutjet e mia që Perëndia, Ati ynë i mëshirshëm, t’i dhurojë shpërblimin për punën e tij të palodhur.

Besimi i komunitetit Orthodhoks të Shqipërisë, është mishëruar padyshim në jetën e vëllait tonë të dashur, shërbimi i zellshëm baritor i të cilit e ka ndihmuar popullin që të rizbulojë pasurinë dhe bukurinë e tij pas viteve të persekutimit dhe ateizmit të imponuar nga shteti. Lidhur me këtë, ruaj kujtime të ngrohta nga takimi im me Fortlumturinë gjatë Udhëtimit tim të Parë Apostolik jashtë Italisë, dhe e ruaj përherë përqafimin vëllazëror dhe fjalët e shkëmbyera në atë rast.

Gjatë jetës dhe shërbesës së tij të gjatë si prift dhe si Peshkop, ka treguar kurdoherë një përkushtim të thellë ndaj Ungjillit, duke shërbyer e duke shpallur Zotin në kontekste të ndryshme gjeografike dhe kulturore, në Greqi, Afrikë dhe Shqipëri. Ai e bëri këtë gjë duke ndjekur shembullin e Shën Palit, i cili iu përkushtua aq shumë Krishtit saqë mund të thoshte: «Për të gjithë u bëra gjithçka, që, të kushtojë sa të kushtojë, por ta shpëtoj ndonjërin» (1 Kor 9,22).

Kur mori përgjegjësinë për të udhëhequr Kishën Orthodhokse në Shqipëri, ai dëshiroi të hynte thellë në zemrat e atyre që iu besuan atij, veçanërisht në traditat dhe identitetin e tyre, pa humbur kurrë bashkimin me Kishat e tjera Orthodhokse. Njëkohësisht, ai u angazhua me gatishmëri në dialog dhe promovoi bashkëjetesën paqësore me Kishat dhe fetë e tjera.

Kur mbërriti për herë të parë në Shqipëri, disa priftërinj e pritën me përshëndetjen e Pashkëve në greqisht, “Christos Anesti!”, Ai iu përgjigj në shqip, duke shprehur dëshirën e zjarrtë për të jetuar me popullin e tij dhe për të dëshmuar dashurinë e Perëndisë, e cila mposht çdo errësirë dhe shtypje, në mesin e atyre që kishin vuajtur shumë.

Tani që jeta e tij tokësore ka përfunduar, lutem që, për hir të mëshirës së Perëndisë, Atit të Gjithëpushtetshëm, Forlumturia e Tij të përlëvdojë në amshim Trininë e Bekuar, së bashku me të gjithë rrëfyestarët e fesë dhe me barinjtë që kanë shpallur fjalën e shpëtimit për popujt në çdo vend e në çdo kohë.

Romë, Shën Gjoni në Lateran, 27 janar 2025

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme