3.5 C
Tirana
HomeKisha UniversaleMesazhi i kreut të Kishës greko-katolike të Ukrainës për agresionin rus
HomeKisha UniversaleMesazhi i kreut të Kishës greko-katolike të Ukrainës për agresionin rus

Mesazhi i kreut të Kishës greko-katolike të Ukrainës për agresionin rus

Në një mesazh të dërguar, Fortlumturia e Tij Sviatoslav Shevchuk, kreu i Kishës greko-katolike të Ukrainës, falenderon të gjithë për lutjet e bëra në të gjitha Kishat Katolike në botë, ditën e djeshme (2 Mars), një datë që u vendos nga Papa Françesku për tu lutur për paqen në Ukrainë.

Mesazhi i plotë:

Qoftë lavdëruar Krishti!

Të dashur vëllezër dhe motra në Krishtin,

ju përshëndes nga kryeqyteti i Ukrainës së lirë, nga qyteti ynë i Kievit. Sot jemi në ditën e shtatë të luftës. Në këtë ditë të 2 marsit 2022, me ftesë të Atit Shenjt Françesku, e gjithë bota bashkohet në lutje dhe agjërim për paqen në Ukrainë.

Kjo është një ditë e veçantë për të gjithë ne, sepse e kuptojmë që nuk jemi vetëm në tragjedinë tonë. Pavarësisht se lufta vazhdon. Mbrëmë qyteti ynë Zhytomyr u bombardua, dhe vazhdojnë të qëllojnë mbi qytetet dhe fshatrat tona.

Ne jemi posaçërisht të shqetësuar për qytetet Kharkiv, Sumy, Chernihiv, Kherson dhe për qytetet e tjera të Ukrainës që janë të rrethuara, ku sot tashmë mungojnë ushqimet, ilaçet, madje edhe sot popullsia vendase ka nevojë të shpëtohet. Duke hequr dorë nga ushqimi, ne jemi solidarë me ta.

Porse sot ne bashkohemi në lutje. Mirëpo, çfarë do të thotë të bashkohesh në lutje? Ditët e fundit kemi folur se vetëm kur të jemi të bashkuar, koheziv do të bëhemi të fortë dhe do të mund të rezistojmë në këtë luftë. Forca e popullit qëndron tek uniteti. O Hyj, na jep bashkim, thotë himni popullor.

Megjithatë, bashkimi në lutje është diçka më shumë. Të bashkohesh në lutje do të thotë t’i përçojmë jetën njëri-tjetrit, do të thotë të bashkëndash forcën jetësore përkatëse me të afërmin, t’i japësh forcën jetësore të afërmit dhe, rrjedhimisht, të bëhemi më të fortë me atë forcë jetësore që marrim nga ai me të cilin bashkohemi në lutje.

Në këto ditë kemi marrë shumë letra nga e gjithë bota duke na siguruar: jemi me ju. Ne duhet të bashkohemi në lutje, të bashkohemi në emër të paqes, në emër të asaj që, jeta që jetojmë, mund të fitojë mbi vdekjen.

Shembull i këtij bashkimi të brendshëm në lutje janë fjalët e Krishtit drejtuar Atit: O Hyj Atë, gjithçka që është e imja është e jotja dhe ajo që është e jotja është e imja. Sot kemi aq shumë nevojë për atë forcë të ndërsjellët, sepse kjo forcë dhe ky unitet nuk janë gjë tjetër veçse forca dhe veprimi i Shpirtit Shenjt. Duke u bashkuar në lutje, duke u bashkuar me botën dhe jetën e brendshme shpirtërore, ne jemi të vetëdijshëm se jemi bij të një Kishe, të trupit të Krishtit, kreu i të cilit është Ai vetë. Në këtë ditë lutemi dhe agjërojmë së bashku.

Agjërim do të thotë të thyesh gjithçka që na ndan, që na pengon të bashkëndajmë jetën tonë me të tjerët. Kjo është arsyeja pse agjërimi sot është kaq i rëndësishëm, që të mund të largojmë atë që ndan: djallin, shpirtin e luftës, shpirtin e vdekjes. Sot ju ftoj të gjithëve të qëndroni në lutje të përbashkët, e cila fillon në orën 14:00 me orën e Kievit, nga qyteti Pokotylivka, afër Kharkiv-it, për të përqafuar më pas Odessa-n, Drogobych-indhe Hrushiv-in e famshëm, Zarvanytsia, Hoschiv-in tonë, Univ-in tonë dhe që përfundon këtu, në Kiev.

Hyji e pranoftë agjërimin dhe lutjet tona! O Hyj, na bashko të gjithëve, që jeta të fitojë mbi vdekjen dhe lutja e përbashkët e mbarë botës të sjellë paqe në Ukrainë. E thërras bekim hyjnor mbi ju dhe përgjithmonë.

Mesazhi i plotë nga Fortlumturia e Tij Sviatoslav Shevchuk, kreu i Kishës greko-katolike të Ukrainës

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme