17.5 C
Tirana
HomeAdministratura Apostolike e Shqipërisë së JugutMë 5 shtator, Kisha e Agrigjentos nis zyrtarisht bashkëpunimin misionar me Administratën...
HomeAdministratura Apostolike e Shqipërisë së JugutMë 5 shtator, Kisha e Agrigjentos nis zyrtarisht bashkëpunimin misionar me Administratën...

Më 5 shtator, Kisha e Agrigjentos nis zyrtarisht bashkëpunimin misionar me Administratën Apostolike të Shqipërisë së jugut

Më 5 shtator 2021, Kisha [arqidioqeza] e Agrigjentos do të fillojë zyrtarisht bashkëpunimin misionar me Administratën Apostolike të Shqipërisë së jugut. Lajmi u bë publik më 21 gusht 2021 nga Vikari i Përgjithshëm, don Giuseppe Cumbo, në një letër drejtuar presbiterëve dhe diakonëve të arqidioqezës së Agrigjentos.

«Të dashur miq – shkruan don Giuseppe – përqafimi dhe mirënjohja ime vëllazërore ju gjetshin me shëndet për pritjen dhe shprehjet vlerësuese dhe inkurajuese që më keni drejtuar me rastin e shpalljes së shërbimit të ri të cilin jam i thirrur t’ia ofroj Kishës sonë të dashur në Agrigjento… Jam mirënjohës para Zotit për secilin prej jush dhe e perceptoj bukurinë e të qenurit anëtar i një presbiteri i cili – në larminë e anëtarëve dhe shprehive të tij – më ka edukuar në fe, më ka formuar në mbarështim dhe më shoqëron në shërbim. Kjo vetëdije më ndihmoftë të kryej “me drejtësi, urti e kompetencë” detyrën delikate si ndihmës në mbarështimin ipeshkvor».

Vikari kujton se – siç është komunikuar tashmë më 7 gusht – «Të dielën 5 Shtator – Mbrëmësorja e parë e solemnitetit të Kushtimit të Bazilikës Katedrale dhe përvjetori i parë i shugurimit ipeshkvor të arqipeshkëvit Alessandro – Nunci Apostolik në Itali, imzot Emil Paul Tscherrig do t’i vendosë (nomine Summi Pontificis) paliumin imzot Alessandro Damiano-s. Kremtimi eukaristik me ritin e vendosjes së paliumit do të zhvillohet në Katedrale në orën 1900».

«Do të jetë një përvojë shumë e fortë e të qenurit Kishë  – shkruan don Giuseppe -: Eukaristia, Kushtimi i Katedrales dhe vendosja e paliumit – në vlerën e tyre respektivisht skramentale, liturgjike dhe simbolike – njëmend përbëjnë tre referime për te bashkimi i plotë që – të bashkuar me Ipeshkvin tonë dhe, përmes tij, me Atin e shenjtë dhe me Kishën universale të udhëhequr prej tij “në dashuri” – jemi të thirrur ta ruajmë dhe ta jetojmë. Rasti i përvjetorit të parë të urdhërimit ipeshkvor të don Alessandro-s do të na bëjë të mundur gjithashtu të bashkohemi në një himn të vetëm falënderimi ndaj Atit për dhuratën e atij që është dhëndri, ati dhe bariu i Kishës sonë».

Don Giuseppe Cumbo: me mandatin që u jep 4-tër misionarëve, nis zyrtarisht bashkëpunimin me Shqipërinë

Për më tepër, në lidhje me atë që është komunikuar tashmë, Vikari i Përgjithshëm bën të ditur që «në të njëjtin kremtim, në prani të Administratorit Apostolik të Shqipërisë së Jugut, imzot Giovanni Peragine, arqipeshkëvi do t’i japë mandatin misionar don Riccardo Scorsone-s, Vicky Lipari-t, Giovanni Russo-s dhe Maria Vega-s, duke nisur zyrtarisht bashkëpunimin misionar, të përgatitur vitet e fundit. Ky gjest posaçërisht domethënës – shkruan don Giuseppe – do të përbëjë një vlerë të shtuar për mbledhjen tonë dioqezane, duke na hapur ndaj përmasës misionare e cila, së bashku me atë të bashkimit, përcakton identitetin dhe thirrjen tipike të Kishës, të rrënjosur në një territor dhe të shtrirë ndaj botës mbarë».

Don Aldo Sciabbarrasi (Drejtor i Qendrës për Misionin): «ura e bashkëndarjes»

Letrës së Vikarit të Përgjithshëm i bën jehonë një shënim i drejtorit të Qendrës për Misionin, don Aldo Sciabbarrasi, në të cilin komunikon se ekipi misionar i përbërë nga anëtarët që do të marrin mandatin, që në mes të shtatorit, do të arrijë zonën e Korçës – Bilishti i besohet arqidioqezës së Agrigjentos nga ipeshkvi Giovanni Peragine.

Don Aldo flet për një «urë bashkëndarjeje» të mirëfilltë që «lidh të dy Kishat e bashkuara nga e njëjta fe, nga i njëjti entuziazëm për shpalljen e Ungjillit, besuar njerëzve që ndjejnë thirrjen për të jetuar përvojën misionare ad gentes. Dy Kishat motra – vazhdon don Aldo – do të jenë të thirrura të jetojnë të njëjtën përmasë ad gentes për t’u pasuruar reciprokisht dhe për të bashkëndar fenë, Ungjillin dhe përvojat e jetës dhe fesë së jetuar. Kjo do të përbëjë – thotë ai – bashkëpunimin misionar dhe ndërkëmbimin midis Kishave. Arqidioqeza e Agrigjentos – vijon drejtori i Qendrës për Misionin – ruan ende në zemër përvojën misionare të jetuar në Tanzani, e cila u mbyll rreth 10 vjet më parë. Në distancën e këtyre 10 viteve, të karakterizuara nga dialogu dhe dallimi, dioqeza po i hapet sërish botës me një përvojë të re të bashkëpunimit misionar. Në një moment të veçantë historik dëshirojmë ta vëmë besimin tonë me guxim për të ndërtuar një “urë” bashkëndarjeje dhe pasurimi reciprok. Ia besojmë Zotit anëtarët e ekipit – përfundon don Aldo – që t’i mbështesë ata në këtë mision. Ky projekt i ri misionar na ndihmoftë vërtet për të rimarrë entuziazmin për kumtimin e Ungjillit».

Marrë nga L’Amico del Popolo

Mond MARKU

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme