10.5 C
Tirana
HomeArqidioqeza Shkodër-PultMarrja në Zotërim – Homelia e Imzot Giovanni Peragine
HomeArqidioqeza Shkodër-PultMarrja në Zotërim – Homelia e Imzot Giovanni Peragine

Marrja në Zotërim – Homelia e Imzot Giovanni Peragine

Dashurinë e Zotit gjithmonë do të këndoj” (Ps 89).

Së bashku me ju, të dashur vëllezër e motra, dua t’i këndoj Zotit e ta falënderoj për mrekullitë që ai vazhdon të kryejë mes nesh e në jetën e secilit. Ky kremtim eukaristik, gjatë të cilit, si bari, marr në zotërim kanonik këtë katedër ipeshkvore, duke nisur zyrtarisht shërbesën time të re baritore, është një dëftim i mëtejshëm i kujdesit që Hyji ka për popullin e vet dhe për këtë Kishë, duke ia siguruar vetë Ai një bari: “E Ai i ‘dha’ disa apostuj, disa të tjerë profetë, disa prapë ungjilltarë, disa të tjerë barinj dhe mësues, që shenjtërit t’i bëjë të aftë për veprën e shërbesës, për ndërtimin e trupit të Krishtit” (Ef 4,11-12). Provania Hyjnore më dërgon për të bashkëndarë një pjesë të rrugëtimit të Arqidioqezës Shkodër-Pult, e cila krenohet për traditën e gjatë të krishterë dhe për historinë e lavdishme, të shënuar nga persekutimi dhe martirizimi. Është pikërisht në këtë rrugëtim kishtar që unë dua të hyj dhe të jem me ju e për ju një “shtegtar i shpresës”.

Në dritën e tre leximeve që kemi dëgjuar dhe në vazhdimësi me reflektimin që Kisha ka ndërmarrë mbi temën e sinodalitetit, dua të sugjeroj tre rrugëtime që Kisha jonë vendore është e thirrur t’i përshkojë në këtë kohë për të dhënë arsye e shpresës që është Zoti ynë (krh. Pjt 3,15).

I pari na sugjerohet nga Pali apostull, i cili i thërret besimtarët e Romës për bashkim: “Në Krishtin jemi një Trup i vetëm” (Rom 12,4-8).

Jeta e Kishës dhe e çdo të krishteri duhet të formësohet vazhdimisht nga bashkimi, si realiteti i saj themelor. Tundimi i individualizmit, tundimi për të pasur si referim vetëm veten, e për të qenë të vetëmjaftueshëm është gjithmonë i pranishëm brenda bashkësive kishtare e rregulltare dhe gjithashtu brenda presbiterit. Ky qëndrim përçarës, domethënë në kundërshtim me bashkimin, na bën sigurisht të ndihemi pjesë e një grupi, por jo anëtarë të të njëjtit trup të Krishtit që është Kisha, dhe kështu të shijojmë gëzimin e të qenit vëllezër: “Oh, sa punë e mirë është e gjë e bukur kur vëllezërit jetojnë së bashku!” (Ps 133). Me këtë pikësynim, është e nevojshme që e gjithë Kisha dioqezane të rivlerësojë rrugëtimet ekzistuese dhe të ndërmarrë nisma të reja që përkrahin bashkimin në të gjitha nivelet.

Mendoj, para së gjithash, për bashkimin mes klerit, rregulltarëve dhe ipeshkvit dhe vëllazërisë meshtarake. Falë Zotit, kjo dioqezë është bekuar nga dhurata e thirrjeve të shumta meshtarake vendase, të cilat përfaqësojnë një thesar të çmuar për ungjillëzimin, së bashku me praninë e misionarëve të tjerë. Shembulli i meshtarëve shqiptarë martirë, të cilët me flijimin e jetës së tyre kanë treguar besnikëri ndaj Krishtit, ndaj Popullit të Hyjit që iu qe besuar dhe ndaj atdheut të tyre, bën që besimtarët e shumtë ta ruajnë në mendimet e tyre figurën e meshtarit si njeri i Hyjit në shërbim të Kishës.

Për të ndërtuar një vëllazëri meshtarake autentike është e nevojshme që t’i njohim dobësitë personale, që të pranojmë njëri-tjetrin ashtu siç jemi dhe të kemi vullnetin për t’i tejkaluar kufijtë përkatës në mënyrë që të shmangen dyshimet dhe paragjykimet që minojnë besimin reciprok dhe bashkimin kishtar. Vëllazëria meshtarake lind nga vetëdija se nuk kemi asgjë për të fituar për veten tonë, por gjithçka për t’iu dhuruar Hyjit e të tjerëve, dhe rritet kur e mira e përbashkët dhe ajo e të tjerëve mbizotëron mbi interesin personal.

Që kur u emërova Arqipeshkëv koadiutor, duke vizituar disa bashkësi të dioqezës, pata mundësinë të vërej praninë e shumë pasurive njerëzore dhe shpirtërore. Duke pasur parasysh gjerësinë e dioqezës, me qëllimin për të favorizuar një bashkim dhe bashkëpunim më të madh mes bashkësive të ndryshme, do të jetë angazhim i të gjithëve (i meshtarëve, i rregulltarëve dhe laikëve), ta vlerësojnë atë që është e mirë dhe e pranishme në çdo bashkësi dhe ta bashkëndajnë me të tjerët, duke filluar me planifikimin e aktiviteteve të përbashkëta e duke bashkuar energjitë dhe burimet për ta përjetuar frytshmërinë e bashkimit kishtar dhe për t’u rritur në stilin sinodal. Ne duhet të kalojmë nga një formë e thjeshtë bashkëpunimi e shërbimi në një bashkëpërgjegjësi të vërtetë midis të gjithë përbërësve të Kishës vendore.

Në faqen e ungjillit të Mateut, përball logjikës së pushtetit, e pranishme në zemrat e dishepujve të tij, Jezusi vë në kundërshtim atë të shërbimit: “Ndërmjet jush nuk duhet të jetë ashtu! Përkundrazi, ai që prej jush do të bëhet i madh, le të bëhet shërbëtori juaj, kurse ai që ndër ju dëshiron të jetë i pari, le të bëhet skllavi juaj” (Mt 20,26-27). Çdo formë përgjegjësie e ushtruar brenda bashkësisë së krishterë nuk duhet t’u bindet kritereve të pushtetit, por atyre të shërbimit e të bashkëpërgjegjësisë.

Ja atëherë rrugëtimi i dytë për Kishën tonë, ai i Pjesëmarrjes. Sinodi i Ipeshkvijve, i cili sapo ka përfunduar, e ka ripohuar me forcë natyrën e Kishës si Popull i Hyjit në ecje. Në bazë të kësaj të vërtete ekleziologjike qëndron vetëdija se mbarë Populli i Hyjit, për virtyt të Pagëzimit, është protagonist aktiv në jetën e Kishës. Papa Françesku ka kërkuar herë pas here që ta luftojmë mentalitetin klerikal, duke i ftuar meshtarët dhe rregulltarët që të mos e përqendrojnë gjithçka te vetja e tyre, sikur Ungjilli nuk mund të vazhdonte ose të jepte fryte pa to, dhe laikët të mos ua lënë të gjitha përgjegjësitë barinjve, duke ngelur vetëm përfitues pasivë.

Dokumenti përfundimtar i Sinodit i nxit bashkësitë të krishtera që t’i rishikojnë strukturat, format dhe stilin e veprimit të tyre baritor dhe të mendojnë për ato të rejat në mënyrë që të rritet, te secili besimtar, ndjenja e bashkëpërgjegjësisë për jetën dhe misionin e Kishës. Duke dëgjuar mbarë Popullin e Hyjit dhe duke e bërë atë përnjëmend “protagonist”, ndihmohet e gjithë bashkësia për të marrë vendime baritore që përputhen me vullnetin e Hyjit dhe me ecjen e Kishës universale, e jo me planet individuale. Në themel të pjesëmarrjes së çdo të pagëzuari në jetën e bashkësisë qëndron vetëdija e të qenit shërbëtor i të gjithëve, domethënë të gatshëm për t’u dhuruar, dhe skllav i të gjithëve, domethënë që e harrojnë vetveten dhe i kushtohen tërësisht nevojave të të varfërve të kohës sonë.

Teksti i Isaisë profet që kemi dëgjuar në leximin e parë na tregon pastaj rrugëtimin e tretë që duhet të kryejë Kisha jonë vendore, domethënë Misioni.

Personazhi anonim, për të cilin flet profeti, i fuqizuar me praninë e Shpirtit të Zotit, thuhet se është i dërguar për t’u sjellë lajmin e gëzuar të varfërve, për të shëruar ata që kanë zemrën e thyer, për të ngushëlluar të vuajturit (Is 61,1-3). Nuk bëhet fjalë për një mision njerëzor, por për një mision që e do Hyji e që është i gjallëruar nga Shpirti i tij. Njëmend, vetëm Hyji mund ta rikrijojë e ta rindërtojë një popull të shpërndarë e zemërlëshuar, vetëm Shpirti mund të hapë horizonte shprese tek ata që kanë humbur kuptimin e jetës dhe misionit të tyre. Ky është misioni i parë i Kishës. Ky është misioni i parë i secilit prej nesh. Të jesh misionar do të thotë ta jetosh gëzimin e Ungjillit dhe t’ua transmetosh atyre që e kërkojnë ose e kanë humbur. Arqidioqeza Shkodër-Pult gëzon praninë e një numri të mirë katolikësh, të cilët, edhe ndër vite të vështira, kanë arritur ta mbrojnë e ta ruajnë identitetin e tyre të krishterë, kulturën dhe traditat e tyre. Sakrifica e Martirëve tanë të Lumë është dëshmia e një bashkësie që në të kaluarën është dalluar për besnikërinë e saj ndaj Krishtit dhe Kishës. Le ta shikojmë shembullin e tyre, jo vetëm për të treguar një të kaluar të lavdishme për t’u mburrur, por mbi të gjitha për të shndërruar të tashmen tonë me të njëjtën fuqi të dashurisë për Krishtin e për Kishën! Të jesh misionar do të thotë të ungjillëzosh, duke lejuar që fuqia e Ungjillit të ndryshojë vlerat bazë të jetës sonë, të bashkësive tona e të mbarë shoqërisë dhe krejt ato modele që janë në kontrast me Mbretërinë e Hyjit dhe me planin e shpëtimit. Për këtë arsye, është e nevojshme që bashkësitë tona të jenë të hapura, “në dalje”, të afta për të transmetuar vlerën e zgjedhjes së krishterë dhe për t’i tërhequr njerëzit drejt Krishtit. Të mos kënaqemi duke shikuar kishat tona të mbushura me besimtarë; të shqetësohemi më tepër për të qenë ndërtues të bashkësisë dhe të kalojmë nga një besim individuale në atë kishtare! Në këtë drejtim, roli i kulturës katolike, nga e cila qyteti i Shkodrës ruan një trashëgimi të pasur, është i rëndësishëm. E frymëzuar nga vlerat e krishtera, kultura, në të gjitha shprehjet e saj, duhet të bëhet një kanal i privilegjuar ungjillëzimi. Së fundi, të jesh Kishë misionare do të thotë të ndihesh pjesë e një bashkësie që shkon përtej kufijve të grupit të vogël, të famullisë ose të dioqezës. Do të thotë hapje ndaj njohjes dhe kujdesit për bashkësitë e tjera të krishtera, të pranishme në Shqipëri. Besoj se nga vetëdija se i përkasim një Kishe me traditë katolike duhet të lindë përgjegjësia për ta komunikuar atë që zotëron, në mënyrë që të pasurohet nga gjallëria e bashkësive të tjera të krishtera më të reja. Për më tepër, shkëmbimi ndërmjet bashkësive, bashkëndarja e përvojave të ndryshme të fesë dhe njohja e rrugëtimeve të ndryshme të jetës së krishterë, mund të përurojë rrugëtime të reja dhe më të frytshme kishtare për mbarë Kishën në Shqipëri.

I dashur Popull i Hyjit, shumë të dashur meshtarë, rregulltarë e rregulltare, po e filloj shërbesën time baritore në këtë arkidioqezë pak ditë pas fillimit të Vitit Jubilar, gjatë të cilit jemi të ftuar që ta përjetojmë mëshirën e Atit, i cili, krahëhapur, është gati t’i pranojë të gjithë, pa dallim. Në vendin tonë ka shumë situata të vështira që kanë nevojë për shpresë: nga plaga e korrupsionit te format e shumta të padrejtësive sociale, nga mungesa e shpresës për të ardhmen, veçanërisht te të rinjtë, te plaga e shumë familjeve që largohen nga vendi, nga drama e të moshuarve të mbetur vetëm te të sëmurët që nuk e marrin ndihmën e duhur. Edhe Kisha jonë përjeton momente lodhjeje dhe mungese të besimit. Në këto dhe situata të tjera, së bashku me ju bëhem “shtegtar i shpresës” në mënyrë që të gjithë të mund ta bëjmë përvojën e një “takimi të gjallë e personal me Zotin Jezus, ‘derën’ e shpëtimit” dhe ta këndojmë së bashku, që tani, dashurinë e Zotit.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme