10.5 C
Tirana
HomeKryesorLUMTURIA NË ÇIFT ARRIHET NË PAQEN E SHTËPISË
HomeKryesorLUMTURIA NË ÇIFT ARRIHET NË PAQEN E SHTËPISË

LUMTURIA NË ÇIFT ARRIHET NË PAQEN E SHTËPISË

Lufta mes bashkëshortëve vret, shkatërron dashurinë, jetën, shpresën, rritjen në krejt mjedisin familjar dhe krijon plagë e hidhërime

“Lum pajtuesit, sepse do të quhen bijtë e Hyjit!”

(Mt 5,9)

Sa herë tmerrohemi përpara televizorit, përballë skenave të luftës! Të gjithë e dimë se luftërat janë negative… të këqija. Të tmerrshme! E aq më tepër nëse këto luftëra janë mes vëllezërve të të njëjtit komb. Luftëra në të cilat si fituesit si humbësit, arrijnë në përfundimin e njëjtë: “shkatërrimi i shtëpisë së vet”.

Ka shumë çifte që ta lënë përshtypjen se kremtimi i martesës së tyre ka qenë një deklaratë lufte. Të tjera çifte, pastaj, shohin, në çdo moment, një rast për t’u sfiduar në luftëra të ndryshme: disa në heshtje të gjata, të tjera në izolim dhe moskomunikim, të tjera në mospërfillje e ftohtësi, të tjera të nxehta, me fyerje, kërcënime, me britma dhe gjeste të dhunshme.

Të gjitha këto, në origjinën e tyre, e kanë të njëjtin shkak – një pazotësi të madhe:

  • për t’u rritur përmes jetës së përbashkët,
  • për ta mposhtur krenarinë,
  • për t’i njohur të drejtat e tjetrit, dhe
  • për ta thyer rrethin e egoizmit që kërkon vetëm zotërimin e të tjerëve.

E si gjithmonë, kur ka luftë, pasojat bien mbi të pafajshmit. Në luftërat e shtëpisë, janë fëmijët, të cilët duan të jetojnë e të rriten në paqe dhe nuk e kuptojnë krejt atë që lind nga një zemër njerëzore që do vetëm të sulmojë.

Sa shumë kohë dhe energji humben në çdo luftë të madhe apo të vogël! Sa çaste lumturie të shuara që nuk do të kthehen më! Sa shumë ndjenja të shkatërruara, që nganjëherë është pothuajse e pamundshme të rindërtohen! Lufta mes bashkëshortëve vret, shkatërron dashurinë, jetën, shpresën, rritjen në krejt mjedisin familjar dhe krijon plagë e hidhërime.

Lum bashkëshortët që janë të aftë ta ndërtojnë paqen në shtëpinë e tyre! Lum bashkëshortët që ndërtojnë paqen në çift duke e zotëruar natyrën e tyre, duke e kapërcyer karakterin e tyre, duke mos e njohur veten më lart se tjetri, por si të barabartë, duke krijuar qetësi dhe paqe në shtëpi.

Ka shumë mënyra, të vogla ose të mëdha, për ta prishur paqen. Shqyrtojeni veten së bashku, duke bashkëbiseduar, me qëllim që të nxirret jashtë nga shtëpia juaj edhe grimca më e vogël e barutit.

Reflektoni:

  • A e kërkoni të vërtetën apo ndonjëri e imponon “të vërtetën e vet”?
  • A e bashkëndani autoritetin apo ndonjëri prej jush e ushtron të vetin?
  • A jeni në kujdes që secili prej jush të mund t’i realizojë dëshirat e veta apo ndonjëherë ka imponime në këtë drejtim?
  • A dini t’i jepni të drejtë tjetrit apo besoni se tjetri nuk ka kurrë të drejtë?
  • A e përdorni bashkëshortin/en si shënjestër ku i shfryni zemëratat brenda dhe jashtë shtëpisë?
  • A e përdorni armën e britmës apo të heshtjes me qëllim jo të mirë?
  • A dini të heshtni kur tjetri e ngre zërin?
  • Kur “zjarri nuk është për gatim”, a i shtoni më dru?

Kujtoni:

  • Paqja lind nga një zemër e re.
  • Bashkëbisedimi për paqen është urgjencë për shtëpinë dhe kështu do të jemi edukues për paqen.
  • Mbi të gjitha, ndërgjegjësohuni se “paqja është e mundshme”.
  • Ajo varet nga të dy ju, por mos harroni: “edhe nga secili prej jush”.

Lum bashkëshortët që janë të aftë të jenë:

  • Autorë të paqes.
  • Ecje për paqe.
  • Ndërtues të bashkësive familjare të paqes, sepse do të quhen bijtë e Hyjit.

Për bashkëbisedim në çift

  1. Cilat elemente e trazojnë paqen në çiftin tonë?
  2. A ndihmojmë për krijimin e një klime paqeje në shtëpi?
  3. A po i edukojmë fëmijët tanë për paqen?

Për t’u lutur bashkë

O Zot Jezus,

ti që na e dhe dhuratën e paqes,

na ndihmo që të jemi ndërtues të saj,

në çiftin tonë,

në familjen tonë.

Na ndihmo të jemi dëshmi paqeje

për fëmijët tanë,

që jetojnë në një botë të dhunshme,

lufte dhe urrejtjeje…

Le ta zbulojnë dhe ta provojnë

në ne, prindërit e tyre, paqen.

Atë paqe që nuk ua jep shoqëria,

që nuk tregohet nga mjetet

e komunikimit social,

që nuk ua transmeton mjedisi ynë rrethues.

Na ndihmo që të jemi krijues të paqes,

ecje paqeje,

edukues të paqes.

Amen!

Shkëputur nga libri

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme