nga Andrea Tornielli
«Kjo zbehje e së drejtës ndërkombëtare është vërtet shqetësuese: drejtësinë e ka zëvendësuar forca». Kardinali Pietro Parolin, sekretar i Shtetit, flet me mediat e Vatikanit për luftën në zhvillim në Lindjen e Mesme dhe vëren me shqetësim se «po afirmohet në mënyrë të rrezikshme një multipolarizëm i karakterizuar nga primati i fuqisë dhe nga pasja e vetvetes si referim».
Eminencë, si po i përjetoni këto orë dramatike?
Me dhimbje të madhe, sepse popujt e Lindjes së Mesme, përfshi këtu bashkësitë e krishtera tashmë të brishta, gjenden sërish në tmerrin e luftës, e cila rrënon brutalisht jetë njerëzore, prodhon shkatërrim dhe tërheq kombe të tëra në spirale dhune me pasoja të pasigurta. Të dielën e kaluar, në Angelus, Papa foli për një «tragjedi me përmasa të mëdha» dhe për rrezikun e një «humnerë të pariparueshme». Janë fjalë më se domethënëse për të përshkruar çastin që po kalojmë.
Çfarë mendoni për sulmin amerikan dhe izraelit kundër Iranit?
Mendoj se paqja dhe siguria duhet të kultivohen dhe të ndiqen përmes mundësive që ofron diplomacia, sidomos ajo që ushtrohet në organizmat shumëpalësh, ku shtetet kanë mundësinë të zgjidhin konfliktet pa gjakderdhje dhe në mënyrë më të drejtë. Pas Luftës së Dytë Botërore, e cila shkaktoi rreth 60 milionë të vdekur, etërit themelues, me krijimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, donin t’i kursenin bijtë nga tmerret që ata vetë kishin përjetuar. Prandaj, në Kartën e OKB-së ata deshën të jepnin udhëzime të qarta për menaxhimin e konflikteve. Sot, këto përpjekje duket se janë zhvlerësuar. Madje, siç kujtoi Papa para Trupit diplomatik në fillim të vitit, «një diplomaci që promovon dialogun dhe kërkon pajtimin e të gjithëve po zëvendësohet nga një diplomaci e forcës, e individëve ose e grupeve aleate», dhe mendohet se paqja mund të ndiqet «me anë të armëve».
Kur flitet për shkaqet e një lufte, është e ndërlikuar të përcaktohet kush ka të drejtë dhe kush e ka gabim. E sigurt është se lufta do të prodhojë gjithmonë viktima dhe rrënim, si edhe pasoja shkatërrimtare për civilët. Për këtë arsye, Selia e Shenjtë parapëlqen të kujtojë nevojën për të përdorur të gjitha mjetet që ofron diplomacia për të zgjidhur mosmarrëveshjet ndërmjet shteteve. Historia na ka mësuar tashmë se vetëm politika, me mundin e negocimit dhe me vëmendjen ndaj balancimit të interesave, mund të rrisë besimin ndërmjet popujve, të nxisë zhvillimin e të ruajë paqen.
Justifikimi mbi sulmin ishte ai i pengimit të lëshimit të raketave të reja, pra një «luftë parandaluese»…
Siç thekson Karta e OKB-së, përdorimi i forcës duhet të merret në konsideratë vetëm si instanca e fundit dhe tepër e rëndë, pasi të jenë përdorur të gjitha mjetet e dialogut politik dhe diplomatik, pasi të jenë vlerësuar me kujdes kufijtë e domosdoshmërisë dhe të proporcionalitetit, mbi bazën e verifikimeve të rrepta dhe të arsyeve të bazuara, dhe gjithmonë brenda një qeverisjeje shumëpalëshe. Nëse shteteve do t’u njihej e drejta e «luftës parandaluese», sipas kritereve vetjake dhe pa një kornizë juridike mbikombëtare, e gjithë bota rrezikon të gjendet në zjarr. Kjo zbehje e së drejtës ndërkombëtare është vërtet shqetësuese: drejtësinë e ka zëvendësuar forca, forcën e së drejtës e ka zëvendësuar e drejta e forcës, me bindjen se paqja mund të lindë vetëm pasi armiku të jetë asgjësuar.
Çfarë peshe kanë manifestimet e mëdha në sheshe të javëve të fundit, të mbytura në gjak në Iran? A mund të harrohen?
Sigurisht që jo; edhe kjo ka qenë arsye shqetësimi të thellë. Aspiratat e popujve duhet të merren në konsideratë dhe të garantohen brenda kornizës ligjore të një shoqërie që u garanton të gjithëve të shprehin lirshëm dhe publikisht idetë e veta, dhe kjo vlen edhe për popullin e dashur iranian. Në të njëjtën kohë mund të shtrojmë pyetjen nëse vërtet mendohet që zgjidhja mund të vijë përmes lëshimit të raketave dhe bombave.
Pse e drejta ndërkombëtare dhe diplomacia po njohin sot këtë pikë rënieje?
Është zbehur vetëdija se e mira e përbashkët u bën vërtet mirë të gjithëve, se e mira e tjetrit, pra, është një e mirë edhe për mua; prandaj drejtësia, mirëqenia dhe siguria realizohen në masën në të cilën të gjithë mund të përfitojnë prej tyre. Ky parim qëndron në themel të krijimit të sistemit shumëpalësh ose të një projekti të guximshëm si ai i Bashkimit Evropian. Kjo vetëdije është dobësuar, duke shtuar oreksin për interesat vetjake.
Kjo ka edhe një pasojë tjetër: sistemi i diplomacisë shumëpalëshe në marrëdhëniet ndërmjet shteteve po përjeton një krizë të thellë, ndër të tjera për shkak të mosbesimit që këta të fundit ushqejnë ndaj lidhjeve juridike që kufizojnë veprimin e tyre. Ky qëndrim përfaqëson anën tjetër të vullnetit për fuqi: dëshirën për të vepruar lirisht, për t’iu imponuar të tjerëve rendin e vet, duke shmangur mundin dramatik, por fisnik, të politikës, i cili përbëhet nga diskutime, negociata, përfitime për veten dhe lëshime ndaj të tjerëve. Po afirmohet në mënyrë të rrezikshme një multipolarizëm i karakterizuar nga primati i fuqisë dhe nga pasja e vetvetes si referim. Fatkeqësisht, po vihen në diskutim parime si vetëvendosja e popujve, sovraniteti territorial, ligjet që rregullojnë vetë luftën (ius in bello). Po vihet në diskutim dhe po lihet mënjanë gradualisht i gjithë aparati i ndërtuar nga e drejta ndërkombëtare në fusha si çarmatimi, bashkëpunimi për zhvillim, respektimi i të drejtave themelore, prona intelektuale dhe shkëmbimet e tranzitet tregtare. Dhe mbi të gjitha duket se ka humbur vetëdija për atë që Immanuel Kant shkruante tashmë në vitin 1795: «Shkelja e së drejtës në një pikë të tokës ndihet në të gjitha pikat e saj». Edhe më e rëndë, në disa aspekte, është thirrja e së drejtës ndërkombëtare sipas leverdisë vetjake.
Për çfarë e keni fjalën?
I referohem faktit se ka raste kur bashkësia ndërkombëtare indinjohet dhe mobilizohet, dhe raste kur nuk e bën këtë gjë ose e bën shumë më dobët, duke dhënë përshtypjen se ekzistojnë shkelje të së drejtës që duhen ndëshkuar dhe të tjera që duhen toleruar, viktima civile për të cilat duhet të vajtohet dhe të tjera që konsiderohen si «dëme kolaterale». Nuk ka të vdekur të serisë A dhe të serisë B, as njerëz që kanë më shumë të drejtë të jetojnë se të tjerët vetëm sepse kanë lindur në një kontinent në vend të një tjetri ose në një vend të caktuar. Do të doja të kujtoja rëndësinë e së drejtës humanitare ndërkombëtare, respektimi i së cilës nuk mund të varet nga rrethanat dhe nga interesat ushtarake e strategjike. Selia e Shenjtë, nga ana e saj, rithekson me forcë dënimin ndaj çdo forme të përfshirjes së civilëve dhe të strukturave civile, si banesa, shkolla, spitale dhe vende kulti, në operacionet ushtarake, dhe kërkon që të mbrohet gjithmonë parimi i pacenueshmërisë së dinjitetit njerëzor dhe i shenjtërisë së jetës.
Cilat perspektiva afatshkurtra shihni për këtë krizë të re?
Shpresoj dhe lutem që thirrja për përgjegjësi që Papa Leone XIV bëri të dielën e kaluar të pranohet dhe të mund të depërtojë në zemrat e atyre që po marrin vendimet. Uroj që zhurma e armëve të pushojë shpejt dhe të ketë kthim te negociatat. Nuk duhet të zbrazet kuptimi i negociatave: është thelbësore të jepet koha e nevojshme që ato të arrijnë në rezultate konkrete, duke vepruar me durim dhe vendosmëri. Për më tepër, duhet të pranojmë se rendi ndërkombëtar ka ndryshuar thellësisht krahasuar me atë të hartuar tetëdhjetë vjet më parë me themelimin e OKB-së. Pa nostalgji për të kaluarën, është e nevojshme të kundërshtohet çdo delegjitimim i institucioneve ndërkombëtare dhe të promovohet forcimi i ligjeve mbikombëtare që i ndihmojnë shtetet të zgjidhin në mënyrë paqësore mosmarrëveshjet përmes diplomacisë dhe politikës.
Çfarë shprese kemi përballë gjithë kësaj situate?
Të krishterët shpresojnë sepse i besohen Hyjit që u bë Njeri, i cili në Gjetseman i tha Pjetrit të fuste shpatën në mill dhe që në Kryq e përjetoi në lëkurën e vet tmerrin e dhunës së verbër dhe të pakuptimtë. Shpresojnë edhe sepse, pavarësisht luftërave, shkatërrimeve e pasigurive, dhe një ndjenje të përhapur përhumbjeje, nga shumë anë të botës vazhdojnë të ngrihen zëra që kërkojnë paqe dhe drejtësi. Popujt tanë kërkojnë paqe! Ky apel duhet t’i zgjojë qeveritarët dhe ata që veprojnë në kontekstin e marrëdhënieve ndërkombëtare, duke i shtyrë që të shumëfishojnë përpjekjet për paqen.

