30.5 C
Tirana
HomeAdministratura Apostolike e Shqipërisë së JugutKUJTESË DHE SHPRESË NË ISH KAMPIN E PËRQENDRIMIT TË TEPELENËS
HomeAdministratura Apostolike e Shqipërisë së JugutKUJTESË DHE SHPRESË NË ISH KAMPIN E PËRQENDRIMIT TË TEPELENËS

KUJTESË DHE SHPRESË NË ISH KAMPIN E PËRQENDRIMIT TË TEPELENËS

TAKIMI KOMBËTAR I MESHTARËVE NË VITIN JUBILAR

Dom Gaitano Lleshaj

Në Tepelenë, aty ku historia e kombit tonë është shkruar me vuajtje dhe gjak të pafajshëm, sot u ngjall përsëri fjala e Zotit dhe shpresa njerëzore. Në rrënojat e kampit të përqendrimit, ku mijëra burra, gra dhe fëmijë u përballën me dhimbjen, urinë dhe vdekjen, sot u mblodhën shumë meshtarë NGA E GJITHË Shqipëria të bashkuar me Arqipeshkvinjt dhe ipeshkevinjt e pranishëm, për të kremtuar Meshën Shenjte dhe për të ngritur lutje për të gjitha shpirtrat që gjetën fundin e tyre këtu. Në këtë jubile të meshtarëve.

Ky vend i heshtur, që dikur ishte mbushur me britma dhe psherëtima, sot u mbush me psalme dhe këngë himni. Muret e plasaritura dëgjuan përsëri fjalën e faljes dhe të mëshirës, ndërsa toka që mban brenda dhe mbi vete dhimbjen e qindra familjeve, u lag me lot mirënjohjeje dhe respekti. Ishte një ditë e bekuar, ku e kaluara dhe e tashmja u bashkuan për të na kujtuar se kujtesa është rrënja e identitetit tonë.

Tepelena, ky simbol i errët i një kohe të padrejtë, sot u bë një dritare drite dhe reflektimi. Meshtarët e pranishëm, me fjalët e tyre të qeta por të forta, sollën mesazhin se edhe plagët më të thella shërohen me dashuri dhe lutje. Në çdo fjalë, në çdo gjest të meshës, në çdo psherëtimë të atyre që erdhën për të kujtuar, ndizej një qiri drite për ata që nuk jetojnë më, por që kanë lënë një trashëgimi të paçmuar: dinjitetin dhe besën që nuk u mposht as nga uria, as nga dhuna, as nga frika.

Në këtë vend, historia nuk është thjesht një faqe në një libër. Është një amanet. Një thirrje për brezat e rinj që të dinë të çmojnë lirinë dhe të mos e harrojnë kurrë çmimin që është paguar për të.

Arqipeshkvi, në fjalën e tij, theksoi dhe ftoi të gjithë që të mos e lënë Tepelenën të mbulohet nga harresa apo indiferenca, por të mbetet një monument i gjallë i ndërgjegjes, një shkollë morali për të sotmen dhe të nesërmen.

«Lum të persekutuarit për hir të drejtësisë, sepse e tyre është Mbretëria e Qiejve.» Këto fjalë të Krishtit ishin zemra e gjithë kësaj dite. Ato jehuan në sytë e njomur edhe në heshtjen e atyre që ende nuk kanë mundur të flasin për dhimbjen e tyre.

Sot, Tepelena foli përsëri, por këtë herë me gjuhën e faljes dhe të shpresës. Sot, mbi këtë tokë u mboll një tjetër farë: farë kujtese, që të mos mbin më kurrë padrejtësia.

Zoti i pastë në mëshirën e Tij të gjithë ata që u flijuan këtu. Dhe ne, fëmijët dhe nipërit e tyre, të mos harrojmë kurrë: Tepelena nuk është vetëm një vend, është një kujtesë që na mban të zgjuar, të përulur dhe të fortë për të ruajtur lirinë tonë.

Zot, le të jetë ky vend një altare kujtese, një thirrje për paqe dhe një dëshmi e gjallë që e mira triumfon mbi të keqen, drita mbi errësirën dhe dashuria mbi urrejtjen. Amen.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme