13.5 C
Tirana
HomeKisha UniversaleKrishtlindja “anulohet”: BE-ja tërheq udhëzimet
HomeKisha UniversaleKrishtlindja “anulohet”: BE-ja tërheq udhëzimet

Krishtlindja “anulohet”: BE-ja tërheq udhëzimet

Pas polemikave, do të rishkruhet dokumenti i Komisionit Evropian, i cili na fton të mos përdorim fjalë dhe emra që nuk garantojnë “të drejtën e çdo personi për t’u trajtuar në mënyrë të barabartë”. Edhe Kardinali Parolin ua kishte paraqitur kundërshtimin e tij: “Diskriminimi nuk luftohet kështu”.

Manuali për komunikimin i Bashkimit Evropian, i cili, duke bërë thirrje për përfshirje, sugjeronte shmangien e disa fjalëve si “Zonjushë” (Miss) dhe “Zonjë” (Mrs), por edhe “Krishtlindje” dhe emrat si “Mari” ose “Gjon”, u tërhoq. Komisionerja për Barazi, Helena Dalli, njoftoi: “Ne po i shqyrtojmë këto shqetësime për t’i trajtuar në një version të përditësuar”. Për këtë çështje, foli sot paradite Kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, i cili shpjegoi se, fatkeqësisht, tendenca është homologimi i gjithçkaje, duke mos ditur të respektohen dallimet e duhura, e në fund rrezikohet shkatërrimi i personit.

Eminencë, cili është mendimi juaj për këtë çështje? Pse po ndodh kjo?

Mendoj se është i drejtë shqetësimi për të hequr çdo lloj diskriminimi. Është një rrugë për të cilën kemi fituar gjithnjë e më shumë ndërgjegjësim dhe që sigurisht se duhet të përkthehet edhe në fushën praktike. Mirëpo, për mendimin tim, sigurisht se kjo nuk është mënyra për ta arritur këtë qëllim. Sepse, në fund, ekziston rreziku i shkatërrimit, i asgjësimit të personit, në dy drejtime kryesore. I pari, ai i dallimit që karakterizon botën tonë: tendenca për fat të keq është homologimi i gjithçkaje, duke mos ditur t’i respektojmë as dallimet e duhura, të cilat natyrisht nuk duhet të bëhen kundërvënie apo burim diskriminimi, por duhet të integrohen pikërisht për ta ndërtuar një njerëzim të plotë dhe të paprekur. I dyti: harresa e asaj që është realitet tashmë. Dhe kushdo, që shkon kundër realitetit, e vë veten në rrezik të rëndë. Dhe pastaj, është heqja e atyre që janë rrënjët, sidomos në lidhje me festat e krishtera, përmasën e krishterë edhe të Evropës sonë. Natyrisht, ne e dimë që Evropa ia detyron ekzistencën dhe identitetin e saj shumë prurjeve, por sigurisht që nuk mund të harrohet se një nga prurjet kryesore, nëse jo kryesorja, ishte pikërisht krishterimi. Prandaj, të shkatërrosh dallimin dhe të shkatërrosh rrënjët, do të thotë ta shkatërrosh personin.

Papa po përgatitet për t’u nisur për një udhëtim në Evropë, ku sigurisht kultura, tradita dhe vlerat shënojnë një rrugë të mirëpritjes. Megjithatë, ka nga ata që vazhdojnë ta ndërtojnë një Evropë që i fshin rrënjët e saj…

Po, më duket se Papa, edhe në videomesazhin që i drejtoi Greqisë dhe Qipros para nisjes së tij, pak ditë më parë, nënvizon pikërisht këtë përmasë evropiane: të shkosh te burimet e Evropës, pra, të gjesh ata që janë elementët përbërës. Sigurisht, kultura greke është një nga këta elementë. Pastaj, Papa i referohet, gjithashtu, Qipros si një nga pinjollët evropianë të Tokës së Shenjtë. Kështu që mua më duket se ky udhëtim vjen pikërisht në kohën e duhur, është një udhëtim që na kthen në këto përmasa themelore, që nuk mund të zhbëhen. Duhet ta rizbulojmë aftësinë për t’i integruar të gjitha këto realitete pa i shpërfillur, pa i luftuar, pa i eliminuar dhe mënjanuar.

Përkthyer nga Vatican News

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme