10.5 C
Tirana
HomeEditorialKrimi dhe Qyteti
HomeEditorialKrimi dhe Qyteti

Krimi dhe Qyteti

Nga Dom Gjergj META

Atentatet e shpeshta që po ndodhin këtyre ditëve, me pasojë vdekjen e personave, që sipas policisë dhe medieve kanë qenë të përfshirë në botën e krimit, e bën Shqipërinë, në përpjestimet e duhura, të ngjashme me Siçilinë, Kalabrinë apo Napolin e disa dekadave më parë.

Logjika e paligjshmërisë sjell në ekzistimin e një sistemi paralel marrveshjesh dhe “drejtësie” që shmang institucionet e shtetit ligjor e pse jo në disa raste i përdor ata. Këtë sistem paralel e kanë në gjak kryesisht shoqëritë që ende nuk janë shkëputur nga format primitive të jetës sociale ose ato shoqëri ku mbizotëron krimi më shumë se sa ligji.

Jo vetëm këto ngjarje, por edhe situata të tjera, zbulojnë brishtësinë dhe shëndetin e dobët të shoqërisë shqiptare e cila nuk po gjen rrugën drejt ligjshmërisë në të gjithë kapilarët e saj. Nga ana tjetër, pasojë e drejtëpërdrejtë e kësaj situate, e cila ndihmohet, së paku në mënyrë të tërthortë, edhe nga kaosi politik, janë largimet e njerëzve nga Shqipëria, sidomos largimi i më të rinjve.

Gënjen ai që thotë se Shqipëria po ecën mirë. Nuk është e vërtetë kjo. Por po ashtu është i padrejtë edhe ai që thotë se në Shqipëri nuk ka të ardhme, a thua se atë duhet të na e lërë dikush në rrugë të paketuar, si një dhuratë-befasi, e ne duhet vetëm t’i zgjidhim fjongon për ta marrë atë e për ta shijuar.

Në përgjithësi kush thotë se gjërat në Shqipëri po ecin mirë e më mirë, si disa syresh opinionistë partiakë, i shërbejnë as më shumë e as më pak, por një vizioni mesianik të partisë së rradhës në pushtet.

E nga ana tjetër kush me fatalizëm mohon perspektivën do të thotë se po pret vetëm t’i zërë vendin të parëve ose e pret këtë të ardhme pa mundin e një pune bletare të përditshme.

Duke u kthyer të situata e krimit ne ndjejmë nevojën e një sigurie që ka emrin e një angazhimi serioz për luftimin e tij, me vetëdijen realiste se ai nuk zhduket përgjithmonë dhe tërësisht. E megjithatë nuk janë vetëm institucionet të vetmet që luftojnë krimin. Ata kanë nevojë për mbështetje qytetare, madje për pjesëmarrje qytetare.

Kjo mbështetje qytetare krijohet kur ndiejmë se i përkasim qytetit (civitas) e se qyteti na përket të gjithëve. Ky qytet, bashkësi personash dhe familjesh, formohet dhe ndërtohet. Nuk është një afrim i rastësishëm individësh, por një organizëm i gjallë ku secili ka vendin e vet, gjithnjë në relacion me të tjerët e ku secili angazhohet për të tashmen e të ardhmen.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme