17.5 C
Tirana
HomeDioqeza SapëKremtimi i Ditës së Caritasit dhe Koncerti i Krishtlindjes
HomeDioqeza SapëKremtimi i Ditës së Caritasit dhe Koncerti i Krishtlindjes

Kremtimi i Ditës së Caritasit dhe Koncerti i Krishtlindjes

Në të Dielen e tretë të Kohës së Ardhjes, Dioqeza e Sapës kremtoi ditën e Caritas-it, ditën që i kushtohet Bamirësisë. Është një ditë që organizohet një herë në vit, dhe shpalos një thirrje për të gjithë ne që të ndërgjegjësohemi e të japim pak nga vetja e jonë, në mënyrë që të lindë një shpresë për të varfërin.

Me rastin e kësaj dite, Ipeshkvi i Sapës, Imzot Simon Kulli kremtoi Meshën Shenjtë në Katedralen e Nënë Terezes, në Vau Dejës. Gjatë homelisë së rastit, Ipeshkvi foli mbi bamirësinë, ku secili prej nesh duhet të ketë ndjenjën e humanizmit dhe të dhurimit për të varfërin. Siç na flet edhe Papa Françesku në mesazhin e tij për të varfërit: Skamnorët do t’i keni gjithmonë me vete” (Mk 14,7) “Skamnorët na ungjillizojnë gjithmonë dhe kudo, sepse na mundësojnë të zbulojmë në mënyra të reja fytyrën e vërtetë të Atit. “Ata kanë shumë për të na mësuar. Përveç se marrin pjesë në sensus fidei, ata përmes vuajtjeve të tyre njohin Krishtin e vuajtur”– tha mes të tjerash Imzot Simoni.

Ditës së Caritas-it i parapriu thirrja për animacion të bamirësisë në të gjitha famullitë e dioqezës nëpërmjet një zarfi të titulluar “Lëmosha ime”, ku secila familje e këtij territori mund të dhurojë diçka për të varfërin. E falë këtij sensibilizimi të gjithë i janë përgjigjur kësaj nevoje për të kontribuar sadopak.

Përveç kësaj, nën kujdesin e Caritas Dioqezan Sapa dhe Drejtorit z. Nikolin Lekaj, në mbrëmjen e 12 dhjetorit, po në Katedrale u mbajt Koncerti Tradicional i Krishtlindjes, ofruar për mbarë besimtarët e Dioqezës së Sapës. Ky koncert u ndoq nga një numër i madh besimtarësh, të cilët kishin mbushur Katedralen, ndërkohë që i ftuar nga Imzot Simoni, nderoi me pjesëmarrjen e tij edhe Nunci Apostolik në Shqipëri, Imzot Luigi Bonazzi, Ipeshkvi i Rrëshenit, Imzot Gjergj Meta si dhe autoritete lokale civile të vendit.

Në këtë koncert që shënon dhe hyrjen në atmosferën festive performuan artistë shqiptarë të muzikës, kulturës dhe artit, siç ishin Kori Dioqezan i Sapës, Kori Prenk Jakova nga Shkodra, Orkestra e harqeve nga Tirana, artistja kombëtare znj. Rajmonda Marku, si dhe gjeniu më i vogël, Nikollë Prendi, i cili di përmendësh 3000 vargje të At Gjergj Fishtës. Përmes zërit të tyre dhe interpretimit, i ofruan publikut momente të gëzueshme duke krijuar një atmosferë mjaft të ngrohtë dhe festive.

Gjatë koncertit nuk mungoi përshëndetja e Nuncit Apostolik, i cili vlerësoi shumë një organizim të tillë, dhe shprehi falenderimin ndaj ipeshkvit të vendit për ftesën, që me shumë kënaqësi mori pjesë në këtë event. Edhe Imzot Simon Kulli, tha se padyshim që, muzika është pjesa e të gjitha kulturave, “Arti është mjet i jashtëzakonshëm për t’i hapur portat e mendjes e të zemrës ndaj kuptimit të vërtetë të çdo gëzimi. Krijimtaria dhe gjenialiteti i artistëve, me veprat e tyre, edhe me muzikën e këngën, ia dalin të mbërrijnë në intimitetin më të thellë të ndërgjegjes. Arti hyn pikërisht në intimitetin e vetëdijes” Vetë Zoti që po vjen është burimi kryesor i këtij koncerti, ndaj Krishtlindja sjelltë gëzim, paqe dhe lumturi në mbarë njerëzimin.

Violeta Marashi

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme