8.5 C
Tirana
HomeArqidioqeza Tiranë-DurrësKremtimi i 15-vjetorit të Shugurimit Ipeshkvnor të Imzot George Frendo-s
HomeArqidioqeza Tiranë-DurrësKremtimi i 15-vjetorit të Shugurimit Ipeshkvnor të Imzot George Frendo-s

Kremtimi i 15-vjetorit të Shugurimit Ipeshkvnor të Imzot George Frendo-s

Në festën e Shën Piut të Petralçinës, Arqidioqeza Metropolitane Tiranë-Durrës kujtoi 15-vjetorin e Shugurimit Ipeshkvnor të Arqipeshkvit Metropolit Tiranë-Durrës, Imzot George Frendo.

Imzot George Frendo

Përpara fillimit të Meshës së Shenjtë në Katedralen e Shën Palit u transmetua një dokumentar për Shugurimin Ipeshkvnor të Imzot Frendos me 23 Shtator 2006.

Më pas filloi edhe kremtimi i Meshës së Shenjtë e udhëhequr nga vetë Imzot Frendo, ndërsa të pranishëm ishin edhe Nunci Apostolik Imzot Luigi Bonazzi, Ipeshkvi Ndihmës i Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës Imzot Arjan Dodaj, Ipeshkvi i Sapës Imzot Simon Kulli, Ipeshkvi i Rrëshenit Imzot Gjergj Meta, Ipeshkvi i Administraturës Apostolike të Jugut Imzot Giovanni Peragine. Gjithashtu të pranishëm në Meshën e Shenjtë ishin edhe meshtarët e Arqidioqezës, rregulltare e besimtarë të thjeshtë.

Në fillim të Meshës, fjalën përshëndetëse e hapi Ipeshkvi Ndihmës Imzot Arjan Dodaj, i cili falenderoj Arqipeshkvin Imzot Frendo për punën e palodhur dhe me shumë dashuri që ka bërë gjatë 15 viteve si Ipeshkëv në Shqipëri.

Kjo ditë në të cilën Kisha kremton Shën Piun nga Petralçina, na gjen më shumë gëzim të mbledhur sëbashku për të manifestuar lutjen dhe gëzimin, mirënjohjen ndaj Atit Qiellor për Arqipeshkvi-n tonë Imzot George Frendo që si sot 15 vjet më parë, me 23 shtator 2006, në këtë Katedrale të “Shën Palit”, u shuguronte Ipeshkëv. Imzot në këtë kremtim eukaristik me ju, falenderojmë Hyjin, dhurues të çdo të mire, sepse i ka dhënë Kishës së tij këtu në Shqipëri,një bari me zemër të madhe, me angazhimin tuaj të palodhshëm për ne të ofruar ndaj Kishës dhe grigjës së tij”, theksonte Ipeshkvi ndihmës Imzot Arjan Dodaj gjatë fjalës së tij përshendetëse.

Më pas në Homilinë e Meshës, Imzot Frendo dha edhe lajmin që i ka paraqitur dorëheqjen si Ipeshkëv, Papa Françeskut pasi sipas normave të Kishës, kur një Ipeshkëv mbush 75 vjeç duhet të japë dorëheqje nga detyra si Ipeshkëv Dioqezan. Gjatë fjalës së tij Imzot Frendo kujtoi 15 vitet e tij të shërbimit si Ipeshkëv në Arqidioqezën Metropolitane Tiranë-Durrës, por gjithashtu foli edhe për gjendjen në të cilën ndodhet Shqipëria sot. Sipas Imzot Frendos, shoqëria shqiptare po shkon drejt shekullarizmit dhe konsumizmit dhe e mbylli me shprehjen e martirëve tanë “Rroftë Shqipëria jonë! Rroftë Krishti Mbret!

Megjithatë, me shumë këmbëngulje ju kujtoj fjalën e Shën Palit në Letrën e tij drejtuar Romakëve: “Mos u pajtoni me frymën e kësaj bote”. E them këtë sepse në Shqipëri po fryn një uragan vdekjeprurës. Është uragani i shekullarizmit dhe konsumizmit. Shqipëria ka fituar demokraci dhe liri, përfshirë lirinë e besimit. Por duke hapur dyert dhe dritaret drejt perëndimit, gjëja e parë që ka mësuar nga perëndimi ishte pikërisht shekullarizmi dhe konsumizmi, dhe këto janë bërë, për shumë shqiptarë, Ungjilli i ri që ka zëvendësuar Ungjillin e Krishtit. Nuk habitemi, pra, kur shohim një rritje të konsiderueshme të vrasjeve, një përhapje të madhe të drogës, familja shqiptare po përballon tmerrësisht sfidën e mosbesnikërisë martesore dhe të divorcit, rritjen e numrit të aborteve, që në kohën e komunizmit, ishin një tabu (edhe pse, sigurisht, jo për arsye morale), dhe sot po praktikohet, pa kontroll, përhapja e pornografisë. Po të shfletojmë disa revista apo gazeta nuk do të jetë e vështirë të vërejmë se mjetet tona të komunikimit po na paraqesin një model të ri të burrit model dhe të vajzës modele. Burri model nuk është më ai burrë i kushtuar familjes së tij, i interesuar në edukimin e fëmijëve të tij, por është ai burrë tekanjoz, seksual. Vajza modele nuk është më ajo vajzë që respekton dinjitetin e vet që tërheq respektin e të tjerëve në sajë të seriozitetit të saj, por ajo vajzë seksi që shet trupin e vet, që është bërë si një objekt i bukur i vendosur në vitrinë, ku të gjithë mund ta shohin”, shprehej Imzot Frendo në predikimin e tij.(Lexo Homilinë e Plotë)

Pas Homelisë, Mesha e Shenjtë vazhdoi ritet e saj të zakonshme dhe përpara se të mbyllej Mesha e Shenjtë dhe Imzot Frendo tu jepte bekimin besimtarëve të pranishëm, e mori fjalën Nunci Apostolik Imzot Luigi Bonazzi i cili shprehu falenderimet në emër të Papa Françeskut për këtë përvjetor të 15-të si Ipeshkëv, ndërsa kishte gjetur edhe një mënyrë tjetër për ta falenderuar nëpërmjet fjaleve që u kishte mbledhur meshtarëve, rregulltarëve dhe laikëve.

Nuk mund të mungonte as një falenderim nga Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë, ku në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm, Imzot Gjergj Meta i shprehu urimet në emër të Presidentit të Konferencës Ipeshkvnore, Imzot Angelo Massafra i cili ndodhet në Romë në një takim me Papa Françeskun, por gjithashtu i shprehu urimet në emër të të gjithë Ipeshkvijve të Shqipërisë. Imzot Meta kujtoi kontributin e madh që ka dhënë Imzot Frendo për Konferencën Ipeshkvore të Shqipërisë, duke mbajtur për një kohë të gjatë funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm, dhe më pas edhe funksionin e Presidentit të cilin e ka dorëzuar në shkurt të këtij viti.

Pas mbarimit të Meshës së Shenjtë, në ambientet e Katedrales së Shën Palit ishte përgatitur një koktejl për të gjithë besimtarët e pranishëm.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme