Forca e lutjes e mund urrejtjen, luftën, vdekjen! Edhe një herë, si në vitet e kaluara për Libanin(2021), Kongon, Sudanin e Jugut (2018) e Sirinë(2013), Papa mbledh rreth vetes krishtërimin për t’i bërë ballë me fe një kërcënimi të rëndë mbi botën. Fantazma e një lufte të re endet prej javësh në kufirin ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës e diplomacia nuk po ia del mbanesh të gjejë rrugën e marrëveshjes. Situata e shqetëson fuqimisht Papa Françeskun, i cili e shpall 26 janarin ditë e lutjes për paqen. Njoftimin e jep në përfundim të lutjes së Engjëllit, në të Dielën III të Fjalës së Zotit. Shpreh, kështu, druajtjet e tij.
Pas njoftimit të Papa Françeskut, edhe Imzot Angelo Massafra, Presidenti i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë dhe Arqipeshkëv Metropolit i Shkoder-Pult iu ka dërguar një letër të gjitha dioqezave dhe kishave në Shqipëri që 26 Janari të caktohet si ditë lutjeje për paqen në Ukrainë.
Letra e Imzot Angelo Massafra:
Shkëlqesi shumë të Nderuara,
Meshtarë të nderuar, rregulltarë/e,
Të gjithë ju vëllezër dhe motra,
Dje, e diela 23 janar, Ati i Shenjtë, pas lutjes së Engjëllit, shqiptoi këto fjalë:
“Me shqetësim po e ndjek rritjen e tensioneve, që kërcënojnë t’i japin një tjetër goditje paqes në Ukrainë dhe të vënë në diskutim sigurinë në Kontinentin evropian, me pasoja edhe më të gjera. U bëj një thirrje të përzemërt të gjithë njerëzve vullnetmirë, që t’i drejtojnë lutje Hyjit të Gjithëpushtetshëm, me qëllim që çdo veprim dhe nismë politike të jetë në shërbim të vëllazërisë njerëzore dhe jo të interesave partiake. Kushdo që ndjek qëllimet e veta në dëm të të tjerëve, përçmon thirrjen e tij si njeri, sepse të gjithë jemi krijuar vëllezër me njëri-tjetrin. Për këtë arsye dhe me shqetësim, nisur nga tensionet aktuale, propozoj që e mërkura e ardhshme, 26 janar, të jetë ditë lutjeje për paqe”.
Edhe ne duam ta mirëpresim këtë ftesë të Papa Françeskut për t’u lutur për paqe në Ukrainë dhe, për këtë arsye, u kërkoj të gjithë Ipeshkvijve, meshtarëve dhe gjallëruesve baritorë që të përdorin çdo mjet, edhe dixhital, për t’i ftuar besimtarët e tyre që t’i bashkohen Papës në këtë lutje drejtuar Princit të Paqes për të shmangur rreziqet që një situatë e tillë lufte do të sillte edhe për krejt Evropën dhe veçanërisht për Ballkanin.
Zoti Jezus që ka thënë: “Po ju lë paqen, po ju jap paqen time!” (Gjn 14,27), i dëgjoftë lutjet tona dhe i plotësoftë ato për mirësinë e Tij të pafundme.
Ju bekoj.
† Angelo Massafra O.F.M.
Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pult
President i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë