Arqipeshkvi Metropolit i Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës, Imzot Arjan Dodaj ka pritur në një takim Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim.
Vizita e Ambasadores Amerikane Kim kishte lidhje me urimin për Imzot Dodajn i cili para disa javësh filloi shërbimin baritor në krye të Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës.
Imzot Dodaj është shprehur shumë i lumtur dhe mirënjohës me vizitën e Ambasadores Yuri Kim.
“Jemi shumë të lumtur dhe mirënjohës për praninë e Ambasadores Yuri Kim. Zoja e Bekuar në një mesazh që ka dhënë në Medjugorje në mars 2019, thotë që rastësia nuk ekziston, çdo takim është i frymëzuar prej Zotit”, shkruhet në postimin e Arqidioqezës Metroolitane Tiranë-Durrës.
Takimin me Imzot Arjan Dodaj e ka shpërndarë edhe Ambasadorja Amerikane Yuri Kim.
“Ishte një nder të vizitoja Imzot Arjan Dodaj për të përgëzuar emërimin e tij si Arqipeshkëv i Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës. Zoti ju bekoftë me urtësi dhe guxim ndërsa drejtoni popullin tuaj”, shkruan Ambasadorja Kim në një foto të postuar në profilin e saj në Instagram.
Imzot Dodaj i ka dhuruar në mënyrë simbolike Ambasadores Amerikane Kim një statujë të vogël të Shna Ndout.