Të japësh jetën për të shpëtuar atë të të tjerëve është gjesti më i madh i zemërgjerësisë që mund të tregojë njeriu. Kjo gjë të le mbresa gjithmonë, por sidomos kur protagonist është një i ri. Për më tepër në një realitet në të cilin krishterimi është kryesisht pakicë. Detaje që na çojnë në Lahore të Pakistanit për të treguar historinë e Akash Bashir që vdiq në të njëzetat më 15 mars 2015 për të shmangur një sulm, dhe sot shërbëtori i parë i Hyjit në historinë e Kishës katolike në vendin e tij. Titulli shërbëtor i Hyjit tregon fillimin e kauzës për lumturimin, etapa e parë drejt altarëve, ajo që zhvillohet brenda kufijve të dioqezës, të Kishës vendore. Në mënyrë domethënëse, nisja e itinerarit daton në 31 janarin e kaluar, në festën e shën Gjon Boskos, shenjtit të të rinjve. Figurën e Akashit e paraqiti Agjencia Fides. I lindur më 22 qershor 1994 në Risalpur, në provincën pakistaneze të Nowshera Khyber Pakhtun Khwa, ai ishte student i Institutit Teknik Dom Bosko në Lahore dhe një nga djemtë më aktivë në bashkësinë famullitare të shën Gjonit. Më 15 mars 2015, ai gjendej në hyrje të kishës ku vuri re një njeri që donte të hynte i armatosur me një brez shpërthyes. Me një guxim shumë të madh ai u kap pas atentatorit dhe e ndaloi atë. «Do të vdes, por nuk do të të lë të hysh», ishin fjalët e tij. Një hershim tragjik i asaj që do të kishte ndodhur, sepse pas pak çasteve terroristi hodhi veten në erë duke vrarë edhe djalin.
Lutja e Kishës së tij
«Ne e lavdërojmë dhe falënderojmë Hyjin për këtë djalë të ri të guximshëm – tha Imzot Sebastian Shaw, Arqipeshkëv i Lahores më 31 janar –. Ai mund të kishte ikur ose mund të përpiqej të shpëtonte veten, por qëndroi i palëkundur në besimin e tij dhe nuk e la kamikazin të hynte. Ai dha jetën për të shpëtuar më shumë se një mijë njerëz që gjendeshin në kishë për Meshën e së dielës». Nga ana e tij, i intervistuar nga Fides, Imzot Samson Shukardin, president i Komisionit Ipeshkvor për të rinjtë, foli për një bekim të madh për Kishën në Pakistan, për familjen, për anëtarët e famullisë dhe për qendrën Dom Bosko ku studionte Akashi. «Ishte besimi që e çoi këtë të ri në martirizim – shtoi ai –. Ky djalë i ka qëndruar besnik misionit të tij për të mbrojtur njerëzit deri në frymën e fundit».
Siç thamë, “shërbëtor i Hyjit” është titulli që tregon fillimin e ecjes drejt altarëve. Nëse pranohet martirizimi, nuk do të kërkohet një shërim i pashpjegueshëm, një “mrekulli” falë ndërmjetësimit të tij, për ta parë Akash Bashirin të lumturuar.
Përkthyer nga Avvenire