11.5 C
Tirana
HomeKryesorFesta liturgjike e Shenjtës Nënë Terezë, ikonë e dashurisë
HomeKryesorFesta liturgjike e Shenjtës Nënë Terezë, ikonë e dashurisë

Festa liturgjike e Shenjtës Nënë Terezë, ikonë e dashurisë

Në buzëqeshjen, në gjestet, në fjalët e Shёn Nënë Terezës, Jezusi vijoi të ecte në rrugët e botës si Samaritan i mirë, e vijon ta bëjë këtë përmes misionareve e misionarëve të bamirësisë. Në festën liturgjike, Kisha na fton ta kremtojmë festën e kësaj Shenjte dhe në jetën e përditshme t’i imitojmë në gjestet thellësisht ungjillore që Nënë Tereza pati ndaj çdo njeriu, atij që qe i varfër materialisht e atij që qe i varfër shpirtërisht.

Më 5 shtator, kalendari liturgjik i Kishës katolike romake kremton festën e Shenjtёs Nënë Terezës, një jetë në shenjë të dashurisë së Krishtit e të dashurisë në shёrbim e bamirësi ndaj mё tё varfёrve ndёr tё varfёr.

Festa kishtare liturgjike përkon me atë mbrëmje të paharrueshme 5 shtatorit 1997, kur në Kalkutë ndërroi jetë Gonxhe Bojaxhiu -Nënë Tereza. Kujtimi i saj është i gjallë në zemrën e secilit nga ne, në mbarë Kishën dhe në mbarë botën. Kjo grua e vogël, e ardhur nga një familje e thjeshtë shqiptare, me forcën e besimit në Zotin, diti të kryejë një vepër të mrekullueshme dashurie për të afërmin, posaçërisht për më të varfrin.

Në të vërtetë Shenjta Nënë Terezё ishte dhuratë e Zotit për të varfrit më të varfër; e njëkohësisht, pikërisht për shkak të dashurisë e shërbimit të saj të jashtëzakonshme për të mjerët, qe dhe mbetet dhuratë e jashtëzakonshme për Kishën e për botën. Ajo ia dhuroi plotësisht vetveten Zotit, gjë që e përsëriste çdo ditë në lutje. Ishte pikërisht kjo dhuratë bërë Zotit, ajo që e çoi në dhurimin e plotë të vetvetes në shërbim të të afërmit e në mënyrë të veçantë të më varfërve ndër të varfër.

Në buzëqeshjen, në gjestet, në fjalët e Shёn Nënë Terezës, Jezusi vijoi të ecte në rrugët e botës si Samaritan i mirë, e vijon ta bëjë këtë përmes misionareve e misionarëve të bamirësisë, që formojnë familjen e madhe shpirtërore të themeluar prej saj. Në festën liturgjike, Kisha katolike na fton ta kremtojmë festën e kësaj Shenjte dhe në jetën e përditshme t’i imitojmë në gjestet thellësisht ungjillore që Nënë Tereza pati ndaj çdo njeriu, atij që qe i varfër materialisht e atij që qe i varfër shpirtërisht.

Jeta e Shenjtës Nënë Terezë është zhvilluar tërësisht në shenjë të dashurisë së Krishtit, me fjalë tjera të bamirësisë ndaj tё afёrmit. Ajo dashuri bamirëse, që përfaqëson urdhrin më madh shoqëror. Dashuria bamirëse, drejtësia dhe vërteta janë shtylla themelore nga të cilat, besimtarë e jo besimtarë, duhet të frymëzohen për jetën e veprimtarinë e ndërgjegjshme në shoqërisë bashkëkohore. Po të mos harrojmë: Shёn Nënë Tereza nuk deshi të ofronte modele të jetës shoqërore apo politike: ajo thjesht e përvujtërisht, i përgjigjej etjes së Jezu Krishtit në të varfër e nё të mënjanuar tё shoqërisë e, përmes dashurisë e shёrbimit tё pakursyer, dhuroi jetën për ta lartuar njeriun, posaçërisht më të varfrin ndër të varfër.

Prandaj të mos e harrojmë shembullin e madh që na la Shenjta Nënë Tereza e të mos mjaftohemi ta kujtojmë vetëm me fjalë e kremtime! Të marrim guximin për ta vënë gjithnjë në vend të parë njeriun me të drejtat e tij themelore. Udhëheqësve të Kombeve tё botёs, në këtë situatë aktuale, Shenjta Nënë Terezё u thotë: mos u mbështetni tek forca e armëve! Ecni, përkundrazi, në rrugën e çarmatimit, për t’i përdorur burimet e nevojshme në shërbim të qëllimeve të mëdha të qytetërimit e tё vëllazërimit, për të luftuar të bashkuar kundra urisë e sëmundjeve, në mënyrë që çdo njeri të mund të jetojë e të vdesë si njeri, krijesë e Zotit e vëlla i ynё. Këtë do Zoti, e pikërisht këtë na e kujtoi, përmes dëshmisë së Nënë Terezës, së cilës i drejtohemi të ndërmjetësojë pranё Zotit nё Përjetësi për paqe e dashuri ndërmjet popujve e kombeve.

Në festën liturgjike kishtare të Shenjtёs Nënë Terezë, që kremtojmë më 5 shtator, ti drejtohemi Zotit, që të na ndihmojë ta duam njëri-tjetërin kurdoherë me këtë uratë që Shentja shqiptare Nënë Terezë na ka lënë:

‘Hapna sytë tanë, o Zot!”

O Zot, hapna sytë tanë, që të mund të shohim Ty

në vëllezërit e motrat tona.

Hapna veshët tanë, që t’i dëgjojmë thirrjet

e atij që ka uri, që ka të ftohtë e frikë,

të atij që është i shtypur dhe i përbuzur.

Hapna zemrën tonë, o Zot, që të mund të mësojmë

ta duam njëri-tjetrin

ashtu si na do Ti.

Përtërije vazhdimisht në ne, Shpirtin tënd, o Zot,

që të jemi të lirë e të bashkuar në emrin Tënd të shenjtë. Amen!

Një lutje tё veçantë ia drejtojmë pёr popullin shqiptar, kudo.

Shenjta Nёnё Terezё Bojaxhiu na ndihmoftë e na shoqëroftë nga qielli!

Marrë nga Vatican News

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme