Sot, Kisha Katolike kremton festën liturgjike të Shën Gjon Palit II, për 27 vjet në fronin e Shën Pjetrit. Shën Gjon Pali II i priu një Kishe jo të mbyllur në vetvete, por të hapur dhe të aftë për të përballuar me guxim sfidat e kohës: që nga ‘Mos kini frikë!”, shqiptuar në ditët e para të papnisë, deri tek ‘Duc in altum’ – ‘Dil në det të hapur!”, në vitet e fundit, Papa Vojtila na dhuroi pasionin e kumtimit të Krishtit pa frikë, për një botë të pafundme e të trazuar, por gjithnjë të dashur nga Zoti, edhe në mijëvjeçarin e tretë.
Krejt jeta e tij ka qenë dëshmi e të vërtetave, në të cilat besonte. Na mësoi se nuk mjafton ta mbushim gojën me emrin e Zotit, nuk mjafton të flasim për Të; duhet ta takojmë, të jetojmë një përvojë të thellë, gjallëruese në këtë takim. E në qendër të kësaj udhe shenjtërimi personal është gjithnjë lutja, natyrisht. Një fe e jetuar, koherente, e guximshme, kurrë e mbyllur në vetvete, prandaj, e aftë të krijojë vazhdimisht shpresë, shpresë të re. Ta mbajmë të gjallë këtë trashëgimi.
I lartuar në nderimet e elterit nga Papa Françesku, më 27 prill 2014 , së bashku me shën Gjonin XXIII, Karol Wojtila është ndër figurat më të dashura të historisë së vonë të Kishës. Dashuri, që s’njeh kufi edhe shumë vite pas vdekjes, siç nënvizon postulatori i çështjes së shenjtërimit të tij, imzot Slavomir Oder, në mikrofonin tonë:
Nuk ju fsheh se për mua, kur shoh faqen e kalendarit me datën 22 tetor, është sigurisht çast mallëngjimi të thellë. E të bën jashtëzakonisht përshtypje që, edhe sot, pas nëntë vjetësh nga vdekja e tij, emri i Gjon Palit II zgjon në zemrat e besimtarëve ndjenja mirënjohjeje, gëzimi e dashurie.
Përtej analizave të teologëve, më shumë se shkrimet e vatikanistëve, ka një popull të Zotit që vazhdon ta dojë me gjithë shpirt këtë figurë…
Vërtet, është një fenomen, të cilin e kam vënë re që gjatë viteve të procesit, kur mblidhja dëshmi. Fenomen, që shprehej përmes fjalëve, të cilat i përsërisnin të gjithë si të ishin refren: “Papa ynë! Papa ynë!”. E thonin në polonisht, e thonin në italisht e, vazhdojnë ta thonë në të gjitha gjuhët e botës. Mbeti Papa i ditëve tona, sepse kujtimi i tij është gjithnjë i freskët, gjithnjë i gjallë: buzëqeshja, fjalët e tij, qëndrimi i tij atëror, i rreptë, por edhe mirëdashës, i sigurtë në fjalë, në doktrinë e në afërsinë me njerëzit, që kishin nevojë për dashuri e mëshirë.
Më 22 tetor, në festën e shenjtit Wojtila, nuk mund të harrohen fjalët e tij të famshme: “Mos kini frikë”. Në një farë mënyre, kjo thirrje projektohet drejt së ardhmes, megjithëse t’u thuash njerëzve të mos kenë frikë për ta kumtuar Krishtin është diçka jo aq e lehtë për kohët e sotme…
Ky është funksioni profetik i Kishës e ky është edhe guximi i jashtëzakonshëm që tregoi Gjon Pali II gjatë gjithë papnisë së tij. Kundërshtarët ia ndjenë mirë forcën, por edhe populli i Zotit: ai vendosi Krishtin në qendër të Magjisterit të vet, të fjalëve të tij, të mesazhit që i la Kishës. Prandaj, fjalët “mos kini frikë” vërtet, sot frymëzojnë shumë e shumë njerëz që të marrin udhë dhe vendime kundër rrymës, vendime profetike.
Pas shpalljes së Gjon Palit II shenjt nga Kisha, a ka ndonjë ngjarje a episod, që ju ka mbetur në mendje?
Në Pulja të Italisë, kohë më parë, mora pjesë në një ngjarje shumë të bukur, në kuadrin e shtegtimit të relikes së shën Gjon Palit II, e cila vazhdonte udhën e saj nëpër botë. Më bëri përshtypje që Kisha ishte mbushur plot e përplot me njerëz. Pas Meshës, shumë vetë qëndruan në Kishë gjatë gjithë natës, u lutën deri në mëngjes, deri në Meshën e mëngjesit, duke ia besuar shën Gjon Palit II ndjetet e tyre, shqetësimet, shpresat e gëzimet e tyre për të ndërmjetësuar pranë Zotit. Mendoj se kjo është vërtet detyra e shenjtorëve e ai po e kryen në mënyrë të shkëlqyer: duke ndërhyrë, por edhe duke i inkurajuar njerëzit për jetën, në masën më të lartë. Fjalët që pati thënë gati në fund të papnisë, duke e futur Kishën në mijëvjeçarin e tretë – “Duc in altum!” – “dilni në det të hapur”, – vërtet, kanë mbetur në zemrat e njerëzve. Shenjtëria inkurajon, shenjtëria është ngjitëse, shenjtëria tërheq e me gjithë mend mund të ndikojë mbi vendimet konkrete të jetës.
Lutje Shën Gjon Palit II
O Shën Gjon Pal, nga dritarja e qiellit, na e jep një bekim! Bekoje Kishën, që ti e deshe, i shërbeve e i prive, duke e nxjerrë guximshëm nëpër rrugët e botës, për ta çuar Jezusin tek të gjithë, e të gjithë, tek Jezusi. Bekoi të rinjtë, që qenë pasioni yt! Priju në udhët e ëndrrave të bukura, drejt lartësish, për të gjetur dritën, që ndriçon shtigjet e jetës tokësore.
Bekoi familjet! Bekoje çdo familje! Ti e paralajmërove sulmin e shejtanit kundër kësaj shkëndije të çmuar e të domosdoshme të Qiellit, që Zoti vetë e ndezi mbi dhe. O Shën Gjon Pal, me lutjen tënde, mbroje familjen e çdo jetë, që çel gonxhen në djepin e saj.
Lutu për botën mbarë, që vijon të tronditet nga tensionet, luftërat, padrejtësitë. Ti e luftove luftën duke kërkuar dialog e duke mbjellë dashuri: lutu për ne, që të hedhim kudo farën e mirë të paqes.
O Shën Gjon Pal, nga dritarja e qiellit, ku të shikojmë pranë Marisë, premto të zbresin mbi ne, të gjitha bekimet e Zotit! Amen!
(Shkruar nga kardinali Angelo Comastri)
Marrë nga Radio Vatikani