Apeli i Kishës së gjithëmbarshme për të ecur së bashku, veçanërisht i Atit të Shenjtë Françeskut, kulmoi me të rinjtë që janë shpresa e së ardhmes. Edhe kisha jonë e vogël, Dioqeza e Rrëshenit, zhvilloi si në shumë vende të tjera, një ditë të bukur me të rinjtë e saj, përreth vatrës së dioqezës që është Katedralja.
Të rinjtë shoqëroheshin nga motrat e meshtarët dhe natyrisht, për të na mirëpritur në këtë “vatër” të ngrohtë, ishte bariu i Kishës, Imzot Gjergj Meta.
Ftesa e Papës, në mesazhin e tij: “Çohu! Po të bëj dëshmitar të asaj çka pe!” (krh. At 26,16) ku në fakt është ftesa e Krishtit bërë Saulit, që më pas do të bëhej dëshmitari i madh Pal, tingëlloi mjaft fort në veshët dhe zemrat e të pranishmëve, një ftesë që vjen pikërisht në këtë ecje të veçantë sinodale që Kisha është futur.
Kur një i ri rrëzohet, në një farë kuptimi bie gjithë njerëzimi. Por, është gjithashtu e vërtetë se kur një i ri çohet, është sikurse të ringrihej bota mbarë. Sa të bukura dhe të vërteta këto dy fjali të Papës.
Kjo e “vërtetë” duhet ta çojë peshë gjithë rininë, të rrëmbehen prej Ungjillit që më pas të bëhen dëshmitarë të mëdhenj të kohës sonë, një kohë mjaft e zymtë dhe e vështirë sidomos për të rinjtë, por që bota ka shumë nevojë për ta.
Ka qenë një ditë e jetuar mjaft mirë dhe e bukur, edhe pse intense. Kishim një lutje të përbashkët, pastaj shpjegimi i mesazhit të Papës drejtuar të rinjve të të gjithë botës. Më pas u gërshetua bërthama e parë e Sinodit me punën në grupe ku të rinjtë ishin aktivë dhe u bënë pjesë e udhëtimit sinodal. U prezantua shkurtimisht figura e bukur e të lumit Carlo Acutis, mbrojtësi i internetit ku të rinjtë janë prehë e mashtrimeve dhe tundimeve të ndryshme. Pjesën e fundit të ditës e zuri dreka e përbashkët dhe argëtimi.
Si shenjë e takimit por edhe si angazhim i mëtejshëm, çdo pjesëmarrësi iu dorëzua libri i Carlo Acutis “Jeta përtej kufirit” dhuruar enkas nga Rektori i Seminarit Ndërdioqezan, Atë Leonardo, të cilin e falënderojmë. Po ashtu, u dorëzua atyre broshura e nxjerrë nga Komisioni Kombëtar i Sinodit mbi 10 bërthamat, që kështu, të rinjtë ta kenë më të qartë ecjen që do të kenë nëpër famullitë e tyre.
Një falënderim shkon për dy Komisionet që bënë të mundur këtë ditë, ai Sinodal si dhe Komisioni i të Rinjve, udhëhequr nga don Agustini!
Urojmë udhëtim të mbarë me Kishën dhe që bashkë të jemi pjesëmarrës të misionit që Krishti na ka dhuruar përmes Pagëzimit!
Aleksandër Markaj