Është shpallur data e Ditës Botërore të Rinisë që do të zhvillohet në Portugali. Më shumë se 400 vullnetarë janë tashmë në punë, 21 dioqezat e vendit janë shumë aktive.
Në ditën e shën Françeskut të Asizit lajmërohet data e Ditës Botërore të Rinisë vijuese, e planifikuar fillimisht për verën e vitit 2022 në Lisbonë, dhe e shtyrë për shkak të pandemisë për në gusht të vitit 2023. DBR-ja (Dita Botërore e Rinisë) do të mbahet – thuhet në një njoftimin për shtyp të Komitetit Organizativ – nga data 1 deri më 6 gusht.
Ishte kardinali Kevin Farrell, prefekt i Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën, që njoftoi, (më 27 janar 2019 në Panama, në fund të DBR-së), vendin për takimin botëror të të rinjve. Paraqitja e logos-it daton në tetor të vitit 2020, ndërsa më 22 nëntor, në solemnitetin e Zotit tonë Jezu Krishtit, Mbretit të Gjithësisë, gjatë meshës së kremtuar nga Papa u bë dorëzimi i Kryqit të Ditës Botërore të Rinisë. Në janar të 2021-shit, Komiteti Organizativ i Lisbonës paraqiti himnin zyrtar të titulluar Há Pressa no Ar (Ka nxitim në vend), i frymëzuar nga tema e DBR-së tjetër: “Maria u ngrit dhe shkoi me nxitim” (Lk 1,39).
Një kohë ungjillëzimi
“Ka kohë – thuhet në njoftim – që të rinjtë nga e gjithë bota dëshirojnë të marrin vesh datën e DBR-së në Lisbonë 2023 në mënyrë që të përgatisin në detaje mbërritjen e tyre në Lisbonë”. Jemi me shpresë, nënvizon Kardinali Manuel Clemente, Patriarku i Lisbonës, që 22 muajt që “na ndajnë nga DBR-ja do të jenë një kohë ungjillëzimi për të gjithë”. Janë mbi 400 vullnetarë, kryesisht portugezë, të cilët po përgatisin Ditën në fjalë. Në secilën prej 21 dioqezave të Portugalisë janë të pranishme edhe Komisionet Organizuese Dioqezane, përgjegjëse për promovimin e udhës së përgatitjes për DBR-në, të themeluar nga Papa Gjon Pali II në vitin 1985, dhe që atëherë është dalluar si një moment takimi dhe bashkëndarjeje për miliona njerëz në mbarë botën.
Edicioni i parë u zhvillua në vitin 1986 në Romë, dhe që atëherë është festuar në qytetet e mëposhtme: Buenos Aires (1987), Santiago de Compostela (1989), Czestochowa (1991), Denver (1993), Manila (1995), Paris ( 1997), Romë (2000), Toronto (2002), Këln (2005), Sidney (2008), Madrid (2011), Rio de Janeiro (2013), Krakov (2016) dhe Panama (2019).
Përkthyer nga Vatican News
Mond MARKU