Kisha kombëtare, me 5 nëntor 2021 përkujtoi Martirët e Lumtur të Shqipërisë. Edhe Dioqeza e Sapës, ka patur në qendër të kremtimeve të saj ditën e Martirëve, që ndryshe nga herët e tjera, këtij kremtimi i parapriu lutja e nëntëditëshit kushtuar martirëve dhe me shtegtimin e Relikeve nëpër famulli të dioqezës, për ta përmbyllur drej Kishës së Martirëve në Blinisht të Zadrimës, drejt kësaj kishe në të cilën janë të vendosur eshtrat e Imzot Vincenc Prendushi, Dom Luigj Prendushi dhe Dom Ndoc Suma. Është një hir i vërtetë për këtë dioqezë që të përulemi përpara këtyre figurave të ndritura të fesë.
Nga të katër anët e kësaj kishe turma besimtarësh të organizuar nga meshtarët dhe motrat përgjegjëse ecnin në këmbë, madje dhe këmbëzbathur për t’u bashkuar në kremtimin e Meshës Shenjte të orës 15.00.
Është viti i tretë që vetë ipeshkvi i Sapës, Imzot Simon Kulli ka themeluar shtegtimin “Ecje në gjurmët e Martirëve”, në kujtim të figurës së tyre të shtegtohet në këmbë, me lutje dhe përshpirtëri në gjurmët e Martirëve të Lumtur, duke kërkuar ndërmjetësimin e tyre për hire dhe bekime në jetën e secilit. E kështu do të vazhdojmë çdo vit për të vlerësuar figurat e tyre si Ipeshkvinj, meshtarë dhe laik të dioqezës sonë, duke vënë në jetë mësimet dhe shembullin e tyre gjatë vuajtjeve në burgjet komuniste.
Edhe në predikimin e rastit, Imzot Simoni kujtoi shembullin e martirëve. Shembulli i 38 martirëve tanë, të cilët i nderojmë në këtë Kishë le të jenë për të gjithë ne, nxitje dhe mësim se si duhet me besim të pathyeshëm në Krishtin Zot ta jetojmë jetën tonë në tokë, gjithmonë duke u angazhuar që ta fitojmë lumturinë dhe gëzimin e amshuar.
Në vazhdim të fjalës së tij, ipeshkvi tha se kemi menduar ta bëjmë këmbëzbathur procesionin duke ja kushtuar thirrjeve të reja në dioqezën tonë së bashku me grupet e ndryshme, duke u lutur me përshpirtëri në gjurmët e martirëve tanë se “gjaku i martirëve “fara e të krishterëve të rinj”.
E ndërsa kujtoi edhe fjalët e Papa Françeskut, i cili na i la si porosi me rastin e vizitës së tij në Shqipëri, në shtator të vitit 2014, ku citoi: “Në veçanti, ju drejtohem ju të rinjve! Ju ftoj ta ndërtoni jetën mbi Jezu Krishtin: kush ndërton mbi Krishtin, ndërton mbi shkëmb, sepse Ai është gjithnjë besnik, edhe kur ne e shkelim besën”.
E me lutjet drejtuar Virgjërës Mari, shenjtërve dhe martirëve tanë për ndërmjetësinë e tyre në nevojat tona shpirtërore, u mbyll edhe ky shtegtim kushtuar Martirëve të Lumë të Shqipërisë.
Violeta Marashi