9.5 C
Tirana
HomeEditorialArti i Lutjes
HomeEditorialArti i Lutjes

Arti i Lutjes

Nga Mons. George Frendo O.P

Lutja është art. Apostujt ishin të vetëdijshëm për këtë. Ja pse e lexojmë këtë në ungjillin se pasi e kishin parë Jezusin të lutej, ata i thanë: “O Zot, na mëso të lutemi!

Në jetën time jam përpjekur të jem gjithmonë shumë afër njerëzve të varfër dhe mund të them me ndershmëri se u jam shumë borxhli atyre sepse ishte pikërisht nëpërmjet këtyre njerëzve, më shumë se në çdo njeri tjetër që kam thelluar edhe më shumë dijen mbi artin e lutjes.

Në të vërtetë, eksperienca e lypjes na ndërgjegjëson për nevojat e tyre dhe mënyrat me të cilat ata luten, këto më kanë ndihmuar të reflektoj.

Së pari, pse ata vijnë tek ne, priftërinj dhe rregulltarë/e? Thjesht sepse e dinë që dyert dhe zemrat tona janë gjithmonë të hapura për ata, sepse jemi të ndjeshëm ndaj nevojave të tyre. Me fjalë të tjera, vijnë tek ne sepse besojnë tek ne.

Së dyti, ata nuk heqin dorë lehtësisht edhe nëse përgjigjja jonë e parë ishte: “Nuk mund të të ndihmoj!” Ata vazhdojnë të këmbëngulin, derisa marrin pak ndihmë të cilën e kanë kërkuar.

Së treti, shumë prej tyre nuk kanë turp të lypin. Ata janë të detyruar ta bëjnë, sepse kanë shumë nevojë. Por nëse ata druhen ta bëjnë këtë personalisht, çfarë bëjnë? Ata dërgojnë fëmijët e tyre. Ndoshta kjo është një nga arsyet pse Zoti ynë na nxit të bëhemi si fëmijët e vegjël: fëmijët janë më shumë të vetëdijshëm për pafuqinë e tyre, kur nevojitet ndihmë, e kështu nuk janë të ndrojtur. Ata janë duarbosh.

Tani këto janë arsyet pse kam thënë se lutja është një art dhe se lypësit më kanë ndihmuar të rritem në artin e lutjes. Pse i kërkojmë Hyjit në lutje? Saktësisht sepse besojmë në Të, jemi të bindur se Ai është pranë secilit prej nesh dhe për dashurinë e Tij atërore. Disa filozofë, si Aristoteli, nuk mund të ëndërronin kurrë për një Hyj i cili i qëndron afër njerëzimit. Për ata, Hyji është tërësisht transcendent; si është e mundur që një qenie e pakufishme të preket nga një vështirësi e brishtësisë njerëzore? Por ky nuk është Zoti i Biblës, Zoti i cili e zbuloi Vetveten si një Atë i dashur. Gjithashtu Jezusi do të na drejtojë tek ai me të njëjtin kumbim. Apostujt e panë Jezusin duke u lutur dhe e kërkuan: “Na mëso të lutemi!” Jezusi u përgjigjet duke u mësuar atyre një lutje e cila i drejtohet Hyjit si “Atë”, e cila këtu përkthen fjalën Aramaike “Abba”, një fjalë që është më e përshtatshme të përkthehet me fjalën “baba”. “Abba” është një fjalë shumë familjare me të cilën një fëmijë Hebre do t’i drejtohej të atit. Kështu që lutja krijon një marrëdhënie të veçantë me Hyjin si një Atë i dashur. Jezusi vazhdon ta theksojë këtë lloj marrëdhënieje kur thotë: “Cili prej jush që është baba, po i lypi djali, peshk, në vend të peshkut do t’i japë gjarpër? Ose, nëse i lyp vezë, do t’i japë akrep?”

Një pikë tjetër përsa i përket lutjes është fakti se është një ushtrim mbi besimin. Por nuk bëhet fjalë për një besim abstrakt; është një besim ekzistencial i cili kërkon përqendrim në lutje dhe një angazhim për t’u lutur. Sërish, në ungjillin Jezusi thekson nevojë për t’u lutur duke treguar shëmbëlltyrën e njeriut i cili shkon tek miku i tij në mes të natës, me këmbëngulje duke kërkuar tri bukë. Mesazhi që përcjell kjo shëmbëlltyrë është se lutja është e efektshme.

Për shumë vjet shën Monika u lut dhe derdhi shumë lot, duke dëshiruar kthimin e djalit të saj, Augustinit. Këto lutje u dëgjuan, por kaluan shumë vjet para se ajo të shihte frytin e lotëve të saj. Por ajo kurrë nuk hoqi dorë. Këmbëngulja në lutje shpreh besimin tonë në efektshmërinë e lutjes.

Dhe lutja duhet të shoqërohet gjithmonë me një qëndrim të thjeshtë e të përulur. Ishte pikërisht përulja e tagrambledhësit, i cili hyri në tempull krejt i vetëdijshëm për nevojën e domosdoshme që kishte për mëshirën e Hyjit, që e udhëhoqi drejt kthimit të tij. Kështu që është pikërisht kur kemi thjeshtësinë e një fëmije, i cili është i vetëdijshëm se nuk është i vetë-kënaqur, atëherë mund të mësojmë të lutemi. Duhet t’i afrohemi Hyjit duarbosh. Po, dhuratat e Hyjit janë për duarboshët. Nëse ato janë të mbushura me zhavorrë, nuk lemë hapësirë për dhuratat e Tij.

Në Librin e Zanafillës kemi shembullin e Abrahamit, i cili me thjeshtësi por edhe me shumë familjaritet hyn në dialog me Hyjin duke ndërmjetësuar për njerëzit e Sodomës dhe Gomorrës. Vetë Abrahami e pranon se po fliste me shumë guxim me Hyjin, ndonëse tha: “Unë jam vetëm pluhur dhe hir”. Kjo na kujton dy figurat e mëdha të Besëlidhjes së Vjetër të cilët guxuan të flisnin me Hyjin me të njëjtin guxim, familjaritet dhe çiltërsi: Moisiu dhe Jeremia. Lutja na hap ndaj Hyjit në një mënyrë që na lejon të flasim me shumë familjaritet me Të.

Megjithatë, lutja nuk është thjesht lypëse; është gjithashtu lavdërim, falënderim, dhe kërkim faljeje. Kur flas me fëmijët për llojrat e ndryshme të lutjes e gjej shumë të thjeshtë t’ua shpjegoj këtë duke iu referuar katër fjalëve: “Përshendetje”, “Të lutem”, “Faleminderit” dhe “Më fal”. Lutja nuk është vetëm “Të lutem”, është gjithashtu “Përshëndetje”, “Faleminderit” dhe “Më fal”. Ja pra, pse lutjet e Hyjit përfshijnë jo vetëm fjalët “na jep bukën tonë të përditshme”, por edhe thirrjet “u shenjtëroftë emri yt, ardhtë mbretëria jote ….. Na i fal fajet tona”.

Shembulli i Jezusit i inkurajon apostujt të kthehen tek ai dhe ta pyesin: “Të lutem, na mëso të lutemi! Por si lutemi ne? Lutemi si Abrahami apo Moisiu apo Jeremia? Lutemi si Jezusi?

Ne mund të lutemi në një mënyrë që edhe të tjerët të tërhiqen nga shembulli ynë për t’u kthyer tek Hyji me një besim si të një fëmije, duke iu drejtuar Atij me fjalë: “Ati Ynë!”

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme