Në Bazilikën Papnore të Shën Palit, ipeshkvijtë dhe administratorët dioqezanë të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë kremtuan Meshën e Falënderimit, e cila shënoi edhe përfundimin zyrtar të vizitës Ad Limina Apostolorum në Romë.
Meshën e kryesoi Arqipeshkvi Metropolit i Shkodër-Pultit, Imzot Giovanni Peragine.
Gjatë homelisë, ai kujtoi se ishte pikërisht apostulli Pal ai që, me zellin e tij apostolik, ungjillëzoi popullin tonë shqiptar. Ky zell, theksoi ai, duhet të karakterizojë edhe ne si të krishterë, në misionin tonë për të shpallur Ungjillin dhe për t’i shërbyer Kishës sonë martire.
Në përfundim të Meshës, të gjithë barinjtë e Kishës u lutën pranë varrit të Shën Palit, duke ia besuar ndërmjetësimit të tij Kishën dhe mbarë popullin e Zotit.

