HomeKISHMesazhi i Atit të Shenjtë Leoni XIV në përfundim të Takimit me...

Mesazhi i Atit të Shenjtë Leoni XIV në përfundim të Takimit me rastin e 10-vjetorittë Nxitjes Apostolike Postsinodale «Amoris laetitia»

Të dashur vëllezër në Episkopat,
Të dashura familje,
Të dashur vëllezër e motra,

siç e dini, gjatë këtyre ditëve nuk pata mundësi të jem mes jush. Ju falënderoj nga zemra për lutjet tuaja dhe për punën që keni bërë së bashku. Bashkëndarja e përvojave tuaja dhe dëgjimi juaj i vëmendshëm përbëjnë vërtet një dhuratë për mbarë Kishën.

U jam veçanërisht mirënjohës familjeve që kanë folur për gëzimet, vështirësitë dhe shpresat e tyre, si edhe Krerëve të Kishave Katolike Lindore dhe Presidentëve të Konferencave Ipeshkvore, për përgatitjen e tyre dhe për kohën që i kanë kushtuar këtij takimi.

Do t’i lexoj frytet e punës dhe të diskutimeve tuaja dhe, kur të vijë koha, do të paraqes reflektimet e mia. Ndërkohë, ju nxis të filloni të bashkëndani me Konferencat tuaja Ipeshkvore dhe me Dioqezat atë që keni përjetuar dhe keni marrë, si dhe të vazhdoni ta shpallni Ungjillin së bashku me familjet, duke marrë nga pasuria e «Amoris laetitia».

Në veçanti, shpresoj që vetë familjet të jenë gjithmonë të përfshira në mënyrë aktive në jetën dhe në misionin e Kishave tuaja vendore dhe t’ju ndihmojnë për të shoshitur rrugët që duhen përshkuar. Me t’u kthyer në shtëpi, ju lutem t’i siguroni të gjithë anëtarët e bashkësive tuaja për afërsinë time shpirtërore dhe për inkurajimin tim.

Ndërsa secilin prej jush ia besoj mbrojtjes së Familjes së Shenjtë të Nazaretit, ju kërkoj që të luteni për mua, ashtu siç lutem edhe unë për ju. Me kënaqësi u jap të gjithëve Bekimin Apostolik.

Nga Vatikani, 13 tetor 2026

LEONI PP. XIV

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme