Në kuadër të hapjes së konferencës kushtuar promovimit të bashkëpunimit ndërfetar dhe reflektimit mbi vlerat e përbashkëta shpirtërore, presidenti i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë Imzot Gjergj Meta mbajti fjalën e tij përshëndetëse para pjesëmarrësve. Në mesazhin e tij, ai vuri në qendër dinjitetin e patjetërsueshëm të çdo njeriu, shenjtërinë e krijimit dhe përgjegjësinë e përbashkët për ndërtimin e një shoqërie të bazuar në drejtësi, paqe dhe solidaritet. Duke theksuar traditën e bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri, ai ftoi të gjithë të vazhdojnë të jenë dëshmitarë të së mirës dhe të së shenjtës në botën e sotme. Ja fjala e tij:
Të Nderuar pjesëmarrës, Të dashur vëllezër e motra,
Falënderoj organizatorët për përgatitjen e këtij eventi dhe për mundësinë që më jepet t’ju drejtohem me dy fjalë përshëndetëse të gjithë juve.
Fryma e bashkëpunimit ndërfetar dhe dëshira për ta ngritur atë në nivele sa më të mira gjen në vendin tonë një terren të përshtatshëm e pse jo një model të rëndësishëm edhe për vende të tjera.
E shenjta nuk është pikësëpari një hapësirë fizike, por prania e hyjnores brenda secilit prej nesh. Zoti ka vendosur te çdo njeri frymën e tij e kjo gjë e bën njeriun të dinjitetshëm para çdo njeriu, ligji, kohe dhe sistemi. Ky dinjitet themelor i njeriut buron pikërisht nga prania e së shenjtës brenda tij. Si i tillë është njeriu ai që ka marrë përgjegjësinë, e dhënë nga Hyji, që të jetojë shenjtërisht në këtë botë e të jetojë shenjtërisht hapësirën dhe kohën.
Njeriu në traditën biblike është i thirrur të jetë i shenjtë ashtu si Hyji i tij është i shenjtë (krh. Lev 19,2).
Por jo vetëm njeriu, edhe krijimi është frut i Fjalës së Hyjit: ai tha dhe çdo gjë u bë. Në këtë kuptim bota, realiteti, gjithçka që na rrethon është e shenjtë, sepse në të banon Hyji, Perëndia i gjithpushtetshëm dhe plot dashuri. Gjithçka është frut i dashurisë së tij.
E megjithatë forcat e errëta të së keqes mundohen të zhbëjnë atë çka Hyu ka bërë të mirë, të bukur e të vërtetë. Janë forca që tërheqin njeriun drejt humnerës së pushtetit, parasë, lavdisë dhe pangopësisë. Në vend të një paqeje të ç’armatosur dhe ç’armatosëse, sikurse ka thënë Papa Leoni XIV, shpesh njerëzit, fuqitë e mëdha, shumë qeveri, zgjedhin rrugën e konfliktit dhe të luftës, zgjedhin sundimin e njeriut mbi njeriun e po ashtu shfrytëzimin e asaj çka Zoti e ka dhënë për të gjithë, d.m.th. pasuritë e tokës, për pak njerëz.
Të dashur miq, jetojmë në kohë të vështira ku fuqia e mirësisë dhe e bukurisë së të shenjtës e reflektuar te njeriu dhe te krijimi, duket sikur po pengohet e errësohet nga forcat e ligësisë dhe të shëmtisë në emër të pushtetit, të përfitimit, të sundimit dhe dhunës së më të fortit.
Është detyrë e jona e të gjithëve që të lartësojmë lutjen dhe të aktivizojmë angazhimin tonë për një botë më të mirë ku të jetojmë të gjithë në drejtësi e paqe, në emër të Zotit, të dinjitetit të patjetërsueshëm të njeriut dhe të dashurisë për njëri-tjetrin.
Të nderuar miq, këtë mision ne nuk mund ta braktisim asnjëherë, pavarësisht vështirësive që na dalin përpara, pavarësisht ndryshimeve dhe mënyrave të ndryshme se si jetojmë traditat tona fetare, pavarësisht dhunës së forcave të errëta të së keqes, pavarësisht gjithçkaje. Duhet të vazhdojmë të jemi shenjë e fortë dhe dëshmi e qartë e së shenjtes në botën tonë, në realitetin ku jetojmë, në Shqipërinë tonë.
Edhe një herë urime konferencës e Zoti ju bekoftë të gjithëve!

