Për dashuri të Sionit nuk do të hesht
Mesazh i Ministrit të Përgjithshëm të Urdhrit të Fretërve Minorë mbi luftën në Lindjen e Mesme
Për dashuri të Sionit nuk do të hesht, për dashuri të Jerusalemit s’do t’i jap vetes pushim (Is 62,1).
Prej kohësh më shoqëron një pyetje: deri kur është e mundur të heshtim përballë së keqes që lëndon botën?
Si besimtar, si frat minor dhe si Ministër i Përgjithshëm i një vëllazërie të pranishme prej shekujsh në Tokën e Shenjtë, ndiej se ka ardhur çasti për të folur.
Në këtë reflektim dalin në pah, nga njëra anë, frika për të marrë qëndrim dhe dyshimi; nga ana tjetër, imperativi ungjillor për të folur në emër të vëllezërve të mi të shpërndarë në mbarë botën, veçanërisht për situatat që prej vitesh trazojnë Lindjen e Mesme, ku ne Fretërit Minorë jemi të pranishëm: nga Izraeli në Palestinë, nga Jordania dhe Libani deri në Siri.
Kam qenë shumë herë në këto vende, edhe gjatë viteve të fundit. Kam takuar nëna që qajnë bijtë e tyre, familje që janë të detyruara të braktisin shtëpitë, njerëz që vazhdojnë të shpresojnë pavarësisht çdo gjëje. Më ka prekur veçanërisht gjendja e të rinjve, të cilët nuk shohin asnjë të ardhme dhe shpesh dëshirojnë vetëm të largohen. E si mund t’i qortosh?
Ngjarjet e fundit e kanë mbushur kupën: në Izrael dhe në Gazë, në jug të Libanit deri në Bejrut, e në orët e fundit në Taybeh, që tradicionalisht identifikohet me Efraimin biblik, ku Jezusi u tërhoq para Mundimit të vet.
Përballë mijëra e mijëra fëmijëve të vdekur, përballë viktimave të një dhune që godet çdo moshë e çdo gjendje, përballë shkatërrimit të verbër që lë pas tokë të djegur, përballë grabitjes së tokave dhe të drejtave të popujve, ndiej se duhet të përsëris me profetin se pikërisht sepse e dua, sepse e duam Jerusalemin dhe mbarë atë tokë – djep i popujve të ndryshëm që nga lashtësia më e hershme – nuk mund të heshtim më.
Marr plotësisht mbi vete përgjegjësinë për këto fjalë, duke i shqiptuar me druajtje dhe me liri ndërgjegjeje.
Do të doja që të gjithë popujt të shihnin drejtësinë dhe lavdinë e Jerusalemit (krh. Is 62,2) dhe ta thërrisnin me një emër të ri, që vetëm Hyji mund ta japë e që asnjë strategji njerëzore nuk do të mund ta sajojë.
Do të doja që askush të mos e quante më Jerusalemin «e lëna», as tokën e tij «e shkretuar» (krh. Is 62,4). E përballë shkatërrimit të plotë të shtëpive e të njerëzve, pyetja ngrihet e fortë dhe e dhimbshme: deri kur?
Deri kur pushteti do të pretendojë se mund të shkatërrojë pa u ndëshkuar dhe pak vetë do të vendosin se kush duhet të jetojë e kush duhet të vdesë – të vegjlit, të rinjtë në një festë muzikore, familjet në Izrael, në Gazë, në Bregun Perëndimor, në Liban?
Deri kur fëmijët do të vazhdojnë të paguajnë çmimin e luftërave të të rriturve?
Deri kur ligji i më të fortit do të konsiderohet më i rëndësishëm se e drejta dhe dinjiteti njerëzor?
Dhe deri kur kjo do të ndodhë edhe në Ukrainë dhe në kaq shumë vende të tjera të botës, të goditura nga dhuna, shtypja dhe luftërat pa fund, që tashmë pothuajse janë bërë vlerë në vetvete?
E deri kur do të qëndrojmë në heshtje, të dorëzuar përballë banalitetit të së keqes, të trembur nga pasojat e një fjale që denoncon, mbase vetëm nga dëshira për të qenë të qetë e për të mos e ngarkuar veten me dhimbjen e botës?
Shtegtar shumë herë në Tokën e Shenjtë, kam mësuar se ajo tokë ka një forcë simbolike unike, për të gjithë. Ne të krishterët nuk jemi të huaj ndaj saj: këtu etërit tanë kërkonin fytyrën e Hyjit, këtu Krishti eci dhe këtu Kisha e tij vazhdon ta dëshmojë atë përgjatë rrjedhës së kohës. Asnjë popull nuk është i huaj ndaj saj: as populli i Besëlidhjes, as dishepujt e Krishtit, as besimtarët e Islamit.
Kemi nevojë, kësisoj, për rojtarë mbi muret e tua, Jerusalem, që të mos heshtin as ditën e as natën, duke kujtuar premtimet e Zotit (krh. Is 62,6). Dhe as Zotit nuk duam t’i japim pushim, derisa ta përtërijë Jerusalemin dhe ta ketë bërë Nderin e tokës (krh. Is 62,7).
Nuk gjejmë pushim, o Zot: si Fretër Minorë që vazhdojmë të qëndrojmë në atë tokë që prej kohës kur mbërritëm atje në ditët e shën Françeskut të Asizit. Besnikë ndaj popujve që e banojnë atë tokë – të përkushtuar ndaj ruajtjes së shenjtëroreve dhe mikpritjes së shtegtarëve, ndaj baritores dhe edukimit në shkolla, ndaj dialogut, veprave shoqërore e kulturore – duam të vazhdojmë të ecim në atë rrugë, ta pastrojmë nga gurët dhe të ngremë një flamur paqeje (krh. Is 62,10).
Nuk mundemi dhe nuk duam të mbetemi neutralë, por të jemi ndërtues paqeje, veprimtarë të drejtësisë, të aftë për ta denoncuar të keqen nga cilado anë që të vijë.
Asnjë arsye politike, fetare, strategjike apo ushtarake nuk mund ta përligjë mohimin e dinjitetit të pacenueshëm të çdo personi njerëzor, pa asnjë përjashtim.
Zgjedhim të qëndrojmë, edhe kur prania jonë mund të duket se nuk është më e mirëpritur. Zgjedhim të qëndrojmë me përvujtërinë e të vegjëlve dhe me guximin e çiltër të atyre që kanë mësuar nga Jezusi i Nazaretit për t’i dhënë Hyjit atë që i përket Hyjit dhe Cezarit atë që i përket Cezarit.
Nuk duam të mbetemi neutralë as ne që nuk jetojmë në Tokën e Shenjtë, por që e duam dhe e bëjmë të njohur në botë si tokë paqeje. Le të mësojmë nga kaq shumë vëllezër e motra që, me hapat e paqes e të pajtimit, ecin mbi toka të njomura me gjakun e të vegjëlve, ku jehon arroganca e pak njerëzve të pushtetshëm që pretendojnë të qeverisin botën, duke sfiduar të vetmin pushtet: atë të dashurisë së Hyjit të gjithëpushtetshëm e të mëshirshëm, që dëshiron paqen dhe lumturinë e të gjithë bijve të vet.
Nuk duam ta thërrasim paqen vetëm në mënyrë të përgjithshme, por ta quajmë për emër çkado që e pengon atë e madje mund ta bëjë edhe të pamundur. Duam të shqiptojmë fjalë e të bëjmë gjeste paqeje, të marrim qëndrim duke qëndruar pranë atyre që vuajnë – nga cilado anë që të jenë – dhe të ngremë zërin që të vegjlit të mos bëhen viktima të arrogancës së krenarëve.
Frat Françesku na ka dërguar në botë me një fjalë të thjeshtë: Zoti të dhëntë paqe!
Duam të vazhdojmë ta thërrasim atë me zë të lartë dhe ta bëjmë realitet me jetën dhe me kumtimin, së bashku me gratë dhe burrat vullnetmirë.
Sot paqja nuk mund të jetë vetëm një urim. Ajo duhet të bëhet një zgjedhje, një përgjegjësi, një marrje qëndrimi në favor të jetës së çdo personi dhe kundër çdo gjëje që e poshtëron dhe e shkatërron atë. Të angazhohemi, secili sipas përgjegjësisë së vet, për ta shndërruar këtë zgjedhje në gjeste konkrete.
Me këtë shpirt dhe me besim, ua besoj këto fjalë të varfra atyre që do të duan t’i dëgjojnë dhe, edhe një herë, vetë jetën tonë veprës së paqes e të drejtësisë. Në lutje të pandërprerë ndërmjetësuese, ju përshëndes të gjithëve në emrin e Zotit dhe me vëllazëri të përzemërt.
fra Massimo Fusarelli, OFM
Ministër i përgjithshëm
Romë, 13 qershor 2026
Festa e Shën Antonit të Padovës, pajtor i Kustodies së Tokës së Shenjtë.

