HomeKISHKatekezë 1. Liturgjia në misterin e Kishës

Katekezë 1. Liturgjia në misterin e Kishës

Dokumentet e Koncilit II të Vatikanit. II. Kushtetuta Sacrosanctum Concilium.

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita e mirë se erdhët!

Sot fillojmë një seri katekezash mbi Dokumentin e parë të shpallur nga Koncili II i Vatikanit: Kushtetuta mbi liturgjinë e shenjtë Sacrosanctum Concilium (SC).

Duke hartuar këtë Kushtetutë, Etërit konciliarë deshën jo vetëm të ndërmerrnin një reformë të riteve, por ta çonin Kishën në soditjen dhe thellimin e asaj lidhjeje të gjallë që e themelon dhe e bashkon: misteri i Krishtit. Njëmend, liturgjia prek vetë zemrën e këtij misteri: ajo është njëherësh hapësira, koha dhe konteksti në të cilin Kisha merr prej Krishtit vetë jetën e saj. Në liturgji, në të vërtetë, «shëlbimi ynë bëhet vepër» (SC, 2), që na bën fis të zgjedhur, meshtari mbretërore, komb të shenjtë, popull që Hyji e ka fituar për vete (krh. 1 Pjt 2,9).

Siç e ka dëshmuar ripërtëritja e trefishtë – biblike, patristike dhe liturgjike – që përshkoi Kishën gjatë shekullit XX, Misteri për të cilin bëhet fjalë nuk tregon një realitet të errët, por planin shpëtimtar të Hyjit, të fshehur prej amshimit dhe të zbuluar në Krishtin, sipas pohimit të Shën Palit (krh. Ef 3,3-6). Ja, pra, Misteri i krishterë: ngjarja pashkore, domethënë mundimi, vdekja, ngjallja dhe lavdërimi i Krishtit, që pikërisht në liturgji na bëhet sakramentalisht i pranishëm, kështu që sa herë marrim pjesë në bashkësinë e mbledhur «në emrin e tij» (Mt 18,20), zhytemi në këtë Mister.

Vetë Krishti është parimi i brendshëm i misterit të Kishës, popullit të shenjtë të Hyjit, lindur nga kraharori i tij i shporuar në kryq. Në liturgjinë e shenjtë, me fuqinë e Shpirtit të tij, ai vazhdon të veprojë. Shenjtëron dhe e bashkon Kishën, nusen e vet, me flinë e tij ndaj Atit. Ushtron meshtarinë e tij absolutisht unike, Ai që është i pranishëm në Fjalën e shpallur, në Sakramentet, në mbarështuesit që kremtojnë, në bashkësinë e mbledhur dhe, në mënyrën më të lartë, në Eukaristi (krh. SC, 7). Kështu, sipas Shën Augustinit (krh. Serm., 277), duke kremtuar Eukaristinë, Kisha «e merr Trupin e Zotit dhe bëhet ajo që merr»: bëhet Trupi i Krishtit, «banesë e Hyjit nëpërmjet Shpirtit» (Ef 2,22). Kjo është «vepra e shëlbimit tonë», që na përngjashmon me Krishtin dhe na ndërton në bashkim.

Në liturgjinë e shenjtë, ky bashkim realizohet «nëpërmjet riteve dhe lutjeve» (SC, 48). Ana rituale e Kishës e shpreh fenë e saj – sipas thënies së famshme lex orandi, lex credendi –, dhe njëkohësisht formëson identitetin kishtar: Fjala e shpallur, kremtimi i Sakramentit, gjestet, heshtjet, hapësira, e gjithë kjo përfaqëson dhe i jep formë popullit të thirrur nga Ati, Trup i Krishtit, Tempull i Shpirtit Shenjt. Çdo kremtim bëhet kështu një epifani e mirëfilltë e Kishës në lutje, siç ka kujtuar Shën Gjon Pali II (Lett. ap. Vicesimus quintus annus, 9).

Nëse liturgjia është në shërbim të misterit të Krishtit, kuptohet pse është përcaktuar si «kulmi drejt të cilit priret veprimi i Kishës dhe, njëkohësisht, burimi prej të cilit rrjedh e gjithë energjia e saj» (SC, 10). Është e vërtetë se veprimi i Kishës nuk kufizohet vetëm në liturgji; megjithatë çdo veprim i saj (predikimi, shërbimi ndaj të varfërve, shoqërimi i realiteteve njerëzore) përqendrohet drejt këtij «kulmi». Në drejtimin e kundërt, liturgjia i mbështet besimtarët duke i zhytur vazhdimisht në Pashkën e Zotit dhe, për këtë arsye, përmes shpalljes së Fjalës, kremtimit të sakramenteve dhe lutjes së përbashkët, ata përtërihen, marrin zemër dhe forcohen në angazhimin e fesë dhe në misionin e tyre. Me fjalë të tjera, pjesëmarrja e besimtarëve në veprimin liturgjik është njëkohësisht «e brendshme» dhe «e jashtme».

Kjo do të thotë gjithashtu se ajo është e thirrur të shpaloset konkretisht përgjatë gjithë jetës së përditshme, në një dinamikë etike dhe shpirtërore, kështu që liturgjia e kremtuar përkthehet në jetë dhe kërkon një jetë besnike, të aftë që ta bëjë konkrete atë që është jetuar në kremtim: pikërisht kështu jeta jonë bëhet «flijim i gjallë, i shenjtë dhe i pëlqyeshëm për Hyjin», duke realizuar «kultin tonë shpirtëror» (Rm 12,1).

Në këtë mënyrë, «liturgjia i ndërton çdo ditë ata që janë në Kishë si tempull i shenjtë në Zotin» (SC, 2), dhe formon një bashkësi të hapur dhe mikpritëse ndaj të gjithëve. Ajo, në të vërtetë, banohet nga Shpirti Shenjt, na fut në jetën e Krishtit, na bën Trupi i tij dhe, në të gjitha përmasat e saj, përfaqëson një shenjë të njësisë së mbarë gjinisë njerëzore në Krishtin. Siç thoshte Papa Françesku, «bota ende nuk e di, por të gjithë janë të ftuar në gostinë e dasmës së Qengjit (Zb 19,9)» (Lett. ap. Desiderio desideravi, 5).

Të dashur, të lejojmë që të formësohemi së brendshmi nga ritet, simbolet, gjestet dhe sidomos nga prania e gjallë e Krishtit në liturgji, të cilën do të kemi sërish rastin ta thellojmë në katekezat e ardhshme.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme