Vjen një çast kur historia pushon së qeni rrëfim i thjeshtë e bëhet prani. Kjo ndodhi sot, në orën 11.45, në Sallën e Papëve në Vatikan, ku kardinali shqiptar Ernest Simoni u prit nga Papa Leoni XIV, i cili e deshi edhe në Lozhën qendrore të Bazilikës së Shën Pjetrit për bekimin “Urbi et Orbi” të Pashkëve të sivjetme. Nuk ishte vetëm audiencë private e as vetëm festë formale për shtatëdhjetë vjetët e tij si meshtar: ishte takimi ndërmjet një jete të shënuar nga persekutimi dhe një Kishe, që vazhdon t’u dëshmojë njerëzve vlerën e kujtesës. Papa e priti kardinalin Simoni një ditë pas festës së Zojës së Këshillit të Mirë, në 130-vjetorin e shpalljes së saj Pajtore e Shqipërisë, menjëherë pasi në Bazilikën kushtuar asaj në Shkodër u kremtua mesha solemne edhe për hapjen e Vitit Jubilar, kryesuar nga kardinali i Bazilikës Papnore të Zojës së Madhe në Romë, Rolandas Makrickas.

Që “të mos përsëritet më”
“Nuk e mendoja kurrë se do të kisha mundësi të festoja 70-vjetorin tim…” ka deklaruar kardinali Simoni në këtë periudhë në festimet e shumta për nder të tij, edhe në Shqipëri e Kosovë, përveçse në shumë famulli të vendeve të ndryshme. Fjalë të thjeshta, për të sjellë ndërmend një jetë aspak të thjeshtë. Të shtëna me mitraloz, kërcënime me vdekje, burg, punë e detyruar në miniera dhe kanalizime: imazhe jo të largëta, por fragmente konkrete të një biografie si ajo e tij, që përfshin një nga periudhat më të ashpra në historinë e Shqipërisë, nën regjimin e Enver Hoxhës. Histori e ditur tashmë, por jo gjithmonë e mbajtur mend si mësim, që ajo kohë, siç i tha Papa shenjt Gjon Pali II edhe popullit shqiptar, gjatë vizitës së tij më 1993, “të mos përsëritet më”.
E megjithatë, brenda atij terri, një dritë mbeti gjithnjë e ndezur. I shuguruar meshtar më 7 prill 1956, në Shkodër, Ernest Simoni nuk hoqi dorë kurrë nga feja e tij, edhe kur gjithçka dukej se i diktonte të kundërtën. Në burg, kremtoi Eukaristinë fshehurazi, me hoste të bëra me miell dhe ujë. Gjest themelor për një të krishterë, ndoshta i padukshëm, por në gjendje të bashkonte një komunitet të plagosur, duke kujtuar se edhe atje, brenda mureve të burgut, besimi në Zotin nuk ishte zhdukur.
Takimi me Papën
Takimi me Papën filloi në heshtjen e një bisede private. Pastaj hynë anëtarët e familjes, rreth dyzet veta, duke sjellë me vete atë përmasë konkrete, të përditshme, që u reziston edhe historive më dramatike: familjen, fytyrat, vazhdimësinë e jetës. Një përshëndetje, një fotografi, një moment që duket i thjeshtë, por në të vërtetë shënon kalimin nga kujtesa personale në atë kolektive, në atë që bëhet pasuri e përbashkët e të gjithë duhet ta mbajnë mend.

Fugurja e martirëve shqiptarë e reliket e tyre
Ndërmjet dhuratave, njëra në veçanti flet më fort se shumë fjalime: fugurja e martirëve shqiptarë të komunizmit, e shoqëruar nga një relikuar. Nuk është thjesht një shenjë e përshpirtshme. Është një popull, që hyn simbolikisht në Sallën e Papëve, me plagët dhe me dinjitetin e vet. Është kujtimi i burrave dhe grave, vrarë nga urrejtja për fenë, të cilët kardinali i paraqet me emocion: shokët e pafajshëm të burgut, që i njohu personalisht e që i qëndruan besnikë Krishtit deri në fund.
Kjo kujtesë nuk është kurrë e dhënë një herë e përgjithmonë. Në Shqipëri, gjatë komunizmit, ajo u mohua, u fsheh, u rishkrua. Por nuk u zhduk. Sepse, siç tregon historia e kardinalit Simoni, edhe një pakicë, edhe një ndërgjegje e vetme që s’fle, mjafton që e vërteta të mos zhduket plotësisht.
Çfarë mbetet kur gjithçka të hiqet?
Në vitin 2016, Papa Françesku e krijoi Ernest Simonin kardinal, pasi dëgjoi dëshminë e tij, gjatë vizitës në Tiranë, dëshmi, që e përloti dhe e la pa fjalë, së bashku me atë të motër Maria Kaletës. Sot, është Papa Leoni XIV që e priti, në një kalim ideal stafete, që ka të bëjë jo vetëm me individët, por edhe me vetë vlerën e dëshmisë në Kishë.
Shtatëdhjetë vjet meshtari, për kardinalin Ernest Simoni, nuk janë thjesht një moment historik për t’u festuar, por një udhëtim që vazhdon të ngacmojë ndërgjegjet. Historia e tij nuk ofron përgjigje të lehta, por ngre një pyetje themelore: çfarë mbetet kur gjithçka të hiqet?
Në rastin e tij, mbetet feja. Mbetet kujtesa. Mbetet aftësia për ta shndërruar edhe vuajtjen në dëshmi. E ndoshta, ky është pikërisht kuptimi më i thellë i takimit të sotëm të kardinalit 97-vjeçar me Atin e Shenjtë: të kujtojmë se Kisha nuk jeton vetëm me fjalë, por me jetë që, duke kaluar edhe nëpër terrin më të errët, vazhdojnë të dëshmojnë dritën.


