14.5 C
Tirana
HomeKISHKatekezë 4. Kisha, popull meshtarak dhe profetik
HomeKISHKatekezë 4. Kisha, popull meshtarak dhe profetik

Katekezë 4. Kisha, popull meshtarak dhe profetik

Dokumentet e Koncilit II të Vatikanit. Kushtetuta dogmatike Lumen gentium.

Të dashur vëllezër e motra, mirëdita e mirë se erdhët!

Sot do të doja të ndalem sërish te kapitulli i dytë i Kushtetutës konciliare Lumen gentium (LG), kushtuar Kishës si popull i Hyjit.

Populli mesianik (LG, 9) merr nga Krishti pjesëmarrjen në veprën meshtarake, profetike dhe mbretërore në të cilën përmbushet misioni i tij shpëtimtar. Etërit konciliarë mësojnë se Zoti Jezus ka themeluar, përmes Besëlidhjes së re e të amshuar, një mbretëri meshtarësh, duke i bërë dishepujt e vet një «meshtari mbretërore» (1 Pjt 2,9; krh. 1 Pjt 2,5; Zb 1,6). Kjo meshtari e përbashkët e besimtarëve jepet me Pagëzim, i cili na bën të aftë t’i kushtojmë Hyjit një kult në shpirt e në të vërtetë dhe të «shpallim publikisht fenë që në është dhënë nga Hyji përmes Kishës» (LG, 11). Për më tepër, përmes sakramentit të Krezmimit, të gjithë të pagëzuarit «lidhen më përsosmërisht me Kishën, pasurohen me një forcë të veçantë nga Shpirti Shenjt dhe në këtë mënyrë janë më ngushtësisht të detyruar që ta përhapin dhe ta mbrojnë fenë me fjalë e me vepra, si dëshmitarë të vërtetë të Krishtit» (po aty). Ky shugurim qëndron në rrënjën e misionit të përbashkët që bashkon mbarështuesit e shuguruar dhe besimtarët laikë.

Në këtë drejtim, Papa Françesku vërente kështu: «Të shohësh popullin e Hyjit do të thotë të kujtosh se të gjithë hyjmë në Kishë si laikë. Sakramenti i parë, ai që vulos përgjithmonë identitetin tonë dhe për të cilin duhet të jemi gjithmonë krenarë, është Pagëzimi. Nëpërmjet tij dhe me lyerjen e Shpirtit Shenjt, [besimtarët] “shugurohen për të formuar një tempull shpirtëror dhe një meshtari të shenjtë” (LG, 10), kështu që të gjithë ne formojmë Popullin e shenjtë besnik të Hyjit» (Letër drejtuar Presidentit të Komisionit Papnor për Amerikën Latine, 19 mars 2016).

Ushtrimi i meshtarisë mbretërore realizohet në shumë mënyra, të gjitha të drejtuara drejt shenjtërimit tonë, para së gjithash duke marrë pjesë në flijimin e Eukaristisë. Nëpërmjet lutjes, askezës dhe dashurisë vepruese, dëshmojmë kështu një jetë të ripërtërirë nga hiri i Hyjit (krh. LG, 10). Siç e përmbledh Koncili, «natyra e shenjtë dhe struktura organike e bashkësisë meshtarake realizohen përmes sakramenteve dhe virtyteve» (LG, 11).

Etërit konciliarë mësojnë më tej se populli i shenjtë i Hyjit merr pjesë edhe në misionin profetik të Krishtit (krh. LG, 12). Në këtë kontekst paraqitet tema e rëndësishme e vështrimit të fesë [sensus fidei] dhe e pëlqimit të besimtarëve. Komisioni Doktrinor i Koncilit saktësonte se ky sensus fidei «është si një aftësi e mbarë Kishës, falë së cilës ajo, në fenë e saj, e njeh zbulimin e përçuar, duke dalluar midis të vërtetës dhe të rremes në çështjet e fesë, dhe njëkohësisht depërton më thellë në të dhe e zbaton më plotësisht në jetë» (krh. Acta Synodalia, III/1, 199). Vështrimi i fesë u përket, pra, të gjithë besimtarëve, jo në mënyrë të pavarur, por si gjymtyrë të popullit të Hyjit në tërësinë e tij.

Lumen gentium e përqendron vëmendjen në këtë aspekt të fundit dhe e vë atë në lidhje me pagabueshmërinë e Kishës, së cilës i përket, duke e shërbyer atë, edhe ajo e Ipeshkvit të Romës. Tërësia e besimtarëve, që kanë marrë lyerjen nga Shenjti (krh. 1 Gjn 2,20.27), nuk mund të gabojë në besim dhe e shfaq këtë veçori të saj të posaçme përmes vështrimit mbinatyror të fesë të mbarë popullit, kur nga ipeshkvijtë deri te besimtarët laikë më të fundit shpreh pëlqimin e vet universal në çështjet e fesë dhe të moralit (krh. LG, 12). Kisha, pra, si bashkësi e besimtarëve që përfshin natyrisht barinjtë, nuk mund të gabojë në fe: organi i kësaj veçorie të saj, themeluar mbi lyerjen e Shpirtit Shenjt, është vështrimi mbinatyror i fesë së mbarë popullit të Hyjit, që shfaqet në pëlqimin e besimtarëve. Nga ky unitet, që Magjisteri kishtar e ruan, rrjedh se çdo i pagëzuar është subjekt aktiv i ungjillëzimit, i thirrur të japë dëshmi të qëndrueshme për Krishtin sipas dhuratës profetike që Zoti e zbraz mbi mbarë Kishën e vet.

Shpirti Shenjt, që na vjen nga Jezusi i Ngjallur, shpërndan «ndër besimtarët e çdo gjendjeje, hire të veçanta, me të cilat i bën të aftë dhe të gatshëm për të marrë mbi vete detyra dhe shërbesa të ndryshme të dobishme për ripërtëritjen dhe zgjerimin më të madh të Kishës» (LG, 12). Një dëshmi e veçantë e kësaj gjallërie karizmatike jepet nga jeta rregulltare, që vazhdimisht mbin dhe lulëzon nga veprimi i hirit. Edhe format e shprehura në shoqëri kishtare janë një shembull i ndritshëm i shumëllojshmërisë dhe të begatisë së fryteve shpirtërore për ndërtimin e Popullit të Hyjit.

Të dashur, le ta zgjojmë në ne vetëdijen dhe mirënjohjen për dhuratën që kemi marrë duke qenë pjesë e popullit të Hyjit; dhe gjithashtu përgjegjësinë që kjo bashkëmbart.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme