Dokumentet e Koncilit II të Vatikanit. Kushtetuta dogmatike Lumen gentium.
Të dashur vëllezër e motra, mirëdita e mirë se erdhët!
Sot vazhdojmë thellimin tonë mbi Kushtetutën konciliare Lumen gentium, Kushtetutë dogmatike mbi Kishën.
Në kapitullin e parë, aty ku synohet t’i jepet përgjigje sidomos pyetjes se çfarë është Kisha, ajo përshkruhet si «një realitet kompleks» (nr. 8). Tani shtrohet pyetja: në çfarë qëndron ky karakter kompleks? Dikush mund të përgjigjej se Kisha është komplekse sepse është “e komplikuar”, e pra e vështirë për t’u shpjeguar; dikush tjetër mund të mendojë se ana komplekse e saj rrjedh nga fakti se është një institucion i ngarkuar me dy mijë vjet histori, me veçori të ndryshme nga çdo bashkim tjetër shoqëror apo fetar. Por në gjuhën latine fjala “kompleks” tregon më tepër bashkimin e rregulluar të aspekteve ose përmasave të ndryshme brenda të njëjtit realitet. Prandaj Lumen gentium mund të pohojë se Kisha është një organizëm i mirëbashkuar, në të cilin bashkëjetojnë përmasa njerëzore dhe ajo hyjnore, pa ndarje dhe pa përzierje.
Përmasa e parë vërehet menjëherë, sepse Kisha është një bashkësi burrash e grash që bashkëndajnë gëzimin dhe mundin e të qenit të krishterë, me të mirat dhe mangësitë e tyre, duke kumtuar Ungjillin dhe duke u bërë shenjë e pranisë së Krishtit që na shoqëron në udhën e jetës. Megjithatë, ky aspekt – që shfaqet edhe në organizimin institucional – nuk mjafton për ta përshkruar natyrën e vërtetë të Kishës, sepse ajo zotëron edhe një përmasë hyjnore. Kjo e fundit nuk qëndron në një përsosmëri ideale apo në një epërsi shpirtërore të anëtarëve të saj, por në faktin se Kisha ka lindur nga plani i dashurisë së Hyjit për njerëzimin, i realizuar në Krishtin. Prandaj Kisha është njëkohësisht bashkësi tokësore dhe trup mistik i Krishtit, asamble e dukshme dhe mister shpirtëror, realitet i pranishëm në histori dhe popull shtegtar drejt qiellit (LG, 8; KKK, 771).
Përmasa njerëzore dhe ajo hyjnore ndërthuren në mënyrë harmonike, pa u mbivendosur njëra mbi tjetrën; kështu Kisha jeton në këtë paradoks: është një realitet njëkohësisht njerëzor dhe hyjnor, që e pranon njeriun mëkatar dhe e çon drejt Hyjit.
Për ta ndriçuar këtë gjendje kishtare, Lumen gentium i referohet jetës së Krishtit. Në të vërtetë, kushdo që takonte Jezusin në rrugët e Palestinës bënte përvojë me njerëzishmërinë e tij, me sytë e tij, me duart e tij, me tingullin e zërit të tij. Kush vendoste ta ndiqte, shtyhej pikërisht nga përvoja e shikimit të tij mirëpritës, nga prekja e duarve të tij që bekonin, nga fjalët e tij që lironin e shëronin. Por njëkohësisht, duke e ndjekur atë Njeri, dishepujt hapeshin drejt takimit me Hyjin. Njëmend, mishi i Krishtit, fytyra e tij, gjestet dhe fjalët e tij, e bëjnë të dukshëm Hyjin e padukshëm.
Në dritën e realitetit të Jezusit, mund të kthehemi tani te Kisha: kur e shikojmë nga afër, zbulojmë në të një përmasë njerëzore të bërë nga persona konkretë, që ndonjëherë shfaqin bukurinë e Ungjillit dhe herë të tjera lodhen dhe gabojnë si të gjithë. Megjithatë, pikërisht përmes anëtarëve të saj dhe përmes aspekteve të saj tokësore të kufizuara, dëftohet prania e Krishtit dhe veprimi i tij shpëtimtar. Siç thoshte Benedikti XVI, nuk ka kundërshti ndërmjet Ungjillit dhe institucionit; përkundrazi, strukturat e Kishës shërbejnë pikërisht për «realizimin dhe konkretizimin e Ungjillit në kohën tonë» (Fjalim drejtuar ipeshkvijve të Zvicrës, 9 nëntor 2006). Nuk ekziston një Kishë ideale dhe e kulluar, e ndarë nga toka, por vetëm e vetmja Kishë e Krishtit, e mishëruar në histori.
Në këtë gjë qëndron shenjtëria e Kishës: në faktin se Krishti banon në të dhe vazhdon të dhurohet përmes vogëlsisë dhe brishtësisë së anëtarëve të saj. Duke soditur këtë mrekulli të përhershme që ndodh në të, kuptojmë “metodën e Hyjit”: Ai bëhet i dukshëm përmes dobësisë së krijesave, duke vazhduar të dëftohet e të veprojë. Për këtë arsye Papa Françesku, në Evangelii gaudium, i nxit të gjithë që të mësojnë «të heqin sandalet përpara tokës së shenjtë të tjetrit (krh. Dal 3,5)» (nr. 169). Kjo na bën të aftë edhe sot për ta ndërtuar Kishën: jo vetëm duke organizuar format e saj të dukshme, por duke ndërtuar atë ndërtesë shpirtërore që është trupi i Krishtit, përmes bashkimit dhe dashurisë ndërmjet nesh.
Dashuria, në të vërtetë, përfton vazhdimisht praninë e të Ngjallurit. «Dashtë Zoti – pohonte Shën Augustini – që të gjithë të mendojnë vetëm për dashurinë: vetëm ajo, në të vërtetë, i mposht të gjitha gjërat, dhe, pa të, të gjitha gjërat nuk vlejnë asgjë; kudo që ajo gjendet, gjithçka tërheq drejt vetes» (Serm. 354,6,6).

