Të dëgjojmë e të agjërojmë
Kreshma si kohë kthimi
Të dashur vëllezër dhe motra!
Kreshma është koha kur Kisha, me përkujdesje amnore, na fton që ta rivendosim misterin e Hyjit në qendër të jetës sonë, në mënyrë që feja jonë të rifitojë hovin e saj dhe zemra të mos shkapërderdhet mes shqetësimeve dhe shpërqendrimeve të përditshme.
Çdo rrugëtim kthimi nis kur lejojmë që të na mbërrijë Fjala dhe e pranojmë atë me një zemër që mëson. Ekziston, pra, një lidhje e thellë ndërmjet dhuratës së Fjalës së Hyjit, hapësirës së mirëpritjes që ne i ofrojmë dhe shndërrimit që ajo kryen. Për këtë arsye, rrugëtimi kreshmor bëhet një rast i volitshëm për t’ia vënë veshin zërit të Zotit dhe për ta ripërtërirë vendimin për ta ndjekur Krishtin, duke ecur me Të në udhën që ngjitet drejt Jerusalemit, ku kryhet misteri i mundimit, vdekjes dhe ngjalljes së Tij.
Dëgjimi
Këtë vit do të doja të tërhiqja vëmendjen, para së gjithash, mbi rëndësinë e dhënies së hapësirës Fjalës nëpërmjet dëgjimit, sepse gatishmëria për të dëgjuar është shenja e parë me të cilën shfaqet dëshira për të hyrë në marrëdhënie me tjetrin.
Vetë Hyji, duke iu zbuluar Moisiut nga kaçuba e ndezur, tregon se dëgjimi është një tipar dallues i qenies së Tij: «E pashë mjerimin e popullit tim në Egjipt dhe e dëgjova klithjen e tij» (Dal 3,7). Dëgjimi i klithjes së të shtypurit është fillimi i një historie lirimi, në të cilën Zoti përfshin edhe Moisiun, duke e dërguar që të hapë një udhë shpëtimi për bijtë e Tij të rënë në skllavëri.
Është një Hyj që përfshihet, i cili edhe sot bashkëndan me ne atë që mban në zemrën e vet të prekur. Prandaj, dëgjimi i Fjalës në liturgji na edukon për një dëgjim më të vërtetë të realitetit: mes shumë zërave që përshkojnë jetën tonë personale dhe shoqërore, Shkrimet e Shenjta na aftësojnë për ta dalluar atë zë që ngrihet nga vuajtja dhe padrejtësia, që të mos mbetet pa përgjigje. Për ta hapur brendësinë tonë ndaj gatishmërisë për të pranuar, duhet të lejojmë që Hyji të na mësojë të dëgjojmë sikurse bëri Ai, derisa të arrijmë të njohim se «gjendja e të varfërve është një klithmë që, në historinë e njerëzimit, i drejtohet vazhdimisht jetës sonë, shoqërive tona, sistemeve politike dhe ekonomike dhe, jo të fundit, edhe Kishës».[1]
Agjërimi
Nëse Kreshma është kohë dëgjimi, agjërimi përbën një praktikë konkrete që na përgatit për ta pranuar Fjalën e Hyjit. Përmbajtja nga ushqimi, në të vërtetë, është një ushtrim asketik shumë i lashtë dhe i pazëvendësueshëm në ecjen e kthimit. Pikërisht sepse përfshin trupin, e bën më të dukshme se për çfarë kemi “uri” dhe se çfarë çmojmë thelbësore për jetesën tonë. Prandaj shërben për të dalluar e për të rregulluar “orekset”, për ta mbajtur zgjuar urinë dhe etjen për drejtësi, duke mos e lënë të dorëzohet dhe duke e formuar ashtu që të bëhet lutje dhe përgjegjësi ndaj të afërmit.
Shën Augustini, me mprehtësi shpirtërore, lë të nëpërduket tensioni ndërmjet kohës së tashme dhe përmbushjes së ardhshme që e përshkon këtë ruajtje të zemrës, kur vëren se: «Gjatë jetës tokësore u takon njerëzve që të kenë uri dhe etje për drejtësi, por që të ngopen me të i përket jetës tjetër. Engjëjt ngopen me këtë bukë, me këtë ushqim. Ndërsa njerëzit kanë uri për të, të gjithë priren me dëshirë për të. Kjo prirje me dëshirë e zgjeron shpirtin dhe ia rrit aftësinë». [2] Agjërimi, i kuptuar në këtë mënyrë, na lejon jo vetëm që ta disiplinojmë dëshirën, ta pastrojmë e ta bëjmë më të lirë, por edhe ta zgjerojmë atë, në mënyrë që të drejtohet kah Hyji dhe të orientohet për të vepruar në të mirën.
Megjithatë, që agjërimi ta ruajë të vërtetën e vet ungjillore dhe t’i shmanget tundimit të krenarisë së zemrës, ai duhet të jetohet gjithmonë në fe e në përvujtëri. Ai duhet të mbetet i rrënjosur në bashkimin me Zotin, sepse «nuk agjëron me të vërtetë ai që nuk di të ushqehet me Fjalën e Hyjit». [3] Si shenjë e dukshme e angazhimit tonë të brendshëm për t’iu shmangur mëkatit dhe së keqes me ndihmën e hirit, agjërimi duhet të përfshijë edhe forma të tjera përmbajtjeje që synojnë të na ndihmojnë për të fituar një stil jete më të përkorë, sepse «vetëm disiplina e bën të fortë dhe autentike jetën e krishterë».[4]
Prandaj, do të doja t’ju ftoja në një formë shumë konkrete përmbajtjeje, shpeshherë pak e vlerësuar; e kam fjalën për përmbajtjen nga fjalët që rrahin dhe lëndojnë të afërmin. Le të fillojmë ta çarmatosim gjuhën tonë, duke hequr dorë nga fjalët therëse, nga gjykimi i ngutshëm, nga të folurit keq për atë që s’është i pranishëm e nuk mund të mbrohet, nga shpifjet. Përkundrazi, të përpiqemi për t’i peshuar fjalët e për ta kultivuar mirësinë: në familje, mes miqve, në vendet e punës, në rrjetet sociale, në debatet politike, në mjetet e komunikimit, në bashkësitë e krishtera. Atëherë shumë fjalë urrejtjeje do t’ua lënë vendin fjalëve të shpresës e të paqes.
Së bashku
Së fundi, Kreshma vë në dukje përmasën bashkësiore të dëgjimit të Fjalës dhe të praktikës së agjërimit. Edhe Shkrimi i Shenjtë e thekson këtë aspekt në shumë mënyra. Për shembull, kur, në Librin e Nehemisë, tregon se populli u mblodh për të dëgjuar leximin publik të Librit të Ligjit dhe, duke praktikuar agjërimin, u përgatit për dëshmimin e fesë e për adhurim, në mënyrë që ta ripërtërinte besëlidhjen me Hyjin (krh. Neh 9,1-3).
Po ashtu, famullitë tona, familjet, grupet kishtare dhe bashkësitë rregulltare janë të thirrura që gjatë Kreshmës të bëjnë të rrugëtim të bashkëndarë, në të cilin dëgjimi i Fjalës së Hyjit, si edhe klithja e të varfërve dhe e tokës, të bëhet formë e jetës së përbashkët dhe agjërimi të mbështesë një pendim të vërtetë. Në këtë horizont, kthimi nuk ka të bëjë vetëm me ndërgjegjen e individit, por edhe me stilin e marrëdhënieve, me cilësinë e dialogut, me aftësinë për t’u hapur ndaj apelit që vjen nga realiteti dhe për të njohur çka e orienton me të vërtetë dëshirën, si në bashkësitë tona kishtare, ashtu edhe në njerëzimin e etur për drejtësi dhe pajtim.
Shumë të dashur, le ta kërkojmë hirin e një Kreshmeje që e bën më të vëmendshëm veshin tonë ndaj Hyjit dhe ndaj të fundmëve. Le ta kërkojmë forcën e një agjërimi që e përfshin edhe gjuhën, për t’i kursyer fjalët që lëndojnë e ku tjetri të ketë më shumë hapësirë për t’u shprehur. E të angazhohemi që bashkësitë tona të bëhen vende ku klithma e atij që vuan gjen pranim e dëgjimi të përftojë rrugë që çojnë në liri, duke na bërë më të gatshëm e më të zellshëm për të kontribuar në ndërtimin e qytetërimit të dashurisë.
Me zemër ju bekoj të gjithë ju dhe rrugëtimin tuaj kreshmor.
Nga Vatikani, 5 shkurt 2026, përkujtimi i Shën Agatës, virgjër e martire.
LEONI PP. XIV
—————————————————————
[1] Nxitja apostolike Dilexi te (4 tetor 2025), 9.
[2] Shën Augustini, Dobia e agjërimit, 1, 1.
[3] Benedikti XVI, Katekezë (9 mars 2011).
[4] Shën Pali VI, Katekezë (8 shkurt 1978).

