Dokumentet e Koncilit II të Vatikanit. Kushtetuta dogmatike Dei Verbum.
Të dashur vëllezër e motra, mirëdita e mirë se vini!
Kushtetuta konciliare Dei Verbum, mbi të cilën po reflektojmë këto javë, e tregon Shkrimin e Shenjtë, i lexuar Ky në Traditën e gjallë të Kishës, si një hapësirë të privilegjuar takimi, në të cilën Hyji vazhdon t’u flasë burrave dhe grave të çdo kohe, me qëllimin që, duke e dëgjuar, ta njohin dhe ta duan. Tekstet biblike, megjithatë, nuk janë të shkruara në një gjuhë qiellore apo mbinjerëzore. Siç na mëson edhe realiteti i përditshëm, dy persona që flasin gjuhë të ndryshme nuk e kuptojnë njëri-tjetrin, nuk mund të hyjnë në dialog, nuk arrijnë të krijojnë një marrëdhënie. Në disa raste, të bëhesh i kuptueshëm për tjetrin është një akt i parë dashurie. Për këtë arsye Hyji zgjedh të flasë duke u shërbyer me gjuhët njerëzore dhe, kësisoj, autorë të ndryshëm, të frymëzuar nga Shpirti Shenjt, kanë hartuar tekstet e Shkrimit të Shenjtë. Siç kujton dokumenti konciliar, «fjalët e Hyjit, të shprehura me gjuhë njerëzore, u bënë të ngjashme me të folurin e njeriut, ashtu siç edhe Fjala e Atit të amshuar, duke marrë dobësitë e natyrës njerëzore, u bë e ngjashme me njeriun» (DV, 13). Prandaj, jo vetëm në përmbajtje, por edhe në gjuhë, Shkrimi zbulon zbritjen e mëshirshme të Hyjit te njerëzit dhe dëshirën e tij për t’u bërë i afërt me ta.
Gjatë historisë së Kishës është studiuar marrëdhënia që ekziston ndërmjet Autorit hyjnor dhe autorëve njerëzorë të teksteve të shenjta. Për disa shekuj, shumë teologë janë shqetësuar të mbrojnë frymëzimin hyjnor të Shkrimit të Shenjtë, gati duke i konsideruar autorët njerëzorë vetëm si mjete pasive të Shpirtit Shenjt. Në kohë më të vona, reflektimi ka rivlerësuar kontributin e autorëve të shenjtë [hagjiografët] në hartimin e teksteve të shenjta, deri në atë pikë sa dokumenti konciliar flet për Hyjin si «autor» kryesor të Shkrimit të Shenjtë, por i quan edhe hagjiografët «autorë të vërtetë» të librave të shenjtë (krh. DV, 11). Siç vërente një ekzegjet i mprehtë i shekullit të kaluar, «ta ulësh veprimin njerëzor në atë të një kopjuesi të thjeshtë nuk është ta lavdërosh veprimin hyjnor». [L. Alonso Schökel, La parola ispirata. La Bibbia alla luce della scienza del linguaggio, Brescia 1987, 70.] Hyji nuk e asgjëson kurrë qenien njerëzore dhe potencialet e saj!
Nëse, pra, Shkrimi është Fjala e Hyjit në fjalë njerëzore, çdo qasje ndaj tij që shpërfill ose mohon njërën nga këto dy përmasa rezulton e pjesshme. Prej këtej rrjedh se interpretimi i drejtë i teksteve të shenjta nuk mund të shkëputet nga mjedisi historik në të cilin ato janë pjekur dhe nga format letrare që janë përdorur; përkundrazi, heqja dorë nga studimi i fjalëve njerëzore, me të cilat Hyji është shërbyer, rrezikon të çojë në lexime fondamentaliste ose spiritualiste të Shkrimit, që ia shtrembërojnë kuptimin. Ky parim vlen edhe për shpalljen e Fjalës së Hyjit: nëse ajo humbet kontaktin me realitetin, me shpresat dhe vuajtjet e njerëzve, nëse përdor një gjuhë të pakuptueshme, pak komunikuese ose anakronike, ajo rezulton joefikase. Kisha, në çdo epokë, është e thirrur që ta ripropozojë Fjalën e Hyjit me një gjuhë që është e aftë për t’u mishëruar në histori dhe për të arritur te zemrat e njerëzve. Siç kujtonte Papa Françesku, «çdo herë që përpiqemi të kthehemi te burimi dhe të rikuperojmë freskinë fillestare të Ungjillit, shfaqen rrugë të reja, metoda krijuese, forma të tjera shprehjeje, shenja më elokuente, fjalë të ngarkuara me domethënie të përtërirë për botën e sotme». [Françesku, Nxit. ap. Evangelii gaudium (24 nëntor 2013), 11.]
Po aq reduktuese, nga ana tjetër, është një lexim i Shkrimit që shpërfill prejardhjen e tij hyjnore dhe përfundon duke e kuptuar atë si një mësim thjesht njerëzor, si diçka për t’u studiuar vetëm nga këndvështrimi teknik ose si «një tekst thjesht i së kaluarës». [Benedikti XVI, Nxit. ap. post-sin. Verbum Domini (30 shtator 2010), 35.] Përkundrazi, Shkrimi, sidomos kur shpallet në kontekstin e liturgjisë, synon t’u flasë besimtarëve të sotëm, të prekë jetën e tyre të tanishme me problematikat e saj, të ndriçojë hapat që duhen hedhur dhe vendimet që duhen marrë. Kjo bëhet e mundur vetëm kur besimtari i lexon dhe i interpreton tekstet e shenjta nën udhëheqjen e të njëjtit Shpirt që i ka frymëzuar (krh. DV, 12).
Në këtë kuptim, Shkrimi shërben për të ushqyer jetën dhe dashurinë e besimtarëve, siç kujton Shën Augustini: «Kushdo që beson se i ka kuptuar Shkrimet hyjnore […], nëse përmes këtij kuptimi nuk arrin të ngrejë ndërtesën e kësaj dashurie të dyfishtë, të Hyjit dhe të të afërmit, ende nuk i ka kuptuar». [Shën Augustini, De doctrina christiana I, 36, 40.] Prejardhja hyjnore e Shkrimit kujton gjithashtu se Ungjilli, që i besohet dëshmisë së të pagëzuarve, edhe pse përqafon të gjitha përmasat e jetës e të realitetit, i tejkalon ato: ai nuk mund të reduktohet në një mesazh thjesht filantropik ose shoqëror, por është shpallja e gëzueshme e jetës së plotë e të amshuar, që Hyji na ka dhuruar në Jezusin.
Të dashur vëllezër e motra, ta falënderojmë Zotin sepse, në mirësinë e tij, nuk ia mungon jetës sonë ushqimin thelbësor të Fjalës së tij e të lutemi që fjalët tona, e më shumë se kaq jeta jonë, të mos e errësojnë dashurinë e Hyjit që rrëfehet në to.

