Në një botë që vlerëson të jashtëzakonshmen dhe kërkon vazhdimisht ndjesi të forta, kjo kohë liturgjike na mëson vlerën e qëndrueshmërisë e të durimit. Të ndjekësh Krishtin nuk do të thotë vetëm ta përjetosh praninë e tij në çaste të ndritshme, por ta kërkosh atë edhe në errësirën e zakonshme të ditëve, kur lutja duket e thatë dhe besimi nuk shoqërohet me ndjenja të forta.
Pas intensitetit shpirtëror të një kohe të veçantë liturgjike, siç ishte koha e Krishtlindjes, e shënuar nga mistere të kremtuara me solemnitet dhe nga shenja të forta të hirit, Kisha rikthehet në rrjedhën e zakonshme të ditëve. Nuk është një zbehje e përvojës së fesë, por një ftesë për ta bartur atë që është kremtuar në ritmin e përditshëm të jetës, aty ku fjala e dëgjuar dhe hiri i dhuruar kërkojnë të bëhen jetë.
Koha e Rregullt, e quajtur ndryshe Koha gjatë vitit, shpesh perceptohet si një kohë pa ngjarje të mëdha, pa theksime të forta liturgjike dhe pa emocione të dukshme shpirtërore. Ajo duket si një shtrirje e gjatë ditësh të ngjashme, ku mungojnë dritat e forta të Krishtlindjes dhe të Pashkëve. Megjithatë, pikërisht kjo thjeshtësi e saj e bën Kohën e Rregullt një hapësirë të privilegjuar për pjekurinë e fesë dhe për formimin e një përshpirtërie të qëndrueshme. Kjo nuk është një kohë e zbrazët apo e ndërmjetme, por koha në të cilën jeta e krishterë mëson të marrë formë konkrete, të rrënjoset dhe të bëhet mënyrë jetese (Çkado që të thoni dhe të bëni, le të jetë në nder të Emrit të Jezusit Zot. Kol 3,17).
Përshpirtëria e Kohës së Rregullt është thellësisht e mishëruar. Ajo na fton të hapim sytë e zemrës për të zbuluar praninë e Hyjit jo vetëm në çastet e jashtëzakonshme, por në rrjedhën e qetë të ditëve, në ritmin e zakonshëm të jetës, në gjërat që përsëriten dhe shpesh na duken të parëndësishme. Hyji na del përpara në punën e përditshme, në marrëdhëniet familjare, në takimet e zakonshme, në lodhjen e mbrëmjes dhe në shpresën e mëngjesit të ri. Kjo përshpirtëri na mëson se jeta e përditshme nuk është pengesë për takimin me Hyjin, por vendi ku ai dëshiron të na flasë e të na shoqërojë (…ndërsa ata po flisnin e po bisedonin kështu, vetë Jezusi u afrua dhe po ecte me ta. Lk 24,15).
Ngjyra liturgjike e gjelbër, që shoqëron këtë kohë, është shenjë e rritjes së ngadaltë dhe të qëndrueshme. Ajo na kujton se feja nuk zhvillohet me shpërthime të shkurtra entuziazmi, por me një ecje të duruar, që kërkon kohë, përkushtim dhe besnikëri. Ashtu si bima që rritet pa zhurmë (Mbretëria e Hyjit është porsi kur njeriu e hedh farën në dhe. Si të flejë si të rrijë zgjuar natë e ditë, fara mbin, rritet ‑ pa ditur ai se si. Mk 4,26-27), edhe jeta shpirtërore piqet në heshtje, nëse ushqehet vazhdimisht me Fjalën e Hyjit dhe me sakramentet e Kishës.
Koha e Rregullt, kësisoj, është shkollë e besnikërisë. Në një botë që vlerëson të jashtëzakonshmen dhe kërkon vazhdimisht ndjesi të forta, kjo kohë liturgjike na mëson vlerën e qëndrueshmërisë e të durimit. Të ndjekësh Krishtin nuk do të thotë vetëm ta përjetosh praninë e tij në çaste të ndritshme, por ta kërkosh atë edhe në errësirën e zakonshme të ditëve, kur lutja duket e thatë dhe besimi nuk shoqërohet me ndjenja të forta. Pikërisht në këto momente, feja pastrohet nga interesat egoiste dhe bëhet një akt i lirë besimi dhe besnikërie (Këndej gëzoheni edhe pse, në qoftë se duhet, për pak kohë jeni të trishtuar për shkak të provave të ndryshme, që feja juaj e sprovuar – shumë më e çmueshme se ari i shkatërrueshëm, të fitojë lavdi në ditën e Zbulesës së Jezu Krishtit. 1 Pjt 1,6-7).
Në këtë kuptim, Koha gjatë vitit është koha e shenjtërisë së përditshme. Shenjtëria nuk ndërtohet vetëm nga gjeste heroike apo nga përvoja të jashtëzakonshme shpirtërore, por nga besnikëria në gjërat e vogla, nga dashuria e heshtur, nga shërbimi i thjeshtë dhe i vazhdueshëm. Në familje, në vendin e punës, në bashkësinë kishtare dhe në shoqëri, besimtari thirret ta jetojë Ungjillin në mënyrë konkrete, duke e bërë atë kriter për marrëdhëniet, për zgjedhjet morale dhe për mënyrën e të jetuarit.
Koha e Rregullt bëhet kështu një kohë e shoshitjes së brendshme (krh. Lk 2,19.51). Në qetësinë e saj, besimtari mëson të dëgjojë zërin e Shpirtit Shenjt, i cili nuk flet kryesisht përmes shenjave të jashtme, por vepron në heshtjen e zemrës, në marrëdhënie me Jezusin. Kjo marrëdhënie atëherë bëhet zakon i zemrës, frymë e jetës, mënyrë të menduari dhe të vepruari. Kështu, edhe ditët më të zakonshme e anonime, ato që nuk shënohen nga ngjarje të veçanta, marrin një dritë të re dhe bëhen hapësirë e hirit.
E jetuar në këtë perspektivë, Koha e Rregullt shfaqet si një dhuratë e çmuar për jetën e krishterë. Ajo është koha në të cilën misteri/misteret i/e Krishtit ndërthuret/n me historinë personale të secilit prej nesh. Njëmend, në një lexim të vazhdueshëm të Ungjillit, mësojmë të ecim përkrah Jezusit në shërbesën e tij publike, ku nuk ndalemi vetëm te një mister i veçantë i jetës së tij, por përfshihemi në tërësinë e rrugëtimit të tij: në fjalët që ai shpall, në shenjat që kryen, në marrëdhëniet që ndërton, në mënyrën se si i afrohet njerëzve dhe si i shikon me mëshirë. Dishepulli, i vendosur në këtë udhë, ftohet të mos mbetet vetëm dëgjues i Fjalës, por të lejojë që ajo t’i formësojë mendimet, qëndrimet dhe zgjedhjet e tij të përditshme (Kështu, kushdo i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në veprim, mund të krahasohet me njeriun e urtë, i cili e ndërtoi shtëpinë e vet mbi shkëmb… krh. Mt 7,24-27).
Në Kohën e Rregullt të këtij Viti liturgjik, Kisha shoqërohet kryesisht nga Ungjilli sipas Mateut, i cili na paraqet Jezusin si Mësuesin që formëson jetën e dishepujve përmes Fjalës, veçanërisht përmes Lumnive, të shpallura në Fjalimin e Malit (krh. Mt 5,1-12), si përmbledhje e gjithë Ungjillit dhe si çelës i shoshitjes së jetës së krishterë. Edhe kur nuk shpallen drejtpërdrejt, ato mbeten horizonti brenda të cilit lexohet dhe kuptohet fjala e Jezusit: varfëria në shpirt, jo si mungesë, por si qëndrim themelor i atij që ia hap jetën Hyjit dhe nuk mbështetet te vetja, mëshira si mënyrë marrëdhënieje, etja për drejtësi si orientim i zemrës dhe paqja si fryt i besimit. Në këtë dritë, Ungjilli i Mateut bëhet ftesë për ta matur jetën jo sipas logjikës së suksesit dhe të fuqisë, por sipas logjikës së Mbretërisë së qiellit, që rritet në heshtje në zemrën e atyre që i besojnë Fjalës (krh. Mt 13,31-33).

