NË 800 VJETORIN NGA KOMPOZIMI
Në këtë pjesë të fundit të vitit 2025, ne, françeskanët e Shqipërisë, dëshirojmë të bashkohemi me shumë nisma që duan të përkujtojnë 800-vjetorin e kompozimit të Kantikut të Vëlla Diellit nga ati dhe themeluesi ynë, shën Françesku i Asizit.
Mbase mund të duket e pazakontë që t’i kushtohet një njëqindvjetor i plotë lindjes së një kompozimi poetik, edhe pse ai përfaqëson shprehjen e parë artistike në gjuhën popullore italiane të porsalindur. Arsyeja e një jehone kaq të madhe me shumë gjasë qëndron tek aktualiteti i përtërirë që ka marrë mesazhi poetik i shën Françeskut të Asizit në dritën e Magjisterit të Papa Françeskut.
Falë enciklikave të tij, me shpirt profetik, ai deshi ta tërheqë vëmendjen e njerëzve të shekullit XXI qoftë mbi rëndësinë e kujdesit ndajshtëpisë së përbashkët, dhuratë e parë kjo që i është bërë njerëzimit dhe kusht i domosdoshëm që ai të mund të vazhdojë të jetojë, qoftë mbi aspiratën e pazëvendësueshmepër të ndërtuar një botë që ia arrin të bashkojë në vëllazëri të gjitha qeniet që e banojnë këtë planet aq të jashtëzakonshëm sa edhe tragjik.
Të vetëdijshëm se në panoramën kulturore dhe shkollore shqiptare Kantiku i Vëlla Diellit dhe autori i saj nuk janë shumë të njohur, kemi menduar të ofrojmë një udhëzues didaktik të përmbledhur, i cili ua mundëson mësuesve dhe operatorëve baritorë t’i udhëheqin nxënësit, si dhe grupet e fëmijëve e të rinjve, në zbulimin e një guri të çmuar të shpirtit njerëzor e të krishterë. Një vepër e tillë, duke përgënjeshtruar paragjykime kulturore të vjetruara, na zbulon një mesjetë të aftë të dialogojë me bashkëkohësinë.
I Tejetlarti, i gjithëpushtetshëm,
Zot i mirë, të tuat janë lavdet,
nderi e lavdia e çdo bekim.
Vetëm Ty, i Tejetlartë, të kanë hije,
dhe asnjeri nuk është i denjë të të përmendë.
Qofsh lëvduar, Zoti im, me të gjitha krijesat e Tua,
Veçanërisht për zotin tim vëlla Diellin,
i cili është i shndritshëm, nëpërmjet tij Ti na ndriçon.
Ai është i bukur dhe rrëzëllues,
me shkëlqim të madh: shëmbëllimi yt, është, o i Tejetlartë.
Qofsh lëvduar, Zoti im, për motrën Hënë dhe yjet:
në qiell i ke krijuar të qarta dhe të çmueshme dhe të bukura.
Qofsh lëvduar, Zoti im, për motrën Erë
dhe për motin e vrenjtur dhe të kthjellët
e për çdo stinë, nëpërmjet të cilave përkrah krijesat e tua.
Qofsh lëvduar, Zoti im, për vëlla Ujin,
i cili është fort i dobishëm e i përvuajtur
dhe i çmueshëm e i dëlirë.
Qofsh lëvduar, Zoti im, për vëlla Zjarrin,
përmes të cilit ndriçon për ne natën:
ai është i bukur dhe i hareshëm, i fortë dhe i fuqishëm.
Qofsh lëvduar, Zoti im, për motrën tonë, Tokën nënë,
e cila na ushqen dhe na mban, dhe prodhon çdo lloj fryti
me lule dhe barëra shumëngjyrëshe.
Qofsh lëvduar, Zoti im, për ata,
që falin për dashurinë Tënde,
dhe durojnë sëmundje dhe mundime.
Lum ata, që do të durojnë në paqe,
sepse prej Teje, o i Tejetlartë do të kurorëzohen.
Qofsh lëvduar, Zoti im për motrën tonë Vdekjen trupore,
nga e cila askush nga të gjallët nuk mund të shpëtojë:
vaj për ata, që do të vdesin në mëkat mortar;
lum ata, që ajo do t’i gjejë në vullnetin tënd tejet të shenjtë
sepse vdekja e përjetshme nuk do t’i cenojë.
Lavdërojeni dhe bekojeni Zotin tim e falënderojeni
e shërbejini Atij me përvujtëri të thellë.
KUSH ËSHTË AUTORI?
Autori i Kantikut të vëlla Diellit quhet Françesk. Ai ka lindur në vitin 1182 në Asizi, një qytet në Umbria (në Italinë Qendrore). Prandaj njihet edhe si Françesku i Asizit. I ati ishte Pietro di Bernardone, një tregtar i pasur pëlhurash nga Asizi. Nëna, Pika, ishte me origjinë nga Provenca (Franca jugore). Rreth moshës njëzetekatërvjeçare, Françesku heq dorë nga ideja për të arritur suksesin me anë të pasurisë dhe të forcës së armëve dhe vendos t’i kushtohet Zotit, duke jetuar në lutje e varfëri dhe pranë lebrozëve në periferi të qyteteve. Pas rreth tre vjetësh, të cilat i kaloi më së shumti në vetmi, në vitin 1208, disa miq nga Asizi kërkojnë që të bashkohen me Françeskun, të jetojnë me të dhe të udhëhiqen prej tij. Kështu lind vëllazëria e parë, e cila vepron duke ndjekur si rregull jete disa fjali të shkurtra nga Ungjilli i Shenjtë i Jezu Krishtit, të propozuara nga Françesku. Kur kjo vëllazëri e vogël arrin në dymbëdhjetë pjesëtarë, në vitin 1210, ajo merr miratimin e Papës Inoçenci III. Pas një jete të kushtuar tërësisht lutjes soditëse dhe predikimit të Ungjillit, si dhe pasi kishte udhëtuar në të gjithë Italinë, Francën, Spanjën, Egjiptin dhe Sirinë, Françesku vdiq në Asizi, më 3 tetor 1226, në moshën 44-vjeçare. Shenjtëria e jetës së Françeskut, e pranuar në mënyrë universale nga populli, u njoh zyrtarisht nga Kisha Katolike nga Papa Gregori IX, i cili kremtoi në Asizi solemnisht kanonizimin e tij më 16 korrik 1228.
ÇFARË ËSHTË KANTIKU I VËLLA DIELLIT?
Titulli Kantiku i vëlla Diellit u zgjodh nga vetë Françesku, duke iu referuar krijesës së parë të përmendur në këngë, Diellit, “që është krijesa më e bukur dhe më e ngjashme me Zotin” (FF 1615). Françesku, duke zgjedhur që të predikojë në mënyrë të thjeshtë dhe popullore, nuk shprehet në latinisht – gjuhë që ende përdorej në Kishë dhe nga njerëzit e arsimuar – por përdor gjuhën e popullit, pra dialektin e Umbrias në shekujt XII dhe XIII. Bëhet fjalë për një nga dokumentet e para me vlerë artistike që dëshmon shfaqjen e asaj që më vonë do të quhej gjuha italiane. Kjo mënyrë lutjeje, në formë poezie, në të vërtetë është krijuar për t’u shoqëruar me muzikë dhe për t’u kënduar, ashtu siç tregon vetë fjala “kantik” (“këngë e përshpirtshme”). Kantiku i vëlla Diellit është rasti më i njohur i vargjeve që krijonte Françesku, në mënyrë që vëllezërit e bashkësisë së tij t’i këndonin në fund të predikimeve. Ai vetë kompozoi edhe melodinë shoqëruese, e cila nuk na ka ardhur deri më sot. Megjithatë, këtë mungesë e kanë plotësuar shumë muzikantë modernë.
THELLIM MBI TEKSTIN
Në Kantikun e vëlla Diellit mund të dallohet një frymëzim i fortë nga modelet biblike, siç janë Psalmi 148 dhe Kënga e tre djelmoshave (Dan 3,52-90). Përveç se përsërit format e tyre lavdëruese, ai ndjek edhe strukturën letrare në pesë pjesë:
- lavdet i kushtohen ekskluzivisht madhështisë hyjnore;
- lavde që vijnë nga krijesat qiellore;
- lavde që vijnë nga krijesat tokësore;
- lavde që vijnë nga njeriu që jeton në dashurinë hyjnore;
- thirrje përfundimtare për lavde universale.
Kantiku i vëlla Diellit nuk është një poezi me rimë, por më tepër një prozë ritmike. Në tekst mund të dallohen 12 strofa (numri i fiseve të Izraelit dhe Kishës), që përfshijnë 33 vargje (numri tradicional i viteve të jetës së Jezusit). Gjithashtu, janë të pranishme nënkuptime të qarta të teksteve biblike: p.sh. Zanafilla 1,1.11.24; Luka 12,37; Gjoni 8,11; Jakobi 1,12; 1 Gjoni 1,5; Zbulesa 2,11. Duhet theksuar se në pjesët II dhe III paraqiten katër elementet natyrore, që, sipas filozofëve të lashtë, përzihen, për të formuar realitetin material të botës sonë, domethënë ajri, uji, zjarri dhe toka.
KUR ËSHTË SHKRUAR DHE NË CILAT RRETHANA?
Rrethanat e kompozimit të Kantikut të vëlla Diellit i njohim falë një përmbledhjeje kujtimesh të shokëve të parë të Shën Françeskut, e njohur si Compilatio Assisiensis dhe e ruajtur në një dorëshkrim të vitit 1310 (FF 83). Kantiku i vëlla Diellit u krijua në tri faza të njëpasnjëshme.
Faza e parë:
Jemi në pranverën e vitit 1225. Françesku është shumë i sëmurë dhe vuan nga një infeksion i rëndë në sy, që mund ta kishte marrë në vitin 1219 gjatë udhëtimit të tij në Egjipt dhe Siri. Ai i kishte gjithmonë sytë të fashuar, sepse nuk e duronte dot as dritën e diellit dhe as atë të zjarrit. Për më tepër, që nga një vit më parë vuante nga plagët që i ishin shfaqur në trup në mënyrë mistike, si një shëmbëlltyrë e Krishtit të kryqëzuar. Ai ndodhet në Asizi, pranë manastirit të Shën Damianit, i strehuar në një kasolle prej kashte të ndërtuar për të. Minjtë e bezdisnin vazhdimisht.
Gjatë një nate të trazuar, ai merr shpirtërisht sigurinë se, si shpërblim për vuajtjet e përballuara me durim, do të pranohej në mbretërinë e Hyjit. Në mëngjes, plot gëzim, i dikton një frati pjesën kryesore të Kantikut (strofat I, II, III, V).
Faza e dytë:
Jemi sërish në vitin 1225, në Shën Damian. Françesku merr vesh për një përçarje të thellë mes autoritetit më të lartë civil të Asizit dhe ipeshkvit të qytetit. Duke dashur të pajtojë të dyja palët, Françesku kompozon strofën e faljes (IV a). Më pas thërret dy kundërshtarët në oborrin e katedrales, ku dy fretër këndojnë Kantikun e vëlla Diellit të plotësuar.
Faza e tretë:
Tashmë në prag të vdekjes, Françesku kalon verën e vitit 1226 në banesën e ipeshkvit të Asizit.
Për të gjetur pak lehtësim, fton vazhdimisht fretërit për të kënduar Kantikun. Si frut i meditimit të tij mbi realitetin e fundit të jetës njerëzore, ai shton në kompozim strofën që flet për vdekjen, të cilën e thërret si motër dhe qortuese për mëkatin që është shkaku i vdekjes së vërtetë dhe përfundimtare, asaj që ndan njeriun nga Zoti. (IV b).
Rrethanat e kompozimit të Kantikut të vëlla Diellit i njohim falë një përmbledhjeje kujtimesh të shokëve të parë të Shën Françeskut, e njohur si Compilatio Assisiensis (Përpilimi i Asizit).


CILI ËSHTË MESAZHI I KANTIKUT?
Mirësia dhe bukuria e krijesave
Duke i bërë jehonë tekstit biblik, që për 7 herë përcjell mirësinë e gjërave të krijuara (Zanafilla 1,1 – 2,31), Françesku, i mahnitur nga bukuria e krijesave, këndon një litani me 10 (8+2) lavde drejtuar Krijuesit. Në këtë mënyrë, ai propozon një vizion pozitiv dhe harmonik të marrëdhënies ndërmjet materies dhe shpirtit, marrëdhënie kjo që ishte vënë seriozisht në dyshim nga lëvizjet religjioze katare dhe manikeiste të kohës së tij.
Vëllazëria universale
Bota nuk është një skenë e dominuar nga një protagonist i vetëm, ku krijesat e tjera shërbejnë vetëm si sfond zbukurues. Duke shpallur origjinën e përbashkët nga e njëjta Fjalë krijuese, Françesku lartëson lidhjet e vëllazërisë që ekzistojnë jo vetëm midis njerëzve, por që përfshijnë të gjitha krijesat, edhe ato jo të gjalla. Edhe ato, me bukurinë e tyre, janë një pasqyrim hyjnor. Pra, nuk bëhet fjalë për gjëra të thjeshta që njeriu mund t’i përdorë dhe t’i shfrytëzojë për përfitimin e vet, por për dhurata të çmuara që duhen njohur me ndjenja mirënjohjeje dhe falënderimi. Vëllazëria njerëzore që, e ripërtërirë në falje, arrin t’u japë kuptim edhe vuajtjeve Askush nuk meriton të refuzohet si armik, por secili meriton të rifitohet si vëlla. Për Françeskun, asnjë copëz e ekzistencës sonë nuk duhet përbuzur. Edhe ajo që na bën të vuajmë, është pjesë e pandashme e jetës sonë.
Vdekja, jo si shtrigë, por si motër
Françesku, në mënyrë sa të thjeshtë aq dhe të guximshme, eksploron misterin e errët të fundit të jetës njerëzore, duke e ndriçuar atë me besim të thellë të krishterë. Koncepti i tij për trupin dhe shpirtin frymëzohet nga realiteti i mishërimit të Birit të Hyjit dhe vdekjes e ringjalljes së Tij. Në këtë mënyrë, ai e pranon vdekjen fizike si fund të ciklit jetësor, po ashtu edhe si hyrje në një jetë të re, të plotë dhe të përjetshme. Në këndvështrimin pajtues të Françeskut, vdekja nuk paraqitet më si një tmerr që rrëmben, por si një motër që shoqëron.
PYETJE PËR REFLEKTIM
- I Tejetlartë… dhe i mirë. Si e sheh Françesku Hyjin?
- Mbiemrat që shoqërojnë krijesat e përmendura në Kantik janë zgjedhur me kujdes. Cilët prej tyre të bëjnë më shumë përshtypje?
- Duke lexuar Kantikun, a të duket se mbizotëron një përmasë vertikale apo horizontale?
- Te Françesku, në mënyrë të habitshme, ideja e vëllazërisë është vërtet universale dhe përfshin edhe realitetet jo të gjalla. Çfarë rrjedhojash ka kjo në marrëdhëniet njeri-botë?
- Të shërbesh dhe të jesh në shërbim. A është kjo një mënyrë e re për të parë vlerën e gjërave dhe të qenieve që na rrethojnë?