10.5 C
Tirana
HomeDioqeza RrëshenKthehet në shtëpinë e Atit Kryepiskopi Anastas - Mesazh ngushëllimi nga Presidenti...
HomeDioqeza RrëshenKthehet në shtëpinë e Atit Kryepiskopi Anastas - Mesazh ngushëllimi nga Presidenti...

Kthehet në shtëpinë e Atit Kryepiskopi Anastas – Mesazh ngushëllimi nga Presidenti i KISH-it

Mons. Gjergj Meta
Kryetar i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë

Prot. Nr. 07/2025

Rrëshen 25 janar 2025

Fort të Nderuar anëtarë të Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë,
Të dashur vëllezër e motra orthodhoksë,

Kthimi në shtëpinë e Atit qiellor i Fortlumturisë së Tij Anastas, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, është një lajm që na hidhëron të gjithëve. Në emër të të gjithë Ipeshkvinjëve katolikë të Shqipërisë dhe të gjithë bashkësisë katolike ju shpreh ngushëllimet më të ndjera.

Ju keni humbur kryebariun tuaj, ne të krishterët të gjithë kemi humbur një vëlla dhe një apostull të denjë të Krishtit dhe të gjithë ata që e kanë njohur një mik të vyer e të urtë. Kontributi i Fortlumturisë së tij do të mbetet në historinë e vendit tonë si kontributi i një misionari të Ungjillit menjëherë pas rënies së komunizmit, por edhe si një atë dhe bari i mirë që ringriti Kishën Orthodhokse të Shqipërisë me urtinë, këmbënguljen dhe vizionin e tij.

Roli i tij i madh, jo vetëm në Shqipëri, por i njohur edhe ndërkombëtarisht, ka qenë edhe ai i dialogut midis të krishterësh dhe atij ndërfetar. Ka mbështetur pa kursim punën e Shoqërisë Biblike Ndërkonfesionale të Shqipërisë dhe përkthimin e Shkrimeve të Shenjta nga të krishterët, duke qenë edhe President i Bordit të kësaj shoqërie. Është ndër themeluesit e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë dhe së fundmi ishte edhe Kryetar i Bordit të Presidencës të KNFSH.

Të dashur vëllezër orthodhoksë. Mund të them me plot bindjen, nga të gjitha takimet personale që kam pasur me Fortlumturinë e tij, nga bisedat e shkëmbyera, nga shkrimet e tij dhe nga krejt jeta e tij, se për të vlejnë fjalët që shën Gjon Gojarti ka thënë për shën Palin Apostull: “Të shijonte dashurinë e Krishtit, ishte kulmi i synimeve të tija dhe duke shijuar këtë thesar të tij ndjehej më i lumtur se të gjithë”.

Fortlumturia e Tij Anastas tani shijon dashurinë e Krishtit në përjetësi e ne i lutemi Zotit për të e për ju të gjithë. Krishti e pastë në parriz!

+ Gjergj Meta
Ipeshkëv i Rrëshenit
Kryetar i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë


SINODIT TË SHENJTË TË KISHËS ORTHODHOKSE AUTOQEFALE TË SHQIPËRISË

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme