Nuk është më në pushtetin tonë të mos e ndiejmë më dhe ta harrojmë fyerjen, por zemra që i dhurohet Shpirtit Shenjt e kthen plagën në shpirtdhembshuri dhe pastron kujtesën duke shndërruar fyerjen në ndërmjetësim.
Falja dëshmon se, në botën tonë, dashuria është më e fortë se mëkati.
2838 Kjo kërkesë është vramendëse. Në qoftë se do të përmbahej vetëm në gjymtyrën e parë të frazës – «Na i fal fajet tona» –, mund të ishte përfshirë në mënyrë të heshtur në tri kërkesat e para të Lutjes së Zotit, meqenëse flijimi i Krishtit është «për shlyerjen e mëkateve». Por, sipas gjymtyrës së dytë të frazës, kërkesa jonë do të çohet në vend vetëm me kusht që ne, më përpara, t’i jemi përgjigjur një kërkese. Kërkesa jonë shikon nga e ardhmja dhe përgjigjja jonë duhet t’i ketë paraprirë asaj; i lidh një fjalë e vetme: «si».
«Na i fal fajet tona»…
2839 Kemi filluar të lusim Ati ynë me një mirëbesim të guximshëm. Duke u lutur që Emri i tij të shenjtërohet, i kemi kërkuar që përherë e më tepër të jemi të shenjtëruar. Por, megjithëse të veshur me petkun pagëzimor, ne nuk pushojmë së mëkatuari, së larguari nga Hyji. Tani, me këtë kërkesë të re, ne kthehemi tek ai, si djali plangprishës, e njohim veten fajtorë përpara tij, si tagrambledhësi. Kërkesa jonë fillon me një «rrëfim», me të cilin, në të njëjtën kohë, dëshmojmë mjerimin tonë dhe mëshirën e tij. Shpresa jonë është e sigurt sepse, në Birin e tij, «ne kemi shpërblimin – faljen e mëkateve» (Kol 1,14). Shenjën e efektshme dhe të padyshimtë të faljes së tij ne e gjejmë në sakramentet e Kishës së tij.
2840 Tani, dhe kjo është gjë e tmerrshme, ky fluks mëshire nuk mund të arrijë te zemra jonë nëse nuk i kemi falur ata që na kanë fyer. Dashuria, sikurse trupi i Krishtit, është e pandashme: nuk mund ta duam Hyjin që nuk shohim, po nuk deshëm vëllain dhe motrën që i shohim. Duke u refuzuar faljen vëllezërve tanë dhe motrave tona, zemra jonë mbyllet dhe fortësia e saj nuk lejon që të depërtojë dashuria e mëshirshme e Atit; në rrëfimin e mëkatit tonë, zemra jonë i hapet hirit të tij.
2841 Kjo kërkesë është aq e rëndësishme, sa është e vetmja mbi të cilën Zoti kthehet duke e shtjelluar në Fjalimin e malit. Njeriu e ka të pamundur ta përmbushë këtë kërkesë kyçe të misterit të Besëlidhjes. «Porse Hyji mund të bëjë gjithçka!» (Mt 19,26).
… «Si i falim ne fajtorët tanë»
2842 Ky «si» nuk është i vetmi në mësimet e Jezusit: «Jini, pra të përkryer siç është i përkryer edhe Ati juaj që është në qiell» (Mt 5,48); «Bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikurse Ati juaj është i mëshirshëm» (Lk 6,36); «Po ju jap një urdhër të ri: Doni njëri-tjetrin! sikurse unë ju desha ju, doni edhe ju njëri-tjetrin» (Gjn 13,34). Është e pamundur të zbatohet urdhërimi i Zotit, po qe se bëhet fjalë për ta imituar modelin hyjnor nga jashtë. Përkundrazi, fjala është për një pjesëmarrje jetësore, që buron «nga thellësia e zemrës», në shenjtërinë, misterin dhe dashurinë e Hyjit tonë. Vetëm Shpirti, që është jeta jonë (Gal 5,25), mund të bëjë «tonat» të njëjtat ndjenja që qenë në Krishtin Jezus. Atëherë bëhet i mundshëm uniteti i faljes, duke falur njëri-tjetrin «sikurse edhe Hyji ju fali ju në Krishtin» (Ef 4,32).
2843 Kështu marrin jetë fjalët e Zotit mbi faljen, mbi këtë dashuri që do deri në fund. Shëmbëlltyra e shërbëtorit të pamëshirë, që kurorëzon mësimin e Krishtit mbi bashkimin kishtar, mbaron me këto fjalë: «Kështu do të bëjë me ju edhe Ati im qiellor, nëse s’e falni me gjithë zemër secili vëllanë tuaj». Është aty, ç’është e vërteta, «në thellësinë e zemrës», që lidhet e zgjidhet gjithçka. Nuk është më në pushtetin tonë të mos e ndiejmë më dhe ta harrojmë fyerjen, por zemra që i dhurohet Shpirtit Shenjt e kthen plagën në shpirtdhembshuri dhe pastron kujtesën duke shndërruar fyerjen në ndërmjetësim.
2844 Lutja e krishterë arrin deri te falja e armiqve. Ajo e shndërron dishepullin duke e bërë t’i shëmbëllejë mësuesit të vet. Falja është një kulm i lutjes së krishterë; dhurata e lutjes nuk mund të merret veçse në një zemër në sintoni me dhembshurinë hyjnore. Falja dëshmon gjithashtu se, në botën tonë, dashuria është më e fortë se mëkati. Martirët e djeshëm dhe të sotëm përsëritin këtë dëshmi të Jezusit. Falja është kushti themelor i Pajtimit të bijve të Hyjit me Atin e tyre dhe të njerëzve midis tyre.
2845 Nuk ka as kufi e as masë për këtë falje thelbësisht hyjnore. Po të jetë fjala për fyerje (për «mëkate» sipas Lk 11,4 ose për «borxhe» sipas Mt 6,12), njëmend ne jemi gjithmonë borxhli: «Askujt të mos i keni tjetër detyrim, përveç detyrimit që ta doni njëri-tjetrin» (Rom 13,8). Bashkimi i së Shenjtërueshmes Trini është gurra dhe kriteri i së vërtetës së çdo marrëdhënieje. Ai jetohet në lutje, sidomos në Eukaristi:
«Hyji nuk e pranon flinë e atyre që nxitin përçarjen, ndaj u thotë atyre që të lënë mbi altar dhuratën dhe të shkojnë e të pajtohen më përpara me vëllezërit e tyre, në mënyrë që, përmes lutjeve të paqes, edhe Hyji të mund të pajtohet me ta. Hyji është paqja jonë, harmonia jonë, uniteti i mbarë popullit të besimtarëve, në Atin, Birin dhe Shpirtin Shenjt». [Shën Çipriani nga Kartagjena, De dominica Oratione, 23].