Me anë të lutjes ne mund të dallojmë vullnetin e Hyjit dhe të fitojmë qëndrueshmërinë në kryerjen e tij. Jezusi na mëson se në mbretërinë e qiellit nuk hyhet me fjalë, por duke kryer «vullnetin e Atit» të tij «që është në qiell» (Mt 7,21).
Ne jemi thellësisht të paaftë për një gjë të tillë, por, të bashkuar me Jezusin dhe me fuqinë e Shpirtit të tij të Shenjtë, mund t’i dorëzojmë atij vullnetin tonë dhe të vendosim për të zgjedhur atë që gjithmonë ka zgjedhur Biri i tij: të bëjmë atë që i pëlqen Atit.
2822 Vullneti i Atit tonë është «që të shëlbohen të gjithë njerëzit dhe t’ia arrijnë njohjes së të vërtetës» (1 Tim 2,4). Ai «është i durueshëm […] sepse nuk do që ndokush të birret» (2 Pjt 3,9). Urdhërimi i tij, që përmbledh të gjithë të tjerët dhe që na shfaq vullnetin e tij, është që ta duam njëri-tjetrin, ashtu siç na ka dashur ai.
2823 «Ai na vuri në dijeni mbi misterin e vullnetit të vet – synim që lirisht kishte vendosur qysh më parë ta kryente në Të […] d.m.th. të vërë çdo gjë nën kryesinë e Krishtit […]. Në të edhe ne u bëmë trashëgimtarë – të paracaktuar me vendim të Atij që vepron gjithçka sipas pëlqimit të vullnetit të vet» (Ef 1,9-11). Ne kërkojmë me këmbëngulje që të realizohet plotësisht ky plan dashamirësie përmbi tokë, sikurse është realizuar në qiell.
2824 Në Krishtin dhe me anë të vullnetit të tij njerëzor Vullneti i Atit është kryer plotësisht dhe njëherë e përgjithmonë. Jezusi, duke hyrë në këtë botë, ka thënë: «Ja, po vij […] për ta kryer, o Hyj, vullnetin tënd» (Heb 10,7). Vetëm Jezusi mund të pohojë «unë gjithmonë bëj çka i pëlqen Atij» (Gjn 8,29). Në lutjen e agonisë së vet, ai pajtohet plotësisht me vullnetin e Atit: «Le të bëhet, jo vullnesa ime, por vullnesa jote» (Lk 22,42). Ja përse Jezusi «flijoi vetveten për mëkatet tona […] në përkim me vullnetin e Hyjit» (Gal 1,4). «Në fuqi të këtij vullneti kemi qenë shenjtëruar me anë të flijimit të trupit të Jezu Krishtit njëherë e përgjithmonë» (Heb 10,10).
2825 Jezusi, «megjithëse ishte Bir, mësoi nga ato që pësoi të jetë i dëgjueshëm» (Heb 5,8); aq më tepër duhet të mësojmë ne, krijesa dhe mëkatarë, që jemi bërë në të bij të adoptimit. Ne i kërkojmë Atit tonë që të bashkojë vullnetin tonë me atë të Birit të tij për të bërë vullnetin e tij dhe planin e tij shpëtimtar për jetën e botës. Ne jemi thellësisht të paaftë për një gjë të tillë, por, të bashkuar me Jezusin dhe me fuqinë e Shpirtit të tij të Shenjtë, mund t’i dorëzojmë atij vullnetin tonë dhe të vendosim për të zgjedhur atë që gjithmonë ka zgjedhur Biri i tij: të bëjmë atë që i pëlqen Atit:
«Duke iu bashkuar Krishtit, ne mund të bëhemi një Shpirt i vetëm me të dhe të kryejmë kështu vullnetin e tij, në mënyrë që të bëhet plotësisht në tokë ashtu si në qiell» (Origjeni, De oratione, 26, 3).
«Çmoni se si [Jezu Krishti] na mëson që të jemi të përvujtë, duke na treguar se virtyti ynë nuk varet vetëm nga përpjekjet tona, por edhe nga hiri i Hyjit. Ai i urdhëron çdo besimtari që lutet, që ta bëjë këtë me frymëmarrje universale, domethënë për mbarë tokën. Njëmend, ai nuk thotë “U bëftë vullneti yt” në mua ose në ju, por “përmbi tokë, përmbi tokën mbarë”, në mënyrë që nga toka të eliminohet gabimi dhe përmbi tokë të mbretërojë e vërteta, të shkatërrohet vesi, të lulëzojë përsëri virtyti dhe toka të mos jetë ndryshe nga qielli» (Shën Gjon Gojarti, In Matthaeum homilia, 19, 5).
2826 Me anë të lutjes ne mund të dallojmë vullnetin e Hyjit dhe të fitojmë qëndrueshmërinë në kryerjen e tij. Jezusi na mëson se në mbretërinë e qiellit nuk hyhet me fjalë, por duke kryer «vullnetin e Atit» të tij «që është në qiell» (Mt 7,21).
2827 Në qoftë se dikush kryen vullnetin e Hyjit, ai e dëgjon (Gjn 9,31). E tillë është fuqia e lutjes së Kishës në emrin e Zotit të saj, sidomos në Eukaristi; ajo është bashkim ndërmjetësimi me të Shenjtërueshmen Nënën e Hyjit dhe me të gjithë shenjtërit që kanë dalë «të pëlqyer» para Zotit, sepse nuk kanë dashur veçse vullnetin e tij:
«Pa cenuar të vërtetën, fjalëve «U bëftë vullneti yt si në qiell, ashtu në tokë», ne mund t’u japim edhe këtë kuptim: u bëftë në Kishë si në Zotin tonë, Jezu Krishtin; u bëftë në Nusen, që është fejuar me të, si në Dhëndrin, që ka kryer vullnetin e Atit». (Shën Augustini, De sermone Domini in monte, 2, 6, 24).