10.5 C
Tirana

Atë

Fjala e parë e Lutjes së Zotit është një bekim adhurimi përpara se të jetë një lutje.

Kemi nevojë ta pastrojmë zemrën nga shëmbëllimet atërore dhe amënore, ashtu siç janë të përvijuara në historinë tonë personale dhe kulturore dhe që ndikojnë në marrëdhëniet tona me Hyjin. Hyji, Ati ynë, tejkalon kategoritë e botës së krijuar.

«Të guxojmë t’i afrohemi me plot besim»

2777 Në liturgjinë romake, mbledhja eukaristike është ftuar të lusë «Ati ynë» me guxim birnor; liturgjitë lindore përdorin dhe zhvillojnë shprehje të ngjashme: «Të guxohet me tërë sigurinë», «Na bëj të denjë për». Para kaçubës së zjarrtë Moisiut i qe thënë: «Mos u afro këtu! Hiqi sandalet prej këmbëve të tua» (Dal 3,5). Vetëm Jezusi mund ta kapërcente pragun e shenjtërisë hyjnore: është ai që, duke «kryer pastrimin e mëkateve» (Heb 1,3), na shpie përpara Fytyrës së Atit: «Ja, unë dhe fëmijët që m’i dha Hyji» (Heb 2,13): «Vetëdija që kemi për gjendjen tonë prej skllevërish, do të na bënte të fundoseshim nën tokë; të qenët tonë prej balte do të bëhej pluhur, sikur autoriteti i vetë Atit tonë dhe Shpirti i Birit të tij të mos na shtynte të lëshojmë këtë britmë: «Abba! O Atë!» (Rom 8,15). […] A do të guxonte dobësia e një vdekatari të thërrasë Hyjin Atë të vetin, po të mos ishte gjallëruar brendësia e njeriut nga fuqia prej së larti?» (Shën Pjetër Krizologu, Sermo 71).

2778 Kjo fuqi e Shpirtit, që na fut në Lutjen e Zotit, në liturgjitë e Lindjes dhe të Perëndimit shprehet me një term të bukur, tipikisht të krishterë: παρρησία-parresía, domethënë thjeshtësi e çiltër, besim birnor, siguri e gëzueshme, guxim i përvuajtur, siguri që jemi të dashur.

«Atë!»

2779 Përpara se ta bëjmë tonin këtë hov fillestar të Lutjes së Zotit, nuk është e tepërt të pastrojmë përvujtërisht zemrën tonë nga disa shëmbëllesa të rreme të «kësaj bote». Përvujtëria na bën të njohim: «askush s’mund ta njohë Atin, përveç Birit e përveç atij kujt do Biri t’ia zbulojë» (Mt 11,27), domethënë «të vegjëlve» (Mt 11,25). Pastrimi i zemrës ka lidhje me shëmbëllimet atërore dhe amënore, ashtu siç janë të përvijuara në historinë tonë personale dhe kulturore dhe ndikojnë në marrëdhëniet tona me Hyjin. Hyji, Ati ynë, tejkalon kategoritë e botës së krijuar. Të transferojmë mbi të, ose kundër tij, idetë tona në këtë fushë, do të ishte e barabartë me krijimin e idhujve për t’u adhuruar ose për t’u rrëzuar. T’i lutesh Atit do të thotë të hysh në misterin e tij, si është ai dhe si na e ka zbuluar Biri: «Shprehja Hyj-Atë nuk i ishte zbuluar kurrë askujt. Vetë Moisiu, kur e pyeti Hyjin se kush ishte, ndjeu se po i jepej si përgjigje një emër tjetër. Neve, ky emër na u zbulua në Birin: ky emër, në të vërtetë, përmban në vetvete emrin e ri “Atë”».

2780 Ne mund ta thërrasim Hyjin «Atë», sepse na është zbuluar nga Biri i tij i bërë njeri dhe sepse Shpirti i tij na bën ta njohim. Atë që njeriu nuk mund ta kuptojë dhe nuk mund ta marrin me mend as fuqitë engjëllore, domethënë marrëdhënien personale të Birit ndaj Atit, Shpirti i Birit na komunikon neve, neve që besojmë se Jezusi është Krishti dhe se jemi të lindur nga Hyji.

2781 Kur i lutemi Atit, jemi në bashkim me të dhe me Birin e tij, Jezu Krishtin. Kështu e njohim dhe e rinjohim në një mahnitje gjithmonë të re. Fjala e parë e Lutjes së Zotit është një bekim adhurimi përpara se të jetë një lutje. Kjo është në të vërtetë Lavdia e Hyjit: që ne ta njohim si «Atë», Hyj të vërtetë. E falënderojmë që na e ka zbuluar Emrin e vet, që na ka bërë dhuratën të besojmë në të dhe të jemi të banuar nga prania e tij.

2782 Mund ta adhurojmë Atin, sepse ai na ka bërë të rilindim në jetën e tij, duke na birësuar si bij të tij në Birin e tij të njëlindur: me anë të Pagëzimit na bën gjymtyrë të Trupit të Krishtit të tij dhe, me anë të lyerjes së Shpirtit të tij që zbret nga Kryet te gjymtyrët, na bën ne «krishta» (të lyer): «Në realitet, Hyji që na ka paracaktuar për birësim, na ka bërë të përngjashëm me trupin e lavdishëm të Krishtit. Të bërë tashmë pjesëmarrës të Krishtit, jeni natyrisht të quajtur “krishta”» (Shën Çirili i Jerusalemit, Catecheses mystagogicae, 3, 1). «Njeriu i ri, që është rilindur e rikthyer, me anë të hirit, te Hyji i vet, thotë para së gjithash: Atë, sepse është bërë bir» (Shën Çipriani nga Kartagjena, De dominica Oratione, 9).

2783 Në këtë mënyrë, nëpërmjet Lutjes së Zotit, ne i zbulohemi vetvetes, ndërsa na zbulohet Ati. «O njeri, ti nuk guxoje të ngrije kokën tënde drejt qiellit, sytë e tu shikonin për tokë dhe, përnjëherësh, ke marrë hirin e Krishtit: të janë shlyer të gjitha mëkatet. Nga shërbëtor i keq je bërë një bir i mirë. […] Prandaj ngriji sytë e tu tek Ati […] që të ka shëlbuar me anë të Birit dhe thuaj: “Ati ynë!”. […] Por mos kërko t’i njohësh vetes një lidhje të veçantë. Ai, në mënyrë të posaçme, është Atë vetëm i Krishtit, kurse për ne të gjithë është Atë i përbashkët, sepse lindur ka vetëm atë, kurse ne na ka krijuar. Thuaj edhe ti nëpërmjet hirit “Ati ynë”, për të merituar të jesh bir i tij». (Shën Ambrozi, De sacramentis, 5).

2784 Kjo dhuratë falas e birësimit lyp nga ana jonë kthim të vazhdueshëm dhe një jetë të re. Të luturit «Ati ynë» duhet të krijojë në ne dy qëndrime themelore: dëshirën dhe vullnetin për t’i ngjasuar atij. Të krijuar në shëmbëllim të tij, nëpërmjet hirit na është kthyer përngjasimi dhe ne duhet t’i përgjigjemi. «Kur thërrasim Hyjin «Ati ynë», duhet të kujtohemi për detyrën që të sillemi si bij të Hyjit» (Shën Çipriani nga Kartagjena, De dominica Oratione, 11). «Nuk mund ta thërrisni Atë tuajin Hyjin e çdo mirësie në qoftë se mbani një zemër mizore dhe çnjerëzore; njëmend, në këtë rast, nuk e keni më në ju gjurmën e mirësisë së Atit qiellor» (Shën Gjon Gojarti, De angusta porta et in Orationem dominicam, 3). «Është e nevojshme të soditet vazhdimisht bukuria e Atit dhe të ngihet me të shpirti» (Shën Gregori nga Nisa, Homiliae in Orationem dominicam, 2).

2785 Një zemër e përvuajtur dhe mirëbesuese, që të na e bëjë të mundur «të bëhemi si fëmijë» (Mt 18,3): në të vërtetë Ati u zbulohet «të vegjëlve» (Mt 11,25). «Është një shikim vetëm mbi Hyjin, një zjarr i madh dashurie. Shpirti atëherë zhytet dhe lartësohet në dashuri dhe komunikon me Hyjin si me Atin e vet, në një ëmbëlsi shumë të veçantë përshpirtërie». «Ati ynë: ky emër nxit në ne, njëkohësisht, dashurinë, zellin në lutje […] dhe shpresën për të marrë çka jemi duke lypur […]. Njëmend, çfarë mund t’i mohojë Hyji lutjes së bijve të vet, kur u ka lejuar, para së gjithash, të jenë bijtë e tij?» (Shën Augustini, De sermone Domini in monte, 2, 4, 16).

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme