Shumë të dashur Sekretarë të Përgjithshëm,
mirë së erdhët në takimin tonë vjetor. Falënderoj Shkëlqesinë e Tij Imzot Gjergj Meta, Sekretar i Përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, për fjalët e tij të mirëseardhjes dhe për mirëpritjen këtu në Tiranë. E çmoj veçanërisht domethënës faktin që ne mblidhemi në Shqipëri, “vendin e martirëve”, siç e përkufizoi Papa Françesku gjatë vizitës së tij në Tiranë më 21 shtator 2014.
Kemi ende ndër sy figurat e 38 martirëve shqiptarë që shoqëronin vizitën e Papa Françeskut. Ashtu siç kemi ndër sytë tanë imazhin e fesë së popullit shqiptar, të mbajtur gjatë viteve të errëta, të ruajtur në heshtje, pavarësisht gjithçkaje dhe të gjithëve. Në Shqipëri, ndoshta më shumë se në të gjitha shtetet e Evropës, kemi perceptuar se “Krishti është shpresa e Evropës”. Dhe për këtë arsye nuk ka vend më të mirë se ky për të kremtuar njëzet vjetorin e nxitjes post-sinodale të Gjon Palit II, Ecclesia in Europa.
Nxitja u shpall më 28 qershor 2023, katër vjet pas përfundimit të sinodit të veçantë për kontinentin evropian me temën “Jezu Krishti, i gjallë në Kishën e tij, burim shprese për Evropën”.
Në pikën 53 të dokumentit, duke folur për nevojën e një “bashkëpunimi të vërtetë midis të gjitha Kishave të veçanta të kontinentit”, Gjon Pali II citoi shprehimisht kontributin e Këshillit të Konferencave Ipeshkvore Evropiane, të përkufizuar si “një mjet i efektshëm për gjetjen e rrugëve të përshtatshme për të ungjillëzuar Evropën”.
Ne e ndiejmë këtë detyrë edhe më fort sot, ndërkohë që Papa Françesku e ka angazhuar Kishën në një proces sinodal që na ka përfshirë edhe ne si kontinent, në Asamblenë Kontinentale që kemi kremtuar në Pragë nga 5 deri më 12 shkurt 2023. Dhe ne nuk mund të jemi përveçse krenarë për faktin se ky proces i përpunimit sinodal, me diskutime që shkojnë nga niveli vendor në atë kombëtar e deri në atë kontinental, u eksperimentua pikërisht nga CCEE në simpoziumet e shumta evropiane.
Lindur nga poshtë, nisur nga një shënim i thjeshtë i Imzot Roger Etchegaray, i dalë nga diskutimet e Koncilit, CCEE ka vepruar si një platformë e vërtetë për të trajtuar sfidat e mëdha të kontinentit evropian. Ato janë sfida të një Kishe në dalje, sepse ungjillëzimi nuk është kuptuar kurrë si i caktuar vetëm për Evropën, por si një dritë për t’iu përçuar të gjitha kombeve.
Në këtë kuptim, ne e ndjejmë ftesën e Papa Françeskut, që bëri në udhëtimin e tij në Hungari më 28-30 prill, për një ripërtëritje të Evropës, si pjesë e angazhimit tonë për të bërë që të jehojë edhe një herë siguria se Krishti është shpresa jonë, angazhimi ynë për të ndërtuar qytetin e njerëzve me Hyjin, dhe jo “duke anashkaluar Hyjin”, siç ka ndodhur shumë herë në historinë e kohëve të fundit.
I ftoj të gjithë që ta rilexojnë pikë për pikë nxitjen e Shën Gjon Palit II, sepse aty përmbahen të gjitha sfidat me të cilat po përballemi sot: nga nevoja për të promovuar familjen tradicionale dhe për ta mbrojtur atë nga sulmet që duan që ajo të shkatërrohet, te dëshira për të promovuar, me forcë, Ungjillin e jetës; nga nxitja për të kryer një formim të thellë, para së gjithash liturgjik dhe sakramental, në atë të kushtimit të hapësirës, themelore, për lutjen dhe kremtimin, duke e vendosur Krishtin në qendër. Dhe më pas, rreziqet e teknokracisë, ndërtimi i një bote jo të krishterë, angazhimi i Kishës për t’ua përçuar të gjithëve këtë shpresë të Krishtit, mandati i dialogut, dhe në veçanti ai ekumenik, shikimi mbi Kishat e Evropës qendrore-lindore të cilat më në fund vërenin mundësinë për të mos qëndruar në katakombe, por të ishin dëshmitare të Ungjillit.
Imazhi udhëzues i gjithë nxitjes është ikona e Zbulesës. Por kjo nuk do të thotë se jemi në fund të kohës. Përkundrazi.
“Apokalipsi – shkruan Shën Gjon Pali II – përmban një inkurajim drejtuar besimtarëve: përtej çdo dukjeje, edhe nëse efektet nuk shihen ende, fitorja e Krishtit tashmë ka ndodhur dhe është vendimtare. Nga kjo rrjedh orientimi për t’u dalë përballë ngjarjeve njerëzore me një qëndrim mirëbesimi themelor, i cili buron nga besimi në të Ngjallurin, i pranishëm dhe veprues në histori” (Ecclesia in Europa, 5).
Së fundi, Gjon Pali II nënvizon se “Evropa ka nevojë për një dimension fetar. Për të qenë ‘e re’, në mënyrë analoge me atë që thuhet për “qytetin e ri” të Zbulesës (krh. 21,2), ajo duhet të lejojë që ta arrijë veprimi i Hyjit. Shpresa për të ndërtuar një botë më të drejtë dhe më të denjë për njeriun, në të vërtetë, nuk mund të anashkalojë vetëdijen se përpjekjet njerëzore do të ishin një asgjë nëse nuk do të shoqëroheshin nga mbështetja hyjnore” (Ecclesia in Europa, 116).
Ndërsa sot përjetojmë një luftë të re në zemër të Evropës, le ta hedhim shikimin kah këto fjalë të Shën Gjon Palit II me vetëdijen se angazhimi ynë i parë duhet të jetë pikërisht ai që të shikojmë kah Krishti si shpresa e Evropës. Vetëm me të dhe nëpërmjet tij do të mund të krijojmë një qytet të njeriut në Evropë që është në paqe me historinë e vet, i pajtuar dhe i orientuar drejt një të ardhmeje të begatë, sepse është i ndërtuar mbi zhvillimin integral të çdo burri dhe gruaje.
Faleminderit të gjithëve dhe punë të mbarë!