Kjo formë e devocionit është më e rëndësishmja nga të gjitha të tjerat kundrejt Mëshirës Hyjnore. Në vitin 1931 në Plock, Jezusi i foli motrës Faustinë për herë të parë mbi dëshirën për ta themeluar këtë festë ndërsa ia përcillte vullnetin e tij në lidhje me pikturën: «Unë dëshiroj që të ketë një festë të Mëshirës. Dua që figurja, që do ta pikturosh me penel, të bekohet solemnisht të dielën e parë pas Pashkëve; kjo e diel duhet të jetë festa e Mëshirës». Në vitet në vijim – sipas studimeve të dom I. Rozyckit – Jezusi e përsëriti këtë kërkesë edhe në 14 të shfaqura, duke përcaktuar saktësisht ditën e festës në kalendarin liturgjik të Kishës, shkakun dhe qëllimin e themelimit të saj, mënyrën për ta përgatitur dhe për ta kremtuar atë si dhe hiret që lidhen me të.
Zgjedhja e të dielës së parë pas Pashkëve ka një kuptim të thellë teologjik: tregon lidhjen e ngushtë midis misterit të Pashkëve të Shëlbimit dhe festës së Mëshirës, gjë që e vuri në dukje edhe motër Faustina: «Tani e shoh se vepra e Shëlbimit është e lidhur me veprën e Mëshirës të kërkuar nga Zoti». Kjo lidhje nënvizohet më tej nga nëntëditëshja që i paraprin festës dhe që fillon të Premten e Madhe.
Jezusi ka shpjeguar arsyen se pse e kërkoi themelimin e festës: «Shpirtrat humbasin, pavarësisht nga Mundimi Im i dhimbshëm […]. Nëse nuk e adhurojnë mëshirën Time, do të humbasin përgjithmonë».
Përgatitja për festën duhet të jetë një nëntëditëshe, e cila ka të bëjë me lutjen e Rozares së Mëshirës Hyjnore, duke filluar nga e Premtja e Madhe. Këtë nëntëditëshe e kërkoi vetë Jezusi dhe në lidhje me të tha se «do të japë hire të çdo lloji».
Për sa i përket mënyrës së kremtimit të festës, Jezusi shprehu dy dëshira:
– që figura e Mëshirës të bekohet solemnisht dhe të nderohet publikisht, domethënë në mënyrë liturgjike, atë ditë;
– që meshtarët t’u flasin shpirtrave për këtë Mëshirë Hyjnore të madhe dhe të padepërtueshme dhe kështu të zgjojnë fenë te besimtarët.
«Po, – ka thënë Jezusi – e diela e parë pas Pashkëve është festa e Mëshirës, por nuk duhet të mungojë edhe veprimi; dhe unë kërkoj kultin ndaj mëshirës Sime me kremtimin solemn të kësaj feste dhe me nderimin e figurës që është pikturuar».
Madhështia e kësaj feste tregohet nga premtimet:
– «Atë ditë, kush i afrohet burimit të jetës, do të marrë faljen e plotë të fajeve dhe dënimeve» – ka thënë Jezusi. Një hir i veçantë lidhet me Kungimin e marrë atë ditë në mënyrë të denjë: «falja tërësore e fajeve dhe e dënimeve». Ky hir – shpjegon dom I. Rozycki – «është diçka padyshim më e madhe se ndjesa e plotë. Njëmend, kjo e fundit qëndron vetëm në faljen e dënimeve të përkohshme të merituara për mëkatet e kryera […]. Është në thelb më shumë edhe se hiret e gjashtë sakramenteve, përveç sakramentit të Pagëzimit, meqenëse falja e mëkateve dhe e dënimeve është hir sakramental i Pagëzimit të shenjtë. Ndërsa, në premtimet e dhëna, Krishti e ka lidhur faljen e mëkateve dhe dënimeve me Kungimin që merret në festën e Mëshirës; thënë ndryshe, nga ky këndvështrim, ai e ngriti atë në shkallën e një “pagëzimi të dytë”. Është e qartë se marrja e Kungimit në festën e Mëshirës, jo vetëm që duhet të bëhet në mënyrë të denjë, por edhe të përmbushë kërkesat themelore të devocionit ndaj Mëshirës Hyjnore». Kungimi duhet të merret ditën e festës së Mëshirës, ndërsa rrëfimi – siç shpjegon dom I. Rozycki – mund të bëhet më herët (madje edhe disa ditë). E rëndësishme është të mos kesh asnjë mëkat.
Jezusi nuk e ka kufizuar bujarinë e tij vetëm në këtë hir, megjithëse i jashtëzakonshëm. Njëmend, Ai ka thënë se «do të zbrazë një det të tërë hiresh mbi shpirtrat që i afrohen burimit të mëshirës Sime», pasi «atë ditë janë të hapura të gjitha kanalet nëpër të cilat rrjedhin hiret hyjnore. Asnjë shpirt të mos ketë frikë të më afrohet edhe po të ishin mëkatet e tij të kuqe si flaka». Dom I. Rozycki shkruan se një madhështi e pakrahasueshme hiresh, që lidhet me këtë festë, dëftohet në tre mënyra:
– të gjithë njerëzit, edhe ata që më parë nuk kishin devocion ndaj Mëshirës Hyjnore dhe madje edhe mëkatarët që vetëm atë ditë kthehen, mund të marrin pjesë në hiret që Jezusi ka përgatitur për festën;
– Jezusi dëshiron që në atë ditë t’u japë njerëzve jo vetëm hiret shpëtimtare, por edhe të mira tokësore – si për individët ashtu edhe për mbarë bashkësitë;
– të gjitha hiret dhe të mirat janë të arritshme atë ditë për të gjithë, me kusht që të kërkohen me plot fe.
Kjo pasuri e madhe hiresh dhe të mirash nuk është e lidhur nga Krishti me asnjë formë tjetër devocioni ndaj Mëshirës Hyjnore.
Dom M. Sopocko bëri përpjekje të shumta për të siguruar që kjo festë të themelohej në Kishë. Megjithatë, sa qe gjallë, ai nuk e pa një gjë të tillë. Dhjetë vjet pas vdekjes së tij, kardinal Franciszek Macharski me Letrën Baritore për Kreshmë (1985), e caktoi festë për dioqezën e Krakovës dhe, duke ndjekur shembullin e tij, në vitet në vijim, bënë po kështu edhe ipeshkvijtë e dioqezave të tjera në Poloni.
Nga faqet e Ditarit mësojmë se motër Faustina ishte e para që e kremtoi këtë festë individualisht, me lejen e rrëfyestarit të saj.
Pjesëmarrja në kremtimin e Mëshirës Hyjnore në të dielën e parë pas Pashkëve në shenjtëroren e Krakovës ishte aq e madhe saqë Kongregata nxori ndjesën plenare, të dhënë në vitin 1951 për shtatë vjet nga kardinal Adam Sapieha.
[Më 30 prill 2000, me kanunizimin e shën Faustina Kovalska, shën Gjon Pali II e themeloi zyrtarisht Festën e Mëshirës Hyjnore për mbarë Kishën, të dielën e parë pas Pashkëve, e ashtuquajtur «Domenica in albis»].